120 euro u ble një votë në zgjedhjet lokale, aktakuzë ndaj dy personave në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve Y.Rr., dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, më 12.10.2025, në fshatin Budakovë – Komuna e Suharekës, i pandehuri Y.Rr., ka ofruar përfitim të pa merituar në shumën 120 euro për të pandehurin B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për ansamble komunale, dhe për verifikimin e votimit, i pandehuri Y.Rr., ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin. Ndërkaq, i pandehuri B.K., akuzohet se ka pranuar këtë përfitim të pa merituar, me qëllim të ndikimit në votimin e tij.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.



