​Hadri falënderon Calin dhe ushtarët e UÇK-së: Falë tyre edhe unë sot jam gjallë

11 maj 14:56

Në seancën e së mërkurës, në gjykimin ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, ka filluar deklarimin e saj dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes, Teuta Hadri.

Ajo para Dhomave të Specializuara ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 16 prill të vitit 1999 dhe ka qëndruar tri ditë duke dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit.

Hadri i ka thënë trupit gjykues se në ditën e tretë i kanë nxjerrë të plagosurit dhe civilët nga ajo zonë për shkak të fillimit të ofensivës, ku edhe ka takuar Salih Mustafën, të cilin në atë periudhë ajo e ka njohur vetëm si komandant Cali.

Hadri ka thënë se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar dhe as roje përreth shtëpive ku kanë qëndruar.

Dëshmitarja Hadri ka thënë se ofensiva në atë zonë kishte filluar më 18 prill të vitit 1999.

Ajo ka theksuar se në kohën e ofensivës e kishte takuar për herë të parë Salih Mustafën.

“Cali ishte një komandat pedant dhe i shkathët. Ai djalë kishte lënë lirinë e vet, në vend se me ikë në Gjermani. Ai vinte aty për t’i mbrojtur qytetarët, për të ndihmuar ushtrinë me furnizime me ushqim dhe me barna. Pra, krejt këto kanë qenë organizim i ushtarëve të UÇK-së. Më 18 prill kam pyetur, pra kur është bërë ofensiva e madhe. Kush është ky djalë? Aty e kam kuptuar se është Cali”, ka thënë Hadri.

Ajo ka deklaruar se në atë periudhë e kishte njohur Salih Mustafën vetëm me emrin Cali, ndërsa kur është ngritur aktakuza e ka kuptuar emrin i tij të vërtetë.

“Publikisht e falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së, sepse falë tyre edhe unë sot jam gjallë, në organizmin që kanë bërë për të na mbrojtur neve, personelin e shëndetësisë, të plagosurit dhe civilët”, ka thënë Hadri, e cila është mjeke me profesion.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm. /ksp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elsa Lila e arrestuar në 16 mars në Itali me…