
24 vjet nga ekstradimi i Millosheviqit në Hagë
24 vjet më parë, më 28 qershor 2001, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili njihet edhe si kasapi i Ballkanit, u ekstradua në Hagë pasi më 27 maj 1999 u bë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë. Më vonë Millosheviqi u akuzua për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë. Ekstradimi i tij ishte bërë me urdhër të qeverisë serbe.
Millosheviqi ishte arrestuar në Beograd më 1 prill 2001, pas një përleshjeje të armatosur 36-orëshe midis policisë dhe truprojave në vilën e tij në Beograd. Ish-presidenti i Serbisë akuzohej për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, transmeton Klankosova.tv.
Ndryshe, gjykimi ndaj Millosheviqit në Hagë nisi rreth një vit më pas, më 12 shkurt 2002. Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë zgjati deri më 25 shkurt 2004. Mbrojtja e tij nisi në fund të gushtit të 2004-ës.
Por, procesi gjyqësor ndaj Millosheviqit ishte ndërprerë dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare që ai kishte dhe tensionit të lartë të gjakut. ‘Kasapi i Ballkanit’ kishte deklaruar se nuk ishte në gjendje të vazhdonte marrjen e dëshmitarëve në pyetje, ndërsa iu kishte refuzuar edhe kërkesa për shërim në Rusi.
Më 11 mars të vitit 2006 në ora 9:30, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Ai vdiq para përfundimit të gjyqit.