15. Përfundimi duhet t’i korrespondojë hyrjes

16 korrik 10:17

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (10)

Hajdin Abazi

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Kjo që u tha më sipër lidhet drejtpërdrejt me atë që është bërë traditë nëpër universitetet tona: qasjen për të shkruar punime studimore. Në kuptimin që, kur në “hyrje” janë parashtruar qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat, dhe përgjatë studimit, nëpër kapituj e nënkapituj, zhvillohet studimi i palidhur me këto aspekte, atëherë të paktën në fund, për të bërë një përmbyllje logjike, do të duhej të tregohej se cili është rezultati për hipotezat, pyetjet studimore, objektivat dhe qëllimin.
Sigurisht, sikurse u tha, ka modele të ndryshme se si mund të realizohet një studim, dhe se si mund të ndërlidhen aspektet studimore. Po qe se, fjala vjen, në secilin kapitull është shtjelluar rrjedha e studimit për hipotezën përkatëse, ose/edhe për pyetjen përkatëse studimore dhe objektivin që i korrespondon dy të parave, atëherë, po, në fund të studimit, në “përfundim” do të mund të sintetizohej e tëra rreth qëllimit dhe asaj se çfarë është mësuar më shumë nga studimi për temën e trajtuar.
Krejt në fund, dua të nënvizoj se ajo që duhet mbajtur parasysh gjatë realizimit të një studimi, sidomos kur ai të përgatitet si formë finale për publikim apo paraqitje për mbrojtje, është se të gjitha ato që janë parashtruar në “hyrje” ose duhet të përmbahen brenda kapitujve të studimit, ose të paktën bile në “përfundim” të bëhet një përmbledhje e arritjeve në raport me ato që janë parashtruar në “hyrje”, për t’i saktësuar rezultatet.
Meqë këtu u nënvizuan disa probleme, tregon një gjendje të tanishme, e cila përmban potencial intelektual dhe përvojë për të bërë shkencë në mënyrë më të mirëfilltë, ka për synim shenjëstrimin e tyre ashtu që ato të kuptohen dhe të tejkalohen. Është lajthitje e pakëndshme ta bindim veten se po bëjmë shkencë në nivel bashkëkohor, ndërkohë në shumicën e punimeve studimore të manifestohen gabime elementare, çalime metodologjike dhe parregullsi në konstituimin e rezultateve.

VI. DISKUTIMI SI SHQYRTIM KRITIK

E tëra që u tha deri këtu nuk do të ishte e mjaftueshme po qe se nuk ngritët edhe një çështje, e cila është themelore dhe duhet t’i kushtohet vëmendje e duhur.
Punimeve të shumta studimore, në masë të madhe, ju mungon ajo që quhet “diskutimi”. Këtu e dhjetë vjet më parë, në librin tim “Hyrje në shkrimin akademik” kam avokuar që në çdo punim që pretendon të jetë studimor, të inkorporohet gjithsesi një pjesë e cila të bëjë me diskutimin e atyre që janë shkruar, pohuar dhe gjetjeve. Por, ajo që aktualisht bie në sy bënë të qartë se nuk është nxitur një qasje e këtillë për çka edhe shumica e punimeve që pretendojnë të jenë studimore e kanë këtë mangësi.
Do të përpiqem ta riaktualizojë këtë nevojë, dhe të tregoj se përse ajo duhet të jetë pjesë integrale e çdo punimi që pretendon të jetë studimor.

1. Ku në punim mund të bëhet diskutimi?
Çka është “diskutimi” në një punim?

Shprehur shkurtimisht, “diskutimi” është një shoshitje e asaj që është thënë nga autorë apo burime të ndryshme, nga gjetje apo fakte të ndryshme, si një punë përgatitore për të kristalizuar arritjet e studimit.
Është ose duhet të jetë një pjesë e çdo studimi. Nuk ka ndonjë kriter se ku saktësisht duhet të zhvillohet kjo pjesë. Ajo mund të bëhet në çdo kapitull, për shembull, në një nënkapitull të veçantë; ose ajo mund të bëhet në një kapitull më vete, zakonisht në kapitullin e parafundit të një punimi. Në rastin e parë, po qe se diskutimi bëhet brenda një kapitulli, atëherë karakteri i diskutimit përfshinë vetëm pjesën që është shkruar deri te diskutimi, pra vetëm atë kapitull. Kurse po qe se diskutimi bëhet në kapitullin e parafundit, atëherë ai përfshin gjithë ato që janë thënë nëpër kapitujt e tjerë, deri te diskutimi.
Po qe se diskutimi bëhet në një kapitull më vete, kapitulli i fundit para “përfundimit”, atëherë ajo është një punë përgatitore tërësore e rezultateve finale, që pason menjëherë në kapitullin e radhës “përfundime”.
Po qe se diskutimet bëhen në secilin kapitull, atëherë ato janë pjesë fragmentare që shoshitin aspektet që lidhen me studimin në kapitullin përkatës, dhe kështu, pastaj, në “përfundim” bëhet sintetizimi i tyre, duke referuar kapitujt përkatës, në rezultatet e studimit.

2. Kur dhe çfarë duhet bërë në një diskutim?
Çka konkretisht duhet bërë gjatë “diskutimit”?

Për të krijuar një pasqyrë më të qartë, le të supozohet se një kapitull i ka pesë nënkapituj
Në nënkapitullin e parë është bërë prezantimi i problematikës me të cilën do të rreket studimi në këtë kapitull. Nënkapitulli i dytë prezanton kornizën teorike të problematikës. Nënkapitulli i tretë paraqet pikëpamjet për dhe kundër, përkatësisht argumentet dhe kundërargumentet. Nënkapitulli i katërt prezanton gjetje, për shembull, nga hulumtimi i bërë enkas për këtë problematikë. Të gjitha këto nuk janë të mjaftueshme dhe të vetëkuptueshme, sepse kanë nevojë për një qartësim. Nëse deri këtu autori ka qenë prezent si hije, këtu ai duhet të dal në dritë, të shfaqet. Ai duhet të ndërhyjë, përkatësisht të paraqes mendimin e vet lidhur me pikëpamjet për e kundër, argumentet e kundërargumentet, për karakterin e gjetjeve nga studimi. Studiuesi këtu duhet të tregojë pse qëndron pikëpamja për ose kundër, pse është i pranueshëm argumenti e jo kundër-argumenti, dhe se çka sugjerojnë gjetjet.

3. Diskutimi duhet ta prekë thelbin e problemit studimor

E lehtë është të thuhet por mjaft e vështirë të bëhet “diskutimi”, pasi që ai duhet të prekë thelbin e problemit, të mendimeve, pikëpamjeve, argumenteve dhe të gjetjeve. Kjo domethënë se studiuesi duhet të shkojë përtej asaj që kanë thënë të tjerët, duhet t’i gjykojë ato, t’i vlerësojë dhe të mbajë qëndrim për secilën. Me fjalë të tjera, studiuesi duhet të bëjë një shqyrtim kritik.
Shqyrtim kritik domethënë qasje me paanshmëri, e mbështetur dhe duke kërkuar mangësi përmbajtjesore ose mungesë të dhënash lidhur me pikëpamjet për ose kundër, argumentet ose kundër argumentet.
Për fat të keq në pjesën dërrmuese të punimeve studimore mungon një qasje e këtillë kritike, një shqyrtim që hedh dritë më shumë në ato që janë thënë në nënkapitujt ose kapitujt paraprak, apo që hedhë poshtë pjesërisht ose tërësisht një pikëpamje për a kundër, një argument apo kundër-argument.
Pa fije dyshimi se është e zorshme të kritikohet mendimi i ndonjë shkencëtari, sepse në pikëpamjet e shprehura për ose kundër, ka argumentuar apo
kundërargumentuar dhe ka pas parasysh se duhet të jetë formulim i duhur, i mbështetur dhe i qëndrueshëm, sepse do të shqyrtohet në mënyrë kritike nga të tjerët dhe është munduar që ta bëjë atë që ka shkruar të parrëzueshme.

4. Shqyrtimi duhet të hedhë dritë mbi të vërtetën

Si pikënisje mund të jetë fakti se zakonisht nuk mund të jenë të vërteta njëlloj si pikëpamja për ashtu edhe pikëpamja kundër, si argumenti ashtu edhe kundër-argumenti. Sidomos në kontekstin kur secila syresh, si pikëpamja për ashtu edhe ajo kundër, si argumenti edhe kundër-argumenti pretendojnë të jenë të vërteta, gjë që nuk mund të jenë të vërteta që të dyja, por njëra nga to. Nuk domethënë se vetëm pikëpamja për mund të jetë e vërtetë, po aq ka gjasa të jetë e tillë edhe pikëpamja kundër; dhe e njëjta vlen për argumentin dhe kundër-argumentin. Studiuesi është ai i cili, në kontekstin e studimit të tij, duhet të mbajë anë, të përcaktohet për vërtetësinë e njërës ose tjetrës.
E për ta bërë këtë, kërkohet një shoshitje rrënjësore e kuptimit, e referencës se pikëpamjes për dhe kundër, e argumentit dhe e kundër-argumentit, të shihet fuqia e mbështetjes dhe qëndrueshmëria ose jo e saj. Kjo kërkon që studiuesi të jetë aktiv, të jetë pjesëmarrës dhe të debatojë me studiues të tjerë.
Një shqyrtim i këtillë, sigurisht, i tejkalon caqet deskriptive. Nëse, fjala vjen, në nënkapitujt/ kapitujt paraprak mund të bëjë punë deskriptivizmi, te nënkapitulli/kapitulli i diskutimit, ai të lë në baltë. Diskutimi kërkon me domosdoshmëri të ndryshohet qasja, të përdoren të tjera teknika dhe tjera instrumente shqyrtimi, gjykimi e vlerësimi. Pikërisht kjo mungon në shumicën e rasteve në punimet studimore në nivele të ndryshme.

5. Duhen bërë publike gjetjet nga shqyrtimi kritik pa hezitim

Mendimi kritik sugjeron se duhet trajtuar në mënyrë jodiskriminuese si pikëpamjet për ashtu edhe ato kundër, si argumentet ashtu edhe kundër-argumentet, si faktet edhe kundërfaktet.
Qasja kritike nuk është qëndrim negativ, mohues, sulmues. Qasja kritike është, dhe duhet të jetë,shqyrtim i paanshëm dhe objektiv. Ai është shqyrtim për të parë gjendjen reale të një pikëpamjeje, të një argumenti apo të fakteve dhe të kundërtat e tyre, duke mos u nisur nga paragjykime apo anime paraprakisht të përcaktuara.
Nga gjetjet që bëhen përmes shqyrtimit kritik duhet të rrjedhë qëndrimi për pikëpamjen për ose kundër, për argumentin ose kundër-argumentin, për faktin ose kundërfaktin.
Le të supozohet se shqyrtimi kritik gjen mangësi në pikëpamjen për, e cila, për shembull, duket bombastike, e formuluar mirë, por referenca e saj nuk ka qëndrueshmëri ose është jo ajo e pretenduara. Atëherë, këto gjetje me korrektësi duhet t’i paraqesë studiuesi në “diskutim”.
E në anën tjetër, le të supozohet se shqyrtimi kritik nuk gjen mangësi në pikëpamjen kundër, e cila, teorikisht mund të mos duket shumë shkëlqyese por referenca e saj tregohet e qëndrueshme dhe mund të identifikohet qartë. Atëherë, këto gjetje me korrektësi duhet po ashtu t’i paraqesë studiuesi në “diskutim”.
E njëjta gjë vlen edhe lidhur me argumentin dhe kundër-argumentin, për faktin apo kundërfaktin. Ato duhet shqyrtuar ashtu që të jetë si një testim i qëndrueshmërisë së tyre, i konsistencës logjike, i koherencës përmbajtjesore dhe i përputhshëm me referencën. Po qe se hetohet ndonjë mangësi, ndonjë e metë, diçka që nuk shkon, atëherë këtë duhet ta tregojë atë studiuesi.

6. Shqyrtimi kritik ndihmon për ta shquar gjendjen reale

Po e ilustroj qasjen kritike me llupën.
Le të supozohet se një periudhë është e shkruar me shkronja të vogla, dhe mund të duket si krejt në rregull.
Për shkak të shkronjave të vogla, me shikim të rëndomtë periudha në fjalë lexohet me vështirësi. Mund të ketë, por të mos shquhen qartë, presja, pikëpresja apo pika. Për më tepër, mund të mos lexohet ndonjë fjalë, apo ndonjë shifër. E tërë kjo, mund ta krijojë perceptimin se periudha është në rregull gramatikisht. (Aludimi është te sypriniteti i qasjes deskriptive.)
Por perceptimi do të ndryshojë po qe se përdoret llupa. Atëherë, ajo që nuk dukej qartë ose ishte e padukshme për shkak të vogëlsisë, shfaqet e lexueshme dhe ne mund të shquajmë nëse periudha është e thurur mirë, nëse kuptimi është i shprehur qartë, a ka presje, pikëpresje apo shenja të tjera pikësimi dhe a janë të vendosura ku duhet e si duhet etj.
Qasja kritike përmes shqyrtimit kritik duhet të jetë si llupa. Ai duhet t’i shohë si pikëpamjen për ashtu edhe atë kundër, si argumentin ashtu edhe kundër-argumentin, si faktet ashtu edhe kundërfaktet, ashtu sikurse janë, domethënë të shquajë ato që nuk mund të hetohen pa “llupën”, pa depërtuar në përmbajtjen e gjithsecilës, dhe pa shquar, nëse ka, defekte ose paqëndrueshmëri. Shqyrtimi kritik, në një diskutim, është një instrument ndihmës përmes të cilit synohet të hetohen dobësitë se cilës apo forcën e secilës, ashtu sikurse është realisht, dhe jo ashtu sikurse pretendon njëra apo tjetra, apo sikurse duket njëra apo tjetra. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK),…