
25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit
Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu një ndër luftëtarët e para të UÇK-së.
Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.
Bashkë me ta ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë.
Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit më pas ka mbajtur kjo brigadë.
Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci dhe dëshmorëve të tjerë të rënë më 22 shtator të vitit 1998, sot, duke filluar nga ora 11:00, në sheshin “Fehmi Lladrovci” do të bëhen homazhe pranë shtatoreve të tyre dhe do të vendosen buqeta lulesh.
Pastaj homazhet do të vazhdojnë edhe në varrezat e dëshmorëve të fshatit Gllanasellë duke filluar nga ora 11:30./KP