15 mijë trupa ushtarake në Karaibe: Trump paralajmëron veprim në Venezuelë
SHBA po rrit ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe, ndërsa Presidenti Donald Trump la të kuptohej se ka marrë një vendim për një veprim të mundshëm në Venezuelë.
Gjatë një deklarate të premten, Trump tha se “në një farë mënyre e kam vendosur”, duke mos përjashtuar opsionin e ndërhyrjes për të goditur rrjedhat e drogës dhe emigracionit të paligjshëm, apo edhe për të ndryshuar regjimin e Presidentit Nicolás Maduro.
Sipas Pentagonit, pjesë e operacionit “Shtiza Jugore” janë grumbulluar mbi 15,000 trupa amerikane, më shumë se një duzinë anije luftarake, një anije komande, nëndetëse sulmuese, si dhe 10 avionë F-35 të vendosur në Porto Riko. Zyrtarët thonë se objektivat kryesore lidhen me ndërprerjen e trafikut të drogës dhe kontrollin e pikave strategjike në rajon.
Trump është informuar nga një grup i ngushtë zyrtarësh të sigurisë kombëtare, mes tyre Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Dan Caine. Grupi i sigurisë ka paraqitur disa opsione, që variojnë nga sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake venezuelase, te goditja e rrugëve të trafikimit të drogës, e deri tek një përpjekje e mundshme për rrëzimin e Presidentit Maduro.
Megjithatë, Trump ka rezervat e tij, duke kërkuar të shmangë veprime që mund të rrezikojnë trupat amerikane ose të rezultojnë të pasuksesshme.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo përplasje me Venezuela-n mbart rreziqe serioze, ndërsa opozita në vend mbetet e përçarë dhe ushtria konsiderohet e gatshme për kryengritje në rast ndërhyrjeje. Ndërkohë, Presidenti Maduro ka paralajmëruar se çdo goditje amerikane do të kthejë Venezuelën në një “Gazë të re” ose “Vietnam të ri”.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer ndërkohë të paktën 20 sulme kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në këtë zonë. Analistët e cilësojnë këtë përqendrim të forcave si më të madhin në Karaibe që prej pushtimit të Panamasë në vitin 1989.
Në planin politik, Trump përballet me sfidën e ruajtjes së mbështetjes afatgjatë të opinonit publik, pasi amerikanët mbeten skeptikë ndaj përfshirjeve të gjata ushtarake. Po ashtu, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari Hegseth veteranë të Luftës së Irakut kanë shprehur hezitim për angazhime të reja ushtarake jashtë vendit.



