11 të vrarë në një ndeshje futbolli në Meksikë
Një grup sulmuesish të armatosur qëlluan në një fushë futbolli pas përfundimit të një ndeshjeje në Salamanca, duke vrarë 11 persona dhe plagosur 12 të tjerë, përfshirë një grua dhe një fëmijë, njoftoi kryebashkiaku i qytetit, Cesar Prieto.
Prieto e përshkroi incidentin si një “krizë serioze sociale” dhe theksoi se grupet kriminale po përpiqen të nënshtrojnë autoritetet, por se nuk do të arrijnë qëllimin e tyre.
“Ky incident është pjesë e valës së dhunës që po përjetojmë në vend, dhe veçanërisht në Salamanca. Ata që janë përgjegjës do të gjenden,” tha kryebashkiaku.
Zyra e Prokurorit të Shtetit në Guanajuato ka nisur një hetim dhe po koordinon përpjekjet me autoritetet komunale, shtetërore dhe federale për të rritur sigurinë dhe për të mbrojtur qytetarët.



