Ministria e Drejtësisë nis hartimin e strategjisë së re kundër dhunës
Në Ministrinë e Drejtësisë është mbajtur mbledhja e parë e grupit punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031.
Koordinatorja kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, Donika Gërvalla, ka thënë se strategjia e re duhet të jetë më e guximshme dhe të adresojë sfidat konkrete në parandalimin dhe luftimin e dhunës.
“Për strategjinë 2027–2031 duhet të jemi të guximshëm. Duhet të adresojmë tema që sot mund të na duken të vështira”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar kontributin e shoqërisë civile, organizatave dhe individëve që, sipas saj, për vite me radhë kanë kërkuar trajtimin e dhunës me seriozitet nga institucionet.
Gërvalla ka thënë se përvoja në luftimin e dhunës në familje ka treguar se krijimi i mekanizmave parandalues, mbrojtës dhe ndëshkues jep rezultate.
Ajo ka theksuar se rritja e numrit të rasteve të raportuara nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të dhunës, por mund të jetë edhe rezultat i ndërgjegjësimit më të madh, fushatave dhe angazhimit të institucioneve, në mënyrë që viktimat të kenë më shumë besim dhe guxim për të raportuar.
“Puna në këtë fushë nuk prek vetëm gratë. Ajo prek fëmijët, familjet dhe shoqërinë në tërësi. Prandaj, qasja jonë duhet të jetë më e gjerë, më gjithëpërfshirëse dhe e fokusuar në mbrojtjen e çdo personi që preket nga dhuna”, është shprehur ajo.
Sipas Gërvallës, dhuna është problem ndërkombëtar dhe jo fenomen vetëm i Kosovës apo i shqiptarëve, por përgjegjësia e institucioneve është që të përdorin të gjithë mekanizmat në dispozicion për ta luftuar atë.
Në takimin e parë të grupit punues janë diskutuar gjetjet nga analiza e strategjisë aktuale, si dhe objektivat strategjike dhe specifike që pritet të përfshihen në strategjinë e re.
Gërvalla ka thënë se puna do të vazhdojë në takimet e ardhshme, me synimin që Strategjia Kombëtare 2027–2031 të mos mbetet vetëm dokument me objektiva, por të sjellë hapa konkretë për parandalimin, mbrojtjen dhe luftimin e dhunës.



