3. Një ngatërresë themelore

09 korrik 10:52

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (4)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vite lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Kultura e krijuar deri tash konsiston që aspekti metodologjik të formulohet me një ose dy paragrafë, zakonisht ndër më të shkurtrit. Me këtë pretendohet se është kryer puna. Zakonisht, me nga një fjali përmenden një sërë metodash, duke thënë se me to do të realizohet studimi. Edhe kaq, sigurisht, është më mirë se sa hiç. E në të njëjtën kohë,kjo tregon se sa larg jemi nga standardet bashkëkohore të bërjes shkencë ose të realizimit të studimeve të ndryshme.

Një përkushtim më serioz shprehet kur në disa punime i kushtohet gjysmë faqe përcaktimit metodologjik. Si përpjekje, gjithsesi, është për t’u çmuar, por sapo të lexohet ajo, bie në sy cektësia ose sypriniteti, dhe hetohet mungesa e njohurive metodologjike. Të ngjanë si një detyrë që bëhet vetëm pse duhet bërë.

Një çështje më vete është fakti se hetohet edhe një ngatërresë themelore: përcaktimi i metodave hulumtuese dhe i metodologjisë. Të dyja këto, gjithsesi, janë të lidhura, por edhe dallojnë. Nuk janë identike dhe sidomos nuk janë një e njëjta gjë.

Për t’u shprehur shkurtimisht,metodat janë teknikat, mënyrat e qasjet do të përdoren si instrumente për të realizuar studimin, kurse metodologjia tregon se si do të përdoren metodat dhe sidomos do të tregojë qartë se si arrihet deri te të dhënat. Konsideroj se nevojitet një sqarim më i madh.

  1. Si mund të dimë se cilat metoda duhet të përdoren?

Shpesh harrohet se si bëhet përcaktimi i metodave të një studimi, dhe pikërisht këtu qëndron një prej gabimeve themelore në qasje.

Metodat rrjedhin ose diktohen nga qëllimi i studimit. Me fjalë të tjera, qëllimi figurativisht sugjeron edhe metodat që duhet të përdoren. Si bëhet kjo, ose si mund të kuptohet kjo?

Qëllimi shpreh atë se çfarë do të bëhet ose duhet të arrihet me studimin në fjalë. Qëllimi, për cilindo që di ta lexojë referencën e tij, sugjeron nënkuptueshëm se cila apo cilat metoda do të përdoren. Nuk mundet të jenë metodat jashtë rrezes që shpreh qëllimi; përkundrazi, ato duhet të burojnë pikërisht nga ai dhe të jenë në funksion të tij.

Për shembull, po qe se qëllimi i një studimi është analiza, atëherë kjo sugjeron se metoda kryesore që duhet të përdoret do të jetë metoda e analizës; po qe se qëllimi i studimit është gjetja e fakteve dhe të dhënave (referencave) në realitet, atëherë kjo sugjeron se metoda kryesore e hulumtimit duhet të jetë metoda empirike; po qe se qëllimi i një studimi është krahasimi midis dy teorive, dukurive, ngjarjeve, sistemeve etj.  të ndryshme, atëherë kjo sugjeron se metoda kryesore e hulumtimit duhet të jetë metoda krahasimtare.

Po ashtu, po qe se qëllimi i një studimi është gjetja e përmasës së dukurisë etj., atëherë kjo sugjeron se duhet të përdoret metoda sasiore; po qe se qëllimi është të kuptohen rastet individuale konkrete të përfshira në një dukuri të caktuara, atëherë kjo sugjeron se duhet të përdoret metoda cilësore. Po qe se qëllimi i një studimi është pikënisja nga një pikëpamje e caktuar teorike (ligj, normë etj.), atëherë kjo sugjeron se duhet të përdoret metoda deduktive etj.

Shpesh dhe zakonisht, këto janë vetëm qasjet kryesore. Një studim mund të ketë nevojë edhe për metoda të tjera që e ndihmojnë studimin. Nevoja e këtillë sugjeron ndërthurjen e metodave të ndryshme. Për shembull, një studim analitik mund të ketë nevojë për metodën statistikore, ose për metodën përshkruese, për metodën shpjeguese, për metodën normative etj. Sepse nuk mund të realizohet një studim edhe pa ndonjë metodë tjetër, e cila, në këso raste, zakonisht shërben si teknikë, dhe ka një funksion apo rol të kufizuar.

Nga dihet saktësisht se përveç metodës kryesore, ka nevojë edhe për ndonjë metodë tjetër? Përgjigja është se objektivat e shtruara, pyetjet studimore apo/dhe hipotezat mund të shprehin nënkuptueshëm ose hapur nevojën për ndonjë metodë ndihmëse.

Përveç atyre që janë thënë më parë, këtu shfaqet edhe një dimension tjetër i rëndësisë së formulimit të qartë të objektivave, pyetjeve studimore dhe hipotezave me qëllimin, se sa më mirë të jenë kalibruar këto dhe të qëndrojnë në harmoni ndërmjet vete ato do të japin edhe një ndihmesë tjetër shumë të rëndësishme: do të sugjerojnë ndonjë metodë ndihmëse, ndonjë teknikë apo instrument hulumtues.

Për të qenë shkencor të gjithë këta komponentë – tema, qëllimi, objektivi, pyetjet studimore dhe hipotezat si dhe metodat – duhet të jenë të përputhshëm dhe të përplotësojnë njëri-tjetrin, të rrjedhin nga njëri-tjetri dhe të jenë në funksion të njëri-tjetrit, për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme studimin.

  1. Metodologjia tregon se si do të përdoren metodat dhe se si do të realizohet studimi

Te pjesa ku flitet për metodologjinë është normale të tregohen metodat që do të përdoren, mirëpo kjo është vetëm një pjesë dhe nuk është e tëra. Kur me një periudhë tregohen se cilat metoda do të përdoren, ato, në të vërtetë, vetëm përmenden; gjë që mbase edhe do të mjaftonte këtu, sikurse pastaj, gjatë studimit, në secilin kapitull, të tregohej më gjerësisht se me cilën metodë është realizuar kapitulli në fjalë, por zakonisht nuk bëhet kështu. Prandaj zakonisht aspekti metodologjik është i mangët.

Metodologjia kërkon të shprehet qartë se si do të realizohet studimi me metodat e përmendura.

Fjala vjen, nuk mjafton vetëm të thuhet se do të përdoret metoda krahasuese, por duhet treguar si do të përdoret, kur do të përdoret  dhe si do të bëhet krahasimi, në cilin kapitull ose në cilat aspekte, raste etj. Po ashtu, nuk mjafton vetëm të thuhet se do të përdoret, fjala vjen, metoda analitike, por duhet të tregohet qartë në cilën pjesë do të përdoret analiza, çka synohet të arrihet me këtë metodë dhe në cilët pjesë/kapituj do të përdoret ose do të bëhet analiza.

Nuk mjafton fjala vjen të thuhet se do të përdoret metoda empirike, normative, statistikore etj., por duhet të tregohet se si do të përdoret secila metodë, në çfarë përmase do të përdoret, si do të jetë ndihmojë studimin, etj.

Kështu duhet të veprohet veç e veç për secilën metodë. Kjo duhet bërë ose në “hyrje”, aty te nënkapitulli “metodologjia”, ose duhet të tregohet te secili kapitull apo nënkapitull të studimit kur të përdoret njëra prej metodave.

Deri më tash, në të shumtën e herëve, nuk është bërë kështu. Në një farë mënyre metodologjia konsiderohet sikur të ishte pjesa më e parëndësishme. Kjo qasje duhet të ndryshohet, patjetër, sepse shpërfaq mangësinë shumë serioze të studimit.

  1. Duhen metodologë për ta ngritur standardin shkencor

Fakti se thuaja në të gjitha fakultetet dhe programet universitare mësohet lënda e metodologjisë së hulumtimit shkencor tregon se do të duhej të kishte njohuri themelore mbi metodat e ndryshme shkencore dhe atë se si duhet të përdoren ato.

E pra, ka disa arsye se përse, megjithatë, aspekti metodologjik nuk është në nivelin e duhur.

Është e ditur se ligjëruesit e lëndës së metodologjisë nuk janë metodologë. Të jesh i disiplinës nuk domethënë se je edhe metodolog.

Kur një jo-metodolog e ligjëron metodologjinë ai nuk i kushton vëmendjen e duhur pikërisht kësaj lënde, po zakonisht e shpjegon atë që e ka lexuar, ose përvojën nga studimi i vet që ka bërë dhe ka marrë titullin shkencor. Kësisoj, edhe pa dashje, mund të krijojë një perceptim se metodat janë instrumente formale e jo përcaktuese të karakterit shkencor të studimit.

Një metodolog, përkundrazi, fokusohet pikërisht te lënda e metodologjisë duke e zbërthyer atë dhe duke treguar rëndësinë e saj, si qasje që e përcakton nivelin dhe karakterin shkencor, sigurisht të lidhur me objektin e studimit.

Në anën tjetër, kushdo që ka ndjekë lëndën e metodologjisë, megjithatë, do të duhej të kishte marrë disa njohuri elementare, dhe se me rastin e përgatitje së projektit studimor do të ishte e natyrshme t’i freskonin njohuritë e tyre nga metodologjia si nevojë që të realizojnë studimin e tyre.

Ajo që shprehet lidhur metodologjinë në praktikën e tashme të punimeve tregon perceptimin për rolin e saj në realizimin e studimit. E se cili është perceptimi i tyre sot, në pjesën më të madhe, mund të kuptohet po qe se u hidhet një sy punimeve të panumërta të masterit e jo rrallë edhe të temave të doktoratës. Gjithandej shihet çalimi metodologjik, një çalim, për fat të keq, shumë i theksuar dhe që e zbeh shumë bërjen shkencë në shumicën e rasteve të punimeve të ndryshme studimore.

Kjo gjendje mbase do të duhej të alarmonte institucionet përkatëse arsimore për nevojën që të bëhet hapi tjetër: të iniciohen programe të studimeve mbi teorinë dhe metodologjinë shkencore, për të përgatitur kuadro adekuate, metodologë. Duhen metodologë për të ngritur standardin e bërjes shkencë te ne.

  1. Metodologjia tregon në mënyrë transparente bërjen shkencë

Kuptimi i metodologjisë, marrë nga aspekti etimologjik, domethënë shkenca mbi metodat, ose teoria mbi metodat, disiplina e metodave. Kuptimi i kësaj është përcaktimi teorik, shqyrtimi, kritika dhe mendimet për atë se cilat janë rregullat dhe se si funksionon një metodë e cila është vënë në fokus.

Metodologjia, në të vërtetë, është artikulimi i metodave se si do të bëhet studimi. Për shembull, në kapitullin “x” do të veprohet saktësisht kështu (tregohet se si konkretisht për çdo punim) për grumbullimin e materialit primar, duke shprehur transparencë dhe objektivitet se si sipas cilës metodë dhe si do të arrihen gjetjet dhe se si do të shfrytëzohen ato si material, prej nga do të nxjerrën të dhënat e caktuara; në kapitullin “y” do të prezantohen gjetjet dhe do të bëhet përshkrimi i tyre; në kapitullin “z”gjetjet do të paraqiten përmes statistikave dhe do të bëhet analiza e tyre; ose se do të bëhet krahasimi midis dy pikëpamjeve, do të shoshiten ngjashmëritë dhe kontrastet etj.

Kështu, metodologjia paraqet transparencën e studimit, duke treguar, mbështetur në metodat e përcaktuara, saktësisht se çfarë do të bëhet dhe si do të bëhet në secilin hap të studimit.

Pikërisht për këtë, metodologjia, respektivisht përcaktimi i metodave dhe përcaktimi i qartë se si do të realizohet studimi, kërkon shumë vëmendje e përkushtim, dhe duhet të shprehet me formulime që nuk lënë asgjë të paqartë, asnjë mister e asnjë të panjohur, po gjithçka e tregojnë saktë dhe qartë. Ndaj metodologjia paraqet transparencën procedurale të bërjes shkencë në një punim studimor. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, kërkon nga sulmuesi Kylian Mbappe…