​Lancet: Doza e tretë e vaksinës për popullatën e përgjithshme është e panevojshme

19 shtator 16:02

Vaksinat janë mjaftueshëm efektive që të parandalojnë sëmurje të rëndë nga COVID-19 dhe se aktualisht nuk ka nevojë që popullata e përgjithshme të marrë një dozë të tretë, thuhet në një studim të publikuar më 13 shtator në revistën mjekësore, The Lancet.

Disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta, pas shqetësimeve për furnizimin me vaksina në vendet e varfra, ku miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës, shkruan AFP.

Por, raporti i përpiluar nga shkencëtarët, ku ishin edhe shkencëtarë nga OBSH-ja, erdhi në përfundim që me kërcënimin e Deltës “dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”.

Autorët e studimit, që kanë shqyrtuar studimet vëzhguese dhe provat klinike, gjetën se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të COVID-19, në të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë edhe variantin Delta, edhe pse ato kishin sukses më të ulët në parandalimin e sëmundjes asimptomatike.

“Marrë në përgjithësi, studimet e tanishme nuk japin të dhëna të besueshme për rënien substanciale të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit”, tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo, shkencëtare nga OBSH-ja.

Ajo tha se dozat e vaksinës duhet të prioritizohen për njerëzit në mbarë botën që ende janë duke pritur që të vaksinohen.

“Nëse vaksinat dërgohen ku do të bënin më të mirën, ku do të shpejtonin fundin e pandemisë duke parandaluar shfaqjen e varianteve të reja”, shtoi ajo.

Shkencëtarët, në studimin e titulluar “Shqyrtimet për rritjen e përgjigjes imunitare të vaksinave COVID-19”, po ashtu thanë se dozat përforcuese mund të jenë të papërshtatshme për disa individë, siç janë ata me sistem të dobësuar imunitar, që nuk prodhojnë përgjigje të duhur imunitare pas marrjes së dy dozave të vaksinës.

Shtetet si Franca veçse kanë nisur dhënien e dozave të treta për personat e moshuar dhe njerëzit me sistem imunitar të kompromentuar, ndërkaq Izraeli ka shkuar edhe më tej, duke u ofruar fëmijëve 12 vjeç e më të rritur dozën e tretë, pesë muaj pas vaksinimit të plotë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora ka folur për herë të parë për lidhjen…