24 vjet më parë regjimi serb iku nga Kosova, mori me vete mbi 1 000 pengje shqiptare

09 qershor 2023 | 14:39

Shkruan: Sadik Zeqiri

Sot, më 9 qershor 2023, bëhen 24 vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kjo marrëveshje është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë.

Me këtë marrëveshje Serbia është detyruar t’i tërheqë të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare, përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, gardën kombëtare, policinë kufitare, rezervistët, policinë ushtarake, shërbimet informative, MUP-in, policinë lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup të përcaktuar kështu nga KFOR-i.

Po ashtu, u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës si dhe u caktua një zonë prej 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendoste armatime të rënda dhe ushtri, përveç ushtarët kufitarë.

Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës Serbe, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, më pas i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Por çfarë ndodhi me ish-të burgosurit të cilët mbaheshin nëpër burgjet e Kosovës?

Ishte data 9 qershor kur në dhomën nr. 2 në katin e parë të Pavijonit B, në Burgun e Lipjanit, hyri një gardian serb që ditë më parë na kishte treguar se është nga qyteti i Leskovcit. Ai na urdhëroi që t’i dorëzonim gjësendet që i kishim të fshehura nëpër rrobat tona. Ne që ishim të burgosur të vjetër, nuk kishim as lidhëse të këpucëve, ndërsa një grup prej 150 të burgosurve shqiptarë nga Gjakova, të cilët i kishin arrestuar në maj të vitit 1999, kishin deviza (marka) me vete. Urdhri ishte i prerë nga gardiani: Çka të keni të fshehura t’i hidhni në kapelën e një të burgosurit të Gjakovës, në kapelën e Mehdi Ferizit. Ne në dhomë ishim nja 30 të burgosur, pesë nga ne ishim me një stazh më të gjatë në burgje dhe, siç tregova më lart, nuk kishim asnjë kacidhe, ndërsa grupi i të burgosurve gjakovarë nga frika filluan t’i dorëzojnë markat. Aty u dorëzuan mbi 10 mijë marka gjermane, aq sa kishin. Kur hyri gardiani në dhomë për të shikuar se a e kemi zbatuar urdhrin e tij, nga gëzimi që pa shumë marka në tokë (kapela ishte mbushur plot marka), filloi t’i mbushë xhepat me marka dhe na urdhëroi të dalim të pimë ujë, edhe pse nuk kishim kërkuar ujë. Sa herë kërkonin të dilnim për të pirë ujë ose për të shkuar në WC, na rrihnin gardianët, kështu që, edhe pse kishim nevoja fiziologjike dhe etje, duronin shumë që të mos dilnim.

Ne dolëm jashtë në korridor, aty ku gardiani i “pasur” tanimë, na dha lajmin se po ndalet lufta sepse po bëhet një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë. Ne ishim të befasuar me këtë informatë dhe nuk dinim a të besonim apo jo, megjithatë filluam të besojmë sepse gardiani nuk kishte arsye të na jepte atë lajm të gëzuar. Ne aty vetëm rrahje, dhunë e maltretime kishim çdo ditë. Pasi i kthyen në dhomën tonë të vogël 30 të burgosur, u afrova te dritarja dhe pashë që në pavijonin tjetër përballë nesh kishte edhe të burgosur të tjerë shqiptarë që pritnin ndonjë lajm nga të burgosurit ordinerë të cilët punonin nëpër oborrin e burgut etj. Unë e hapa dritaren dhe komunikova me Demir Limën në distancë me zë të vogël, mjaftueshëm sa për ta dëgjuar informatën time. I thashë: “Gardiani na tha po mbaron lufta. Ishte arritur një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë”. Demiri ua komunikoi informatën shokëve në dhomë, më pas informata mori dheun, u përhap nëpër të gjitha dhomat e burgut. Më vonë një i burgosur kishte kërkuar të shkonte në banjë. Ai ishte në katin e dytë në pavijonin përballë nesh. E hapi dritaren e banjës, na dha edhe ai lajmin që ishte përhapur, megjithatë lajmi burimin e kishte nga dhoma nr. 2.

Kushtet në burgun e Lipjanit

Ajo ditë deri në mbrëmje ishte e qetë. Nuk na rrahu askush. U bë ora e pasdites dhe u ndërruan gardianët. Iku edhe gardiani i “pasur”, erdhën të tjerët. Pas mesnatës hyri dhunshëm nëpër dhoma një grup i gardianëve dhe na morën  dy të burgosur, mua dhe Agron Sylën, na i lidhën duart me konop dhe na qitën jashtë dhomës për të na dërguar në pavijonin tjetër. Gjatë rrugës na rrahën sa mundën. Kjo ishte rrahja e fundit që përjetova në Burgun e Lipjanit. Ata na dërguan në një dhomë sepse kishin filluar t’i bënin listat për të na transferuar dhe një autobus kishte vend edhe për ty të burgosur. Kur na kanë larguar nga dhoma ishin dëgjuar dy krisma pushkësh dhe shokët e dhomës kishin menduar që na kanë vrarë, ashtu na thanë kur i takuam në Burgun e Nishit.

Në dhomën që na futën i pamë të gjithë të burgosurit me duar të lidhura pas shpinës. As ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Mendonim se nëse ka zhvillime pozitive na largojnë nga Kosova e na dërgojnë në Shqipëri. Thoshin që më Dubrava nuk përsëritet, se tanimë Serbia s’ka çka të na bëjë më shumë dëme.

21 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake të Serbisë nga Kosova - Gazeta Express

U bë mëngjes. Na urdhëruan ashtu dy nga dy të dilnim nga dhomat e burgut. Gardianët kishin bërë një kordon të zakonshëm. Nuk na rrahën, vetëm na urdhëruan që me kokë poshtë e me duar pas shpinës të vraponim për në autobusë. Një djalë që ishim bashkë të lidhur më tha se po na dërgojnë për Shqipëri. E ngrita kokën pak dhe pashë që në autobusë shkruante “Llasta” dhe “Express”.

Kishin tabela të Nishit e Beogradit. Nuk ia prisha dëshirën bashkëvuajtësit tim, por realiteti që po ndodhte ishte tjetër. Na hipën në autobus, ndërsa para dyerve të Burgut të Lipjanit, jashtë rrethojës, përpos plot autobus, pamë edhe shumë ushtarë e mjete motorike të cilët dukeshin që po niseshin për ndonjë rrugë të gjatë. Ashtu ndodhi. U nisën autobusët dhe në mes të çdo autobusi, edhe nga një automjet ushtrie.

Autobusi mori rrugën për Prishtinë. Aty e kuptuam që po na dërgojnë për Serbi. Gjatë gjithë rrugës kishte traktorë, vetura, kamionë, autobusë, tanke e mjete të tjera të cilët i kishim mbushur me plaçka të shqiptarëve dhe po e lëshonin Kosovën e bashkë me ta edhe në pengjet e luftës e lëshonim Kosovën jo me dëshirën tonë, për t’u kthyer pas dy e më shumë vjetësh prapë në vendlindjen tonë, në Kosovën e çliruar.

Në Burgun e Lipjanit ishim të gjithë ish-të burgosurit që kishim përjetuar masakrën e Dubravës, por kishte edhe të tjerë të burgosur që i kishin arrestuar pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi.

 (Autori është ish-ushtar i UÇK-së, ish-i burgosur, i mbijetuar i masakrës së Dubravës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Paternalizmi i domosdoshëm e jo…