25 Maji, çdo vit në mbarë botën shënohet si Dita Botërore e Tiroides

26 maj 2023 | 18:24

25 Maji, çdo vit në mbarë botën shënohet si Dita Botërore e Tiroides. Kjo ditë e veçantë festohet për të ngritur vetëdijen lidhur me sëmundjet e gjëndrës tiroide.

Çfarë është gjëndra tiroide?

Gjëndra tiroide është organ në formë të fluturës e vendosur në qafë që prodhon hormone tiroide të cilat ndihmojnë trupin të përdorë energjinë, të qëndrojë i ngrohtë dhe mundësojnë funksionin normal të trurit, zemrës, muskujve dhe organeve të tjera.

Hipotiroidizmi

Çfarë është hipotiroidizmi?
Hipotiroidizmi i referohet çdo gjendjeje në të cilën gjëndra tiroide nuk mund të prodhojë mjaftueshëm hormone tiroide për të mundësuar funksionimin normal të trupit.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?
Nëse vëreni se ndjeni më shumë të ftohtë, lodheni më lehtë, lëkura juaj është e thatë, keni probleme me kapsllëk, ngërçe muskulore ose shtim në peshë, po bëheni harrestarë apo keni çrregullim të humorit. Disa pacientë kanë një ënjtje në pjesën e përparme të qafës për shkak të zmadhimit të tiroides.
Për shkak se simptomat janë kaq të ndryshueshme dhe jo specifike, mënyra e vetme për të ditur me siguri nëse keni hipotiroidizmi është me një analizë të thjeshtë gjaku për TSH, T3 dhe T4.

Informoni të tjerët!
Hipotiroidizmi shpesh shfaqet në familje, ju duhet t’ua shpjegoni hipotiroidizmin të afërmve tuaj dhe t’i inkurajoni që të bëjnë testet periodike të TSH-së.
Tregojuni mjekëve tuaj të tjerë dhe farmacistit për hipotiroidizmin tuaj, barin dhe dozën me të cilën jeni duke u trajtuar.

Çfarë mund të pritni afatgjatë?
Nëse ju i merrni tabletat çdo ditë dhe bashkëpunoni me mjekun tuaj simptomat tuaja duhet të zhduken dhe efektet serioze të hormonit të ulët të tiroides duhet të përmirësohen. Nëse e mbani të kontrolluar mirë hipotiroidizmin, ai nuk do të ndikojë në jetëgjatësinë tuaj.

Hipertiroidizmi

Çfarë është hipertiroidizmi?
Hipertiroidizmi i referohet çdo gjendjeje në të cilën prodhohen më shumë hormone tiroide se sa vlerat normale.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?
Nëse vëreni humbje të shpejtë të peshës, nervozizëm, djersitje e shtuar,rrahje të shpejta të zemrës, dridhje duarsh, ankth, vështirësi për të fjetur, rritje të lëvizjeve të zorrëve, flokë të brishtë dhe dobësi muskulare veçanërisht në pjesën e sipërme të krahëve dhe kofshëve atëherë kërkoni ndihmë mjekësore. Në sëmundjen e Graves, mund të ndodhë një enjëtje e njërit ose të dy syve.

Hipotiroidizmi

Hipotiroidizmi i referohet gjëndrës tiroide që nuk prodhon mjaftueshëm hormone të caktuara për të përmbushur nevojat e trupit. Trajtimi zakonisht përfshin marrjen e terapisë zëvendësuese të hormoneve tiroide.

Ushqimet që rekomandohen:

Nuk ka një dietë magjike për të ngrënë kur keni hipotiroidizëm, por disa ushqime mund t’ju ndihmojnë. Gjendja e tiroides dhe shëndeti juaj janë individuale, prandaj sigurohuni që të flisni me mjekun tuaj ose një dietolog për të gjetur një plan ushqimor që funksionon për ju.

Ushqimet që përmbajnë disa lëndë ushqyese, si jod, selen dhe zink, mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të shëndetshëm të tiroides.
Ushqimet e pasura me jod përfshijnë: djath, qumësht, kripë gjelle e jodizuar, peshk deti, vezë
Ushqimet e pasura me selen përfshijnë: mish viçi, gjeldeti, pulë, proshutë, vezë, bollgur
Ushqimet e pasura me zink përfshijnë: mish viçi, gaforre, mish pule, fara kungulli, kos

Ushqimet që duhen shmangur:
Disa ushqime mund të ndikojnë negativisht në funksionin e tiroides dhe të përkeqësojnë simptomat e hipotiroidizmit.

Ushqimet me Goitrogjene
Disa ushqime të tjera ushqyese përmbajnë goitrogjene, përbërës që mund të pengojnë tiroiden tuaj të funksionojë siç duhet. Gatimi duket se zvogëlon efektin dhe shumë ushqime me goitrogjene mund dhe duhet të jenë pjesë e një diete të shëndetshme. Megjithatë, disa kërkime sugjerojnë se ngrënia e këtyre ushqimeve në sasi të mëdha mund të shkaktojë probleme me tiroiden, veçanërisht nëse nuk merrni mjaftueshëm jod:
Perime të gjelbra, duke përfshirë: brokoli, lulelakra, lakër
Soja dhe produktet e saj
Gluteni
Ushqimet e përpunuara: ushqim i shpejtë, ëmbëlsirat, pijet energjike
Reduktimi i marrjes së ushqimeve ultra të përpunuara dhe sheqernave të shtuara mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave, menaxhimin e peshës dhe rritjen e mirëqenies së përgjithshme.

Disa ushqime dhe suplemente mund të ndërhyjnë në mënyrën se si trupi absorbon ilaçet zëvendësuese të tiroides, kështu që kufizimi i tyre mund të ndihmojë gjithashtu.
Është e rëndësishme të merrni ilaçe për tiroide me stomakun bosh, në mënyrë që trupi të mund ta përthithë plotësisht atë. Merrni atë të paktën 30–60 minuta para mëngjesit ose të paktën 3–4 orë pas darkës.
Shmangni marrjen e hormonit të tiroides në të njëjtën kohë me: arra, suplemente hekuri ose multivitamina që përmbajnë hekur ose kalcium, antacidet që përmbajnë alumin, magnez ose kalcium.

Hipertiroidizmi

Hipertiroidizmi është një gjendje në të cilën gjëndra tiroide është tepër aktive dhe prodhon hormon të tepërt të tiroides. Pacientët duhet të ndjekin planin e tyre të trajtimit dhe çdo rekomandim dietik nga mjeku i tyre.
Ngrënia e disa ushqimeve nuk do të shërojë hipertiroidizmin, mirëpo ndryshimi i dietës mund të përmirësojë simptomat e hipertiroidizmit.

Ushqimet që rekomandohen:

Disa perime përmbajnë përbërës që mund të ulin prodhimin e hormoneve të tiroides dhe mund të zvogëlojnë marrjen e jodit nga tiroidja.

Perimet e gjelbra përfshijnë: lakra, zarzavate, rrepa, lulelakra
Ushqimet e pasura me selen përfshijnë: makarona dhe drithëra të fortifikuara, oriz, të bardhat e vezëve, fasule të pjekura, spinaq
Ushqimet që përmbajnë hekur: drithëra të fortifikuara, rrush të thatë, çokollate e zezë, mish viçi, pule, spinaq
Ushqimet që përmbajnë kalcium dhe vitaminë D sepse hipertiroidizmi mund të shkaktojë probleme me densitetin mineral të kockave.

Ushqimet që duhen shmangur:

Ushqimet e pasura me jod mund ta përkeqësojnë hipertiroidizmin duke çuar gjëndrën tiroide të prodhojë shumë hormone tiroide. Ndërsa kafeina mund të përkeqësojë disa simptoma të hipertiroidizmit, duke përfshirë rrahjet e shpeshta të zemrës, dridhjet, ankthin dhe pagjumësinë.
Një person me hipertiroidizëm duhet të shmangë ngrënien e sasive të tepërta të ushqimeve të pasura me jod, të tilla si: kripë e jodizuar, peshk, produktet e qumështit, të verdhat e vezëve.

Pijet me kafeinë: kafe e zakonshme, çaj i zi, cokollate, pije energjike
Soja Gluteni.

Dr. Edita Blakaj – Shala
Specialiste e Endokrinologjisë pranë spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar në lidhje me…