11-i i PDK-së, Jakup Nura rrëfen një ngjarje interesante me Hashim Thaçin nga viti 1991
Jakup Nura, kandidat i PDK-së për deputet, i cili në listën zgjedhore mban numrin 11, ka rrëfyer një ngjarje interesante nga viti 1991, e ndodhur në Skenderaj, në kohën e veprimtarisë ilegale kundër regjimit serb. “Në vitin 1991, një pasdite në Skenderaj, kishim lënë një takim për t’u njoftuar rreth aktiviteteve ilegale që i zhvillonim në Skenderaj dhe rrethinë. Pas një bisede të gjatë, u nisëm drejt stacionit të autobusëve, ku ishte linja e fundit e ditës. Në ato çaste vumë re se pas nesh po vinin disa policë. Fillimisht menduam se ishin në patrullim, por shpejt e kuptuam se cak i tyre ishim ne.
Provuan të largoheshim në drejtim të fabrikës së municionit, por rruga ishte e zbrazur dhe rreziku për t’u ndjekur e kapur nga policia ishte i madh. Për këtë arsye, të tre hipëm në një autobus që shkonte për Drenas, i cili ishte i mbushur përplot me njerëz. Pas pak autobusi u nis dhe mori kthesën djathtas për Drenas. Vura re se pas nesh po vinte edhe vetura e policisë, një Zastava 101. Te Fabrika e Tullave, përballë shtëpive të romëve, ndodhej një stacion ku ndalonin autobusët nga Drenasi. Aty kishte edhe policë të tjerë, të cilët e ndaluan autobusin. Ishte një pritë e organizuar me shumë policë dhe dy vetura.
Pas ndalimit të autobusit, policët filluan t’i zbrisnin udhëtarët dhe t’i legjitimonin një nga një në të dy hyrje-daljet e autobusit. Dy bashkudhëtarët e mi ishin Adem Nura, i cili kishte një thikë me vete, dhe Hashim Thaçi, i cili ishte i paarmatosur. U thashë që të vinin pas meje dhe, nëse do të ishte e nevojshme, sapo të dilja nga dera do të hapja zjarr ndaj policëve, ndërsa ata të përpiqeshin të largoheshin. U drejtova nga dera e përparme, me dorën në revole dhe me përqendrim të plotë, që asnjë lëvizje të mos më shpëtonte pa e vërejtur.
Në ato çaste, shoferi i autobusit më kapi për krahu, më tërhoqi drejt vetes dhe me shenjë më bëri të dal nga dera e tij. Po ashtu, përmes shenjave e bëra me dije se nuk isha vetëm. Ai u ngrit në këmbë dhe hapi derën e shoferit. Unë u bëra shenjë dy shokëve që të më ndiqnin.
Kur dolëm jashtë, u bashkuam me dhjetëra njerëz të tjerë dhe vazhduam rrugën deri te një rrugicë që çonte drejt Lagjes Veliu të Polacit. Duke ecur dhe biseduar, Hashimi na tha se duhej të shkonte në Prishtinë. I thashë se do ta përcillja me motor deri afër Vushtrrisë. Pasi shkuam në Prellovc, takuam dajën e Ademit, Idriz Mehmetin, të cilit i kërkuam që ta përcillte Hashimin deri në Vushtrri. Më pas, Adem Nura, Idriz Mehmeti dhe Hashim Thaçi u nisën me veturën e tij, një Lada.”



