Aktakuzë për tenderin 385 mijë euro të “Ekoregjionit”, dyshohet se buxheti u dëmtua mbi 233 mijë euro
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave dhe kompanisë “D.C & E” SH.P.K. për disa vepra penale që lidhen me një tender publik.
Të akuzuarit janë B.Sh., ish-kryeshef i KRM “Ekoregjioni”, zyrtari i kësaj kompanie A.G. dhe R.Z.
Sipas aktakuzës, B.Sh. dhe A.G. dyshohet se tejkaluan kompetencat zyrtare për t’i mundësuar kompanisë së akuzuar fitimin e tenderit për furnizimin me kamionë kompaktorë dhe autobusë.
Tenderi kishte vlerë 385 mijë e 500 euro, ndërsa buxheti i “Ekoregjionit” dyshohet se u dëmtua për 233 mijë e 685 euro.
R.Z. akuzohet se ua pagoi B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë Kosovës, me qëllim koordinimin e veprimeve dhe ndikimin në dhënien e tenderit.
Sipas Prokurorisë, specifikat teknike të tenderit ishin përshtatur pas një marrëveshjeje të kundërligjshme ndërmjet të pandehurve.
Aktakuza përfshin edhe veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve.



