Ahmeti thjeshtëzon pyetjet e PISA-s: Çfarë nuk dinin nxënësit e Kosovës?
Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ETEA, në një shkrim në “Facebook” ka thjeshtëzuar detyrat në të cilat kanë dështuar nxënësit e Kosovës në testin PISA.
Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt totalitetit të analfabetizmit funksional.
“Sot dolën rezultatet e PISA-s: 85% e nxënësve kosovarë dështuan në matematikë, 84% në lexim dhe 79% në shkencë”, ka shkruar ai.
Çka nuk ditën fëmijët e Kosovës?
Shembujt që ai ka thjeshtëzuar në matematikë, lexim e shkencë:
◾️ MATEMATIKË:
Për me shku në qytet janë dy mënyra të mundshme:
– Rruga A: 30 km deri në një fshat, pastaj 40 km deri në qytet
– Rruga B: 60 km drejtpërdrejt në qytet
Cila rrugë është më e shkurtër?
Fatkeqësisht, 85% e nxënësve janë të prirur me zgjedh rrugën A sepse nuk arrijnë me kuptu që fillimisht duhet me i mbledh sa bëjnë 30+40 për me kuptu që rruga B është 10 km më e shkurtër…
◾️ LEXIM:
Lexoni tekstin: “Arta e kishte pritur gjithë javën piknikun e së dielës. Çantën e mbante afër shtratit që nga e mërkura. Kur u zgjua të dielën në mëngjes dhe e pa shiun nga dritarja, çantën e futi përsëri në dollap”.
Pse Arta e futi çantën përsëri në dollap?
Fatkeqësisht, 84% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që Artës ia prishi shiu planet për piknik…
◾️ SHKENCË:
Dy peshqirë të njëjtë lagen me të njëjtën sasi uji. Njëri shtrihet, tjetri lihet i palosur. Pas dy orësh, peshqiri i shtrirë është i terur, ndërsa i palosuri jo, pse?
Fatkeqësisht, 79% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që peshqiri i shtrirë ka më shumë sipërfaqe në kontakt me ajrin dhe rrjedhimisht uji avullon më shpejt…



