1 Maji në Kosovë, revolta është akti i fundit i nderit që të mbrohet dinjiteti i punëtorit

01 maj 2025 | 16:15

Shkruan: Astrit Gashi

Në kalendarin ndërkombëtar, 1 Maji nuk është vetëm një ditë pushimi. Është një datë e përgjakur nga historia, e lindur në protestat dhe sakrificën e punëtorëve të Çikagos më 1886, që ngritën zërin për një kërkesë themelore që të kemi tetë orë punë, tetë orë pushim, tetë orë jetë. Por në Kosovën e vitit 2025, kjo ditë është shndërruar në një formalitet të ftohtë, ndërkohë që realiteti i punëtorit është dhimbshëm i ngjashëm me atë të shekullit XIX: shfrytëzim, pasiguri, heshtje.
Ligji në Kosovë parashikon javë pune prej 40 orësh. Realiteti e mohon me arrogancë këtë normë. Në sektorin privat si ndërtimtari, fasoneri, tregti, gastronomi, punëtorët punojnë 50, 60 e ndonjëherë 70 orë në javë. Pa pagesë shtesë. Pa kontratë. Pa sigurime. Pa pushim. Pa zë. Sepse në Kosovë, orari i punës nuk matet me orë, por me urdhra, frikë dhe heshtje. Heshtje nga shteti. Heshtje nga sindikatat. Heshtje nga shoqëria.
E ndërkohë, ikja vazhdon. Kosova po zbrazet nga punëtorët e saj. Jo për luks. Por për mbijetesë. Sepse paga minimale prej 300 apo 350 euro nuk është jetë. Është përqeshje. Është poshtërim. Është shtytje drejt largimit. Nëse kjo pagë nuk rritet urgjentisht në të paktën 600 euro, Kosova shumë shpejt nuk do të ketë më punëtorë. Dhe pa punëtorë, nuk ka ekonomi. Nuk ka shtet. Nuk ka jetë.
Tragjedia nuk mbaron këtu. Sepse më shqetësuese se vetë shfrytëzimi është mungesa totale e mbrojtjes. Sindikatat, që dikur ishin themel i lëvizjes punëtore, sot janë ose të kapura, ose të heshtura, ose të përdorura nga pushteti. Në vend që të jenë zëri i punëtorit, janë bërë zëdhënëse të qeverisë apo të punëdhënësve. Lëvizja sindikale në Kosovë është në koma. Dhe punëtori, i lodhur, i vetëm, pa përfaqësim, përballet me një treg pune të egër, brutal dhe çnjerëzor.
Në këtë 1 Maj, nuk mjaftojnë urimet. Kemi nevojë për zemërim. Për turp kolektiv. Për ndërgjegjësim qytetar. Sepse një shtet që nuk mbron punëtorin është një shtet që gërryen themelet e veta. Një shoqëri që pranon që puna të shpërblehet me skamje, është një shoqëri që edukon skllavërinë, jo dinjitetin.
Është koha të flitet qartë dhe me zë të lartë së çdo pagë nën 600 euro është e papranueshme. Çdo orë pune jashtë kontratës është shkelje e rëndë e të drejtave. Çdo sindikatë që nuk mbron punëtorin është bashkëpunëtore me shtypësin.
Nëse kjo gjendje nuk ndryshon urgjentisht, e ardhmja e Kosovës nuk është evropiane. Është bosh. E ikur. E varfër. E pandershme.
Sepse 1 Maji nuk është festë. Është kujtesë. Dhe për Kosovën, është një alarm i fundit për t’u zgjuar, për të mbrojtur punëtorin, për të shpëtuar vetveten.
Mos e festoni 1 Majin. Rebelohuni për të mbrojmë dinjitetin e puntorit!!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Osman Hajdarin, ushtruesin…