28 Nëntori bashkon shqiptarët  

28 nëntor 2020 | 08:09

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe krijimi i Qeverisë së Vlorës ishte një fitore e përbashkët e popullit shqiptar që kishte luftuar pandërprerë ndër shekuj kundër sunduesve të ndryshëm.

Populli shqiptar më 28 nëntor 1912 arriti ta krijojë të drejtën e tij të pamohueshme, për të pasur liri të plotë dhe sovranitet politik në të gjitha trojet e veta etnike, si të gjithë kombet e civilizuar në mbarë hapësirën e botës, raporton “Epoka e re”.

28 nëntori që nga paslufta festohet edhe në Kosovë. Por kjo datë nuk simbolizon vetëm pavarësinë e Shqipërisë. Që nga viti 1997 kjo datë ka hyrë edhe në historinë më të re të Kosovës.

Pikërisht më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili u vra nga forcat serbe, doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

28 nëntori, po ashtu, shënon edhe ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Pavarësisht, masave kundër Covid-19, të premten është parë numër i madh i qytetarëve duke shëtitur rrugëve të Prishtinës. Një mundësi e mirë ishte edhe për shitësit në rrugë që të shesin flamuj e zbukurime tjera me shqiponjën dykrerëshe.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, me rastin e festës së 28 Nëntorit, ka uruar shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ata jetojnë, me dëshirën që të kenë vullnetin e duhur që ta shfrytëzojnë lirinë për t’i zhvilluar shtetet tona dhe për ta ndërtuar të ardhmen e kombit së bashku.

“Kjo datë e rëndësishme e historisë sonë moderne sjell në vëmendjen tonë gjithë ata burra dhe gra të kombit që luftuan për lirinë e shqiptarëve. Pra, 28 nëntori është data që na e kujton Gjergj Kastriotin, Ismail Qemailin dhe patriotët e tjerë nëpër kohë, e deri te dalja në skenë e luftëtarëve të lirisë për Kosovën si dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari!”, ka thënë Likaj në urim.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se festa e 28 nëntorit i bashkon të gjithë shqiptarët. “Dita e Flamurit Kombëtar të shqiptarëve, flamuri që u shndërrua në simbol kombëtar që i bashkon, i prek, i gëzon dhe i mallëngjen të gjithë shqiptarët, kudo që të ndodhen të shpërndarë nëpër botë. Edhe pse nuk jemi bashkë, kjo nuk do të thotë se nuk frymojmë, mendojmë dhe punojmë bashkë për një të ardhme në të cilën të gjithë do të jemi qytetarë të një familjeje të madhe evropiane”, ka thënë Xhaferi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot 108 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve…