14 shkurti, Kosova dhe liderët!

25 janar 2021 | 11:18

Shkruan: Bedri Islami

Një mik imi shumë i afërt dhe i mirë, më shkroi dhe më pyeste se çfarë mendoj për 14 shkurtin, Kosovën dhe liderët. Është një varg i Shekspirit, që në shqip mund të përligjet kështu: “Duke vështruar errësirën që shohin të verbërit”. Përgjithësisht në Kosovë – në Shqipërinë londineze, po ashtu, na mungon një klasë politike që nuk influencohet nga joshjet, as nga frikësimet; një klasë politike që ushtron me kryelartësi privilegjin për ta kritikuar administratën dhe që, pas një seance parlamentare, pasi ka thënë çfarë ka menduar dhe me forcë ka kërkuar zgjidhje, kthehet në këmbë nga salla parlamentare, e mbrojtur nga mirëbesimi i popullit.

Deri tani në Kosovë shefi i një qeverie ka pasur fuqinë e një mbreti absolut, pa pasur maturinë që duhej të kishte një kryetitullar. Shumë gjëra kanë qenë të hallakatura, pa principe morale e kombëtare, të pakujdesshme dhe përfituese. Të gjithë kanë spekuluar me fjalën “popull”, por tani pikërisht populli duhet të thotë “Mjaft”! Është e vështirë të qeverisësh një popull që del nga robërimi dhe është i përligjur padurimi i tij, pikërisht nga pritja e gjatë dhe shëmbëlltyra që ka njohur. Por, jo e pamundur. Për të pasur një shtet të qëndrueshëm, mbi gjithçka tjetër, duhet që personat që qeverisin të demonstrojnë kreativitet, guxim dhe lidership.

Duhet që ata, pasi të jenë disa kohë liderë, të bëhen prijës, pasi ka një ndryshim të madh, të pakapshëm, mes liderit dhe prijësit. Lideri është i përveçëm, prijësi është i të gjithëve! Një shembull: Fehmi Lladrovci kurrë nuk ka qenë lideri i vetëm i një force politike, por ka qenë prijësi i të gjithëve! Askush nuk u nda prej tij pa e ndier veten më trim! Duhet të ketë qeveritarë të guximshëm, që të jenë në lartësinë e duhur, për t’u përballur me vështirësitë e paraqitura nga objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të veprojnë, jo për interesin e tyre vetjak, por për të mirën e përgjithshme.

Të jenë qeveritarë që nuk kanë drojë nga dalja në popull, përkundrazi, ata të priten nga njerëzit për vlerat e tyre, të besohen dhe të shkohet pas tyre që, edhe pasi ata të largohen nga postet, për veprën e tyre të mbetet mirënjohja. Liderë që bëhen prijës dhe nuk kanë frikë të eksperimentojnë, të drejtojnë dhe mbi të gjitha… të pyesin, të dëgjojnë, të bëjnë drejtësi. Çdo komb në kohë krize evokon një mit kombëtar dhe figurën tradicionale të një heroi.

Për fat të keq ne kemi liderë në Kosovë, por jemi në pritje të një prijësi! Kam vënë re se jo pak herë djalli i kryengritjes merr pamjen e engjëllit të reformës! Unë jam kundër verbërisë politike, kundër nënshtrimit dhe jo rrallëherë ne kemi pasur verbëri dhe nënshtrim! E di se Albin Kurti do të jetë fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe shumë veta do të duan të jenë kumbarët e tij!

Nëse nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë më shumë votues sepse, veç atyre që presin kthimin e tij në krye të qeverisë, shumë të lëkundur do të priren drejt tij, si shpagim për klasën e vjetër politike, që u plak aq shpejt, saqë duket sikur ka qeverisur një mijë vjet. Dhe ka qeverisur trupërisht! Mua, personalisht, nuk më pëlqen motoja e tij elektorale, “Krejt dhe drejt”. Më saktë nuk më pëlqen pjesa e parë e saj, për dy arsye: e para, ma kujton thirrjen e bolshevikëve në vitin 1917, “Krejt pushteti sovjetëve”, dhe Albin Kurti, sado i majtë të duket, ai, në fakt, është nacionalist i shkallës sipërore; dhe, e dyta, arti i bashkëqeverisjes është arti i së mundshmes.

Kam shkruar dikur se është për t’u çuditur, por kombet jo rrallë kanë zgjedhur përgjithësisht si figura përdalluese individë që nuk u ngjajnë shumë. Pas luftës kjo ka ndodhur edhe në Kosovë. Tani është koha e fundit që të ketë një përafrim të shëmbëlltyrës së kombit me atë të liderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është gjobitur me 2 mijë…