​Njëqind eurot ndihmë apo ‘lëmoshë’ për qytetarët

24 prill 12:31

Njëqind eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për pensionistët, punëtorët privat e publik dhe për studentët janë një ndihmë afatshkurtër për këto kategori të shoqërisë dhe jo një zgjidhje afatgjate e problemeve të tyre.

Kështu kanë vlerësuar profesorë të ekonomisë në vend, të cilët kërkojnë nga ekzekutivi ndryshimet e politikave fiskale, për uljen e akcizës për naftë dhe heqjen e TVSh-së në disa produkte.

Në kohën kur inflacioni ka arrit 10 përqind, profesori universitar, Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress, se masat e qeverisë në shumën prej 100 milionë eurove, janë një përpjekje e kushtueshme për buxhetin e shtetit, por e pamjaftueshme për qytetarët në këtë kohë.

“Është një përpjekje e kushtueshme, por e pa mjaftuar në situatën e tanishme. Nëse synohet që të vazhdohet në mënyrë më sistematike në intervenimet e tilla, sigurisht që qytetarët do ta prisnin me një qëndrim më të pranueshëm këtë veprim. Por, kjo nëse bëhet një herë për një vit, edhe personalisht mendoj se është e pamjaftueshme, duke pasur parasysh zhvillimet në sektorin social të popullatës”, tha ai.

Profesori Sadiku theksoi se fokusi i qeverisë duhet të jetë për heqjen e TVSh-së për produktet esenciale ushqimore dhe uljen e akcizës për derivatet.

“Qeveria ka bërë përpjekje për të zbutur këtë situatë sociale, duke ndarë këto mjete, por dua të them se në opinion ka komente të shumta, kryesisht komentet popullatës duhet dëgjuar, sepse ata janë më së shumti të prekur. Pra, shumica e popullatës vlerësojnë se kjo është një ndihmë e pa mjaftuar, e njëhershme dhe me këtë ndihme popullata vështirë se do ta ndryshojë situatën sociale… Por, nëse kjo mendohet se do të ndahet një herë për një vit, me të vërtet është e pamjaftueshme… (07’53)Fokusi në radhë të parë duhet të jetë në largimin e TVSH-së, për produkte bazike ushqimore, për vaj, për qumësht dhe për gjëra të tjera ushqimore të cilat përbëjnë përqindjen më të madhe të shpenzimeve të popullatës dhe kjo duhet të jetë një zgjidhje më sistematike, më e gjatë në mënyrë që të kenë efektin më të madh. Por, kështu është bërë një veprim social për mungesë të veprimeve të tjera”, thotë ai.

Ndarja nga 100 euro për pensionistët, punëtorët e sektorit privat, publik dhe për studentët po cilësohet si një lëmoshë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë se shtesa prej 100 eurosh është “lëmoshë dhe vitra për festën e Bajramit’”, krahasuar me shkallën e lartë të inflacionit.

“Pikërisht kur një herë njeriut i ndan një ndihmë, ajo është lëmoshë dhe kur nuk bëhet në mënyrë permanente ose të përhershme e humb karakterin e subvencionit ekonomik-afatgjatë. Kjo ndihmë është në formën e atyre vitrave për festë të Bajramit që ndahen, kjo natyrisht që ka reflektuar në shpenzimet të cilat në këtë muaj të Ramazanit do të mund t’i përmirësojnë paksa standardin social”, thotë Skënderi.

Pensionistët kanë marrë më 15 prill nga 100 euro shtesë, punëtorët e sektorit privat pritet t’i marrin me pagën e muajt prill deri në fund të këtij muaj, ndërkaq të enjten është hapur aplikimi online për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit privat.

Kurse, për 80 mijë studentë ende nuk është hapur aplikimi, e zyrtarë të Ministrisë së Financave nuk kanë treguar për KosovaPress, se kur pritet të ndahen mjetet edhe për këtë kategori.

Në mbledhje e qeverisë kur ishte marrë vendim për ndarjen e këtyre mjeteve, kryeministri ka thënë nga mbështetja do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension të veteranit e kështu me radhë. Sipas tij, për herë të parë do të mbështeten me nga 100 euro rreth 300 mijë punëtorë të sektorit privat. E në kuadër të mbështetjes për të punësuarit do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rastet kur një person humb jetën në vendin e punës…