21 vjet nga ideali i pathyeshëm i heroit të UÇK-së Malush Ahmeti

15 maj 2020 | 14:26

Shkruan: Milaim Ahmeti

(Në përkujtim të jetës dhe veprës të Komandant Malush Ahmetit)

Malushi u rrit në një familje më formim kombëtar, e cila për bazë kishte ndjenjën e pa shterur të patriotizmit dhe luftës për liri, familje e cila nxori çdo herë nga gjiri i saj djem që dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për Lirinë e Kosovës. Malush Ahmeti u lind me 16 nëntor 1951 në fshatin Rezallë të komunës së Skenderajt, shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Skenderaj. Pas mbarimit të shkollës së mesme punësohet në Ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”, ku punon deri në hyrjen e masave të dhunshme të armikut në vitin 1990. Pas vitit 1990 si shumë shqiptarë të tjerë edhe Malushi bëri orvatje për t’i siguruar mbijetesën familjes, duke e parë së mbijetesa sigurohet por edhe jetesa e mirë mund të bëhet siç e bënin disa servil të pushtuesit, ai vlerësoj diçka me shumë çlirimin e vendit të tij duke mos lejuar te jetohet populli i robëruar.

Malushi qysh në vitet 1991-1992 e dinte se çlirimtaret gjithmonë do kenë mungesë armët dhe fillon të prodhoj disa lloje të armëve artizanale, por armiku, si çdo herë me mbështetje të servileve shqipfolës e dikton dhe pas disa viteve përcjellje e rrethojnë dhe ja marrin të gjitha mjetet e punës dhe armatimin, por fati deshi që atë moment Malushi nuk ishte në shtëpi dhe se i gjallë kurrë nuk do të dorëzohej regjimit serbë.

Veprimet e lëvizjet e Malushit karakterizoheshin nga një thjeshtësi e natyrshme, ishte i motivuar për tu organizuar në mbrojtje te atdheut dhe për të larguar okupatorin serb nga Kosova, ai prapë filloj me prodhimin e armëve dhe me të dalë në skenë UÇK-ja Malushin e gjënë të përgatitur me gjithë atë armatim që kishte jo vetëm për vete, por edhe për shokët e tij, Malushi ishte njëri ndër ushtarët e parë në fshatin Rezallë që ju bashkua Komandantit Legjendar Adem Jashari i cili i tregoj botës mbarë, se këtu behet luftë, dhe ky popull donë lirin e vendit të tij.

Për trima ka shumë e shumë vargje qe i kanë përshkruar shkrimtarët në letër, se në realitet historinë e shkruajnë trimat e përshkruajnë të tjerët. Pasi osmanlinjtë e zunë në pabesi udhëheqësin ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshin, e dënuan me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit ushtarak të Prizrenit e pyeti:
-Ke gjë për të thënë; Sulejman Vokshi, duke shikuar me përbuzje i tha:
-Po, kam. Mua mund të më vrisni e të më varni, se unë, një jam, por malet e Shqipërisë, ku luftojnë trimat për liri, as nuk mund t’i varni e as t’i vrisni kurrë.

Komandanti Legjendar, nuk ishte vetëm, por si legjendë mbeti i tillë, se legjendat janë një dhe te pa përsëritur ne histori. Ai, la trimat pas ne malet e Kosovës, duke vazhdua rrugëtimin e tij.

Malushi ishte një trim i pathyeshëm në luftë i cili tregoj guxim të madh duke marrë pjesë në shumë beteja jo vetëm në Rezallë, por edhe në vende tjera të Kosovës si: Jashanicë, Shalë, Kiev, Llapushnik, Klinë, Qubrel dhe në shumë beteja tjera ku shumë shpejt u dallua dhe mori Gradën Epror i Lartë i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës dhe Komandant i Njësisë Punuese.

Më 11 shator 1998 armiku filloj një ofensivë shumë të madhe me një kontingjent të madh të tankeve, mirëpo në fshatin Morinë hasin në një rezistencë mjaftë të madhe nga forcat e UÇK-së të udhëhequr nga Komandant Malush Ahmeti me bashkëluftëtar të cilët me një sulm të furishëm i zmbrapsën forcat serbe duke mos lejuar depërtimin në fshatin Morinë për në Rezallë. Ne këtë betejë Malushi u tregua shumë strateg dhe shumë i guximshëm për ta mbrojtur tokën e Kosovës, i cili sipas nevojës herë me top e herë duke përdorur armë të tjera, gjuante forcat serbe duke u shkaktuar humbje të mëdha si në njerëz po ashtu edhe në teknik ushtarake, ne ketë betejë u zhvilluan shumë luftime të rrepta dhe në distanca të afërta deri në 20 metra.

Është fakt se nuk ndeshet asnjë shembull tjetër në histori për të bëmat e armiqve më të përbetuar, të cilët kishin derdhur gjak të pafajshëm, të cilët nuk kishin treguar mëshirë për njerëzit e pambrojtur, gratë, pleqtë e fëmijë, të cilët armiq ishin përpjekur në kulm për ta vrarë jetën në Kosovë.

Malushi gjatë këtyre luftimeve mori një lajm shumë te dhimbshëm dhe tronditës për vrasjen e djalit Leotrimit 7 vjeçar si dhe plagosjen e shumë anëtareve të familjes, por prapë Malushi nuk e ndali asnjë çast luftën për Lirinë e Kosovës, madje pas këtij lajmi të hidhur tha: “EDHE NËSE TË GJITHË VDESIM PËR LIRI PRAPË ËSHTË PAK,  PUSHKA IME DHE E FAMILJES TIME NUK DO TË NDALET DERI NË VDEKJE”.

Malushi gjatë varrimit ishte i mërzitur sepse po luftonte qe brezat e ri të jetojnë të lirë dhe të lumtur në Kosovën tonë të dashur dhe Leotrimi nuk e pati një fat të tillë, Malushi tha: “Biri im i lehtë të qoftë dheu i Kosovës nënë, do të luftoj deri në vdekje vetëm për një qëllim që të mos jemi të robëruar, fëmijët tanë do të jetojnë si ideal i yni i lirisë për të cilën po luftojmë”.

Me 15 maj 1999 ne orët e para të mëngjesit forcat paramilitare dhe ushtria serbe ia mësyn Rezallës, nga të gjitha anët dhe filluan granatimet në mënyrë që të kenë më lehtë të hyjnë në fshat duke pasur parasysh humbjet e mëdha që i kanë pësuar aty.

Malushi me bashkëluftëtar dhe me familjarët e vetë i doli në pritë armikut, ai luftoi me tërë potencialin që kishte pa luajtur prej istikamit deri në frymën e fundit, sy pa trembur deri ne rënien në altarin e lirisë, siç i ka hije një dëshmori dhe siç na i kujton fjalët e tij: “Për tokën time të larë me gjak – jetën do ta japë, dhe me dukët pak”.

Rënia heroike e Eprorit dhe Komandantit të UÇK-së Malush Ahmeti ishte një humbje e madhe dhe një grusht i rënd për luftëtarët e Lirisë, e që nga momenti i vrasjes rezistenca veç u vështirësua, mirëpo prapë luftëtarët e Rezallës nuk harruan amanetin e Malushit për të mos e lënë armikun që të shkel lirshëm truallin tonë filluan t’i minojnë rrugët natën e t’i shikonin gjatë ditës duke i lënë kockat armiku.

Paramilitar, ushtar dhe policë serbe ishin të vendosur në shtëpinë e Malushit, ata gjatë tërheqjes nga fshati duke e ditur se këta djem që po ju shkaktojnë humbje të mëdha janë bashkëluftëtar të Malushit dhe janë duke e mbajtur amanetin e tij, si hakmarrje e minuan shtëpinë ku e rrënuan deri në themel, mirëpo gabuan sepse themelet e lirisë nuk munden t’i rrënojnë, themele të cilat i ndërtoi Malushi me familje dhe me bashkëluftëtarë.

Po ju kthehem edhe njëherë historisë, ditën kur ka ra Malush Ahmeti në altarin e lirisë, ka qenë 100 vjetori i Lidhjes së Pejës! A thua do ta mendonin themeluesit e Lidhjes se Pejës se edhe mbas 100 vitesh djemtë si Malushi dhe qindra dëshmorë tjerë të Kosovës do te ishin akoma duke luftuar për liri!

Ne përjetësisht do të kujtojmë kush ishte Malushi dhe Dëshmorët e tjerë dhe çka nënkuptojnë ata për jetën tonë në liri. Jeta dhe vepra e Malushit ishte vetë jeta e Popullit të Kosovës, është çlirimi, liria dhe Pavarësia e Kosovës. Një popull që i përkujton dëshmorët, historia nuk i përsëritet.

Lavdi e përjetshme Heroit Malush Ahmeti, prehu në paqe Heroi ynë!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se kryeministri në…