
26 vjet nga rënia e Agron Rrahmanit, Kurti: Dëshmorët përbëjnë historinë e kombit
Qytetarë të shumtë, bashkëluftëtarë dhe të afërm bënë homazhe të varri i njërit nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agron Rrahmani, në 26-vjetorin e rënies së tij.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe.
Ai tha se vrasja e Agron Rrahmanit pas asaj të Bahri Fazliut, ishte një goditje e madhe për luftën çlirimtare, duke kujtuar se të dy kishin qenë bashkë në burg gjatë viteve ’89-’90 dhe më vonë u bashkuan në organizimin e UÇK-së.
“Pesë ditë pas vrasjes së Bahri Fazliut është vrarë edhe Agron Rrahmani. Këto dy vrasje të heronjve tanë, të luftëtarëve të paepur të njerëzve aq të dashur, kanë qenë goditje shumë të mëdha për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Agron Rrahmani ka pasur edhe të njëjtën moshë me Bahri Fazliun. Gjatë viteve ‘89-‘90 kanë qenë të dy në burg në kohën e demonstratave dhe më pastaj janë organizuar bashkërisht me UÇK-në. Agron Rrahmani dhe të gjithë dëshmorët e kombit e përbëjnë historinë e kombit”, ka thënë Kurti.
Agron Rrahmani ka rënë gjatë luftimeve të zhvilluara kundër policisë serbe në mëngjesin e 12 majit të vitit 1998 në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.