​Rizvanolli: Tranzicioni energjetik një proces i paevitueshëm

27 korrik 14:09

Është mbajtur sot “Forumi solar i Kosovës 2021”, me ç’rast u theksua se tranzicioni energjetik është një proces i paevitueshëm dhe tejet i rëndësishëm për të ardhmen e sektorit energjetik në Kosovë.

Ky forum që është organizuar nga Ministria e Ekonomisë në mbështetje të USAID, do të mbledhë në një vend edhe kompanitë që merren me zhvillimin dhe instalimin e solareve në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në hapje të këtij forumi u shpreh se tranzicioni energjetik është një proces i paevitueshëm dhe tejet i rëndësishëm për të ardhmen e sektorit energjetik në Kosovë. “Tranzicioni energjetik është një proces i paevitueshëm dhe tejet i rëndësishëm për të ardhmen e sektorit energjetik në Kosovë. Për më tepër çdo investim në burime të ripërtëritshme duhet të shoqërohet me investime në kapacitete të rezervave që e bënë tranzicionin relativisht më të shtrenjtë dhe me rrjedhimisht e vë një barrë shtesë mbi situatën socio-ekonomike të popullsisë. Si i tillë një tranzicion i shpejtë pa marrë në konsideratë të gjitha kufizimet e mësipërme nuk është i mundur dhe një tranzicion i drejtë e i mbështetur nga të gjithë akterët është çelësi për ta bërë tranzicionin të përballueshëm për qeverinë, qytetarët dhe ekonominë e vendit. Për më tepër një tranzicion i tillë duhet që prioritet të ketë sigurinë energjetike, të reflektojë përfitimet tek qytetarët si dhe të jetë në përputhshmëri me mbrojtjen e ambientit duke marrë parasysh ndryshimet klimatike”, tha ajo.

Ajo tha se të gjitha vendimet rreth sektorit të energjisë do të kenë prioritet qytetarin dhe zhvillimin e sektorit privat.

Rizvanolli shtoi edhe se qëllimi i këtij forumi është që do të merren parasysh të gjitha nevojat e sektorit privat në fushën e energjisë solare. “Qëllimi i këtij forumi është që t’iu sigurojmë që ministria jonë po mbanë shënime rreth nevojave të sektorit privat vendor në fushën e energjisë solare dhe do të bashkëbisedojmë për rolin e saj në strategjinë e ardhshme energjetike të Kosovës. Pavarësisht faktit që ndoshta rritja e gjenerimit të projekteve solare të vogla nuk do të jetë zgjidhja kryesore e nevojës së kapaciteteve gjeneruese dhe nuk do t’i zëvendësoj në masë të madhe kapacitetet e mëdha gjeneruese, ne nuk duhet të harrojmë që ofrimi i mundësive nuk ka të bëjë vetëm me shtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, po gjithashtu edhe me zhvillimin e një demokracie energjetike. Me fjalë të tjera gjatë tranzicionit ne duhet të sigurohemi që qytetarët i gëzojnë përfitimet e mundshme nga kjo energji dhe qytetarët janë më afër vendimmarrjes rreth politikave për sistemin socio-teknik energjetik”, u shpreh ajo.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të misionit të USAID,  Hysen Agolli, tha se do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në të gjitha fushat që ajo ka nevojë.

“Çdo sektor në USAID punon dhe ndikohet nga ndryshimet klimatike dhe ato ndikime do të vazhdojmë të rriten. Ekonomitë në zhvillim shpesh në sektorët që janë të ndjeshëm ndaj klimës, siç është bujqësia, turizmi, në të njëjtën kohë ne nuk mund të ndalim emetimet aq sa duhet pa kontributin nga vendet në zhvillim, megjithatë sikurse në çdo gjë tjetër edhe këtu ka mundësi. Ndryshimet klimatike paraqet një varg mundësish siç janë programet e energjisë së ripërtëritshme të cilat mundësojnë instalimin, financimin, integrimin në rrjet të gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme si mjet për të zvogëluar ndryshimet klimatike duke ulur koston, duke nxitur zhvillimin ekonomik, duke rritur qasjen në shërbime të përballueshme moderne të energjisë”, vazhdoi tutje ai.

Gjatë ditës do të zhvillohen edhe sesione të ndryshme, që në fokus kanë informatat për gjendjen si dhe potenciali që Kosova ka për energji solare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Olt Kondirolli ka përfunduar garimin e tij në not 100…