35 seanca konstitutive të dështuara, Kryeziu: Kushtetuta nuk parasheh këso devijime dhe destruksione

22 qershor 2025 | 13:20

Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit dhe ky boshllëk, sipas tij, po keqpërdoret nga partitë politike.

“Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devjim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte”, thotë Kryeziu, duke iu referuar bllokimit të procesit.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por nuk përjashtohen as partitë e tjera – PDK, LDK dhe AAK – që po kontribuojnë në zvarritjen e konstituimit.

Kryeziu nuk e sheh si thelbësore vetëm çështjen e nominimit të kryetares së Kuvendit, por tërheq vërejtjen edhe për neglizhimin që partitë politike po i bëjnë interpretimit ligjor të situatës.

Ai kujton se seanca konstituive, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të vazhdojë çdo 48 orë, por kjo, sipas tij, nuk mund të zgjatet pafund.

Ai thotë se, në rastin konkret, duhet të përdoren interpretimi ligjor logjik dhe ai verbal.

“Interpretimi logjik do të thotë se kjo (vazhdimi i seancës konstituive çdo 48 orë) mund të bëhet vetëm dy herë. Herën e parë mund të ketë probleme të natyrës teknike. Herën e dytë, kjo duhet të përfundojë”, thotë Kryeziu.

Kryeziu e përshkruan situatën aktuale të bllokimit të konstituimit të Kuvendit si gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, zgjidhja duhet kërkuar përmes marrëveshjeve politike ndërmjet partive, apo edhe në “shterimin e mjeteve politike dhe juridike të brendshme”.

“Mjetet shteren me presidenten e shtetit, sepse është faktor i unitetit. Duhet t’i thërrasë (partitë politike) dhe të këmbëngulë që t’i krijojnë institucionet”, thotë ai.

Kryeziu thotë, po ashtu, se presidentja ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese konstatimin nëse gjatë procedurës së konstituimit të Kuvendit janë shkelur dispozitat kushtetuese.

Nëse as kjo nuk funksionon, ai thotë se duhet pritur ndërhyrja e faktorëve të jashtëm, si për shembull e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët mund të ndërmjetësojnë për tejkalimin e krizës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një sezoni pozitiv, Basel shpreson që të kualifikohet për…