​Kurti: Askush nga kabineti qeveritar s’do të përfitojë nga 100 euro

13 prill 14:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shtesat mbështetëse prej 100 euro për qytetarët nuk janë politika fiskale apo zhvillimore, por ndihma sociale në kohë sfiduese.

Para fillimit të mbledhjes së qeverisë, ka thënë se nëpërmjet masave po rishpërndahet rritja ekonomike prej 10.53 për qind e arritur falë politikës zhvillimore. Shtesat prej 100 eurove, Kurti ka thënë se nuk do t’i përfitojë asnjëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

“Masat mbështetëse që i prezantuam dje, nuk janë politika fiskale apo politika zhvillimore, e as nuk synojnë t’i zëvendësojnë këto të dyja. Ato janë politika sociale, mbështetëse për qytetarët në një kohë sfiduese. Nëpërmjet tyre po rishpërndajmë rritjen ekonomike prej 10.53 për qind, e cila është arritur, përpos tjerash, falë politikave zhvillimore të qeverisë sonë. Siç edhe konstaton Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike në vendin tonë është stimuluar nga tre faktorë kyç: menaxhimi i suksesshëm i pandemisë nëpërmjet një fushate efektive të vaksinimit; mbështetja e diasporës; dhe zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, ka thënë Kurti.

Ai tha se nuk janë të vetmit që po zbatojnë masa si këto, pasi të ngjashme kanë marrë Franca dhe Gjermania.

“Ne mund të jemi Qeveria e parë e Republikës së Kosovës, që po bën një rishpërndarje të tillë të parave te qytetarët kur ata kanë nevojë. Ndoshta edhe mund të jemi prej vendeve të rralla që po veprojnë kështu. Por, gjithsesi nuk jemi të vetmit, që po zbatojmë masa si këto. Në tetorin e vitit të kaluar, Franca kishte ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe për pensionistët si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit. Kurse muajin e kaluar Gjermania ka vendosur që ndër të tjera të ndajë 300 euro shtesë të njëhershme për të gjithë punëtorët, si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të energjisë”, ka thënë ai, duke shtuar se të hyrat në tremujorin e parë 2022 janë më të larta për 17 për qind sesa vitin e kaluar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë që më shumë se…