420 milionë euro të hyra nga akciza

27 janar 2020 | 12:36

Mallrat e akcizës apo mallrat e luksit siç njihen ndryshe në vitin që lamë pas, arkës së shtetit ia kanë siguruar 420 milionë euro. Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë se naftëtarët mbushin rreth 30 për qind të buxhetit dhe, sipas tij, akciza që duhet ta paguajnë është më e larta se e shteteve në rajon. Njohësi i çështjeve ekonomike, Zekirja Shabani, ka theksuar se rritja e të hyrave nga Dogana është lajm i keq për ekonominë e vendit sado që mbushet arka e shtetit. Sipas tij, me rritjen e të hyrave nga kufiri do të duhej të alarmoheshin institucionet për shkallën e ulët të prodhimit vendor dhe deficitin e madh tregtar.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në buxhetin e shtetit vetëm nga produktet me akcizë janë shtuar 420 milionë euro. “Në vitin që lamë pas produktet me akcizë gjatë këtij viti kanë paguar vlerë të lartë të taksave. Dogana ka mbledhur rreth 420 milionëeuro derisa vitin e kaluar kishim 393 milionë euro taksa të mbledhura. Pra, taksa e akcizës sjellmesatarisht brenda një viti rreth 400 milionë euro”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se në këto produkte prijnëproduktet e naftës dhe duhani, ndërkaq importi është kryesisht nga vendet e Unionit Evropian.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë se naftëtarët mbushin rreth 30 për qind të buxhetit dhe, sipas tij, akciza që duhet ta paguajnë është më e larta se e shteteve në rajon. “Sa i përket sektorit të naftës me këtë ne e mbushim buxhetin e shtetit përafërsisht 30 për qind. Sektori i naftës kërkon një perceptim më të mirë pasi është kontribuuesi më i madh në buxhetin e shtetit. Shtetet në regjion e kanë akcizën e naftës më të ulët. Maqedonia e ka akcizën për 22 centë më të ulët”, ka thënë Berjani, duke shtuar se sa i përket çmimit të derivateve, Kosova i ka çmimet më të lira në rajon. “Akciza e gazit duhet të hiqet, kjo është kërkesë e Shoqatës së Naftëtarëve”, ka thënë ai.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Zekirja Shabani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e të hyrave nga Dogana është lajm i keq për ekonominë e vendit sado që mbushet arka e shtetit. Sipas tij, me rritjen e të hyrave nga kufiri do të duhej të alarmoheshin institucionet për shkallën e ulët të prodhimit vendordhe deficitin e madh tregtar. “Kosova vazhdon të ketë varshmëri gati të plotë buxhetore nga taksat dhe tarifat doganore. Kjo edhe është arsyeja që të gjitha qeveritë projeksionet financiare i bëjnë duke u bazuar fillimisht në të hyrat nga Dogana e pastaj nga ato të Administratës Doganore. Megjithatë, rritja e të hyrave nga Dogana është lajm i keq për ekonominë e vendit sado që mbushë arkën e shtetit. Me rritjen e të hyrave nga kufiri do të duhej të alarmoheshin institucionet për shkallën e ulët të prodhimit vendës dhe deficitin e madh tregtar”, ka thënë Shabani, duke shtuar se kjo pastaj dikton edhe inflacionin në vend dhe gjendjen socio-ekonomike. “Për këtë arsye qeveria e ardhshme do të duhej të fokusohej në politikat fiskale dhe t’irishikonte taksat e akcizës, sidomos për naftën dhe mallrat që aktualisht futen në kategorinë e atyre luksoze”, ka deklaruar Shabani.

BOX: Përjashtimet nga akciza

Akciza nuk paguhet për: (a) Lëndën e parë dhe lëndën ndihmëse e cila përndryshe do t’i nënshtrohej akcizës, të importuar në Kosovë nga personat e pajisur me licencë të lëshuar nga Dogana e Kosovës, i cili autorizon importin e tillë në rastin kur lënda e tillë do të përdoret në prodhimin e mallrave për eksport; (b) Mallrat për të cilat drejtori i përgjithshëm i Doganës Kosovës përcakton se do të shfrytëzohen vetëm për qëllime humanitare dhe se nuk do të ofrohen për shitje a për konsumim në Kosovë; dhe (c) Mallrat e financuara nga të hyrat e granteve të dhëna për Qeverinë e Republikës Kosovës nga qeveritë, agjencitë qeveritare, organizatat qeveritare apo joqeveritare në përkrahje të programeve humanitare dhe të rindërtimit si dhe të projekteve në Kosovë.

Organizatat dhe subjektet e tjera që nuk paguajnë akcizë: (a) Misionet e huaja diplomatike dhe konsulare;(b) Kombet e Bashkuara apo cilido organ i saj, duke përfshirë UNMIK-un, agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, KFOR-in, organizatat ndërkombëtare ndërqeveritare dhe agjencitë qeveritare përkitazi me mallrat e përdorura për qëllime zyrtare;(c) Kontraktorët e UNMIK-ut, agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara dhe të KFOR-it të cilët importojnë mallra që do të përdoren nga ata kontraktorë vetëm përkitazi me përmbushjen e kontratave për UNMIK-un, agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara dhe për KFOR-in dhe (d) Organizatat e regjistruara joqeveritare me status të beneficuar publik siç parashihet me Rregulloren nr. 1999/22 të datës 15 nëntor 1999 për mallrat e përdorura vetëm nga organizatat joqeveritare në përmbushjen e qëllimeve të statusit të saj të beneficuar. Këto mallra janë si në vijim: benzina, kerozina, nafta dhe etanoli.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot me fillim nga ora 15:00 do të mbahet Kuvendi…