50 plumba u zbrazën mbi Benzin ku udhëtonte Gilmando Dani
Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, u ekzekutua në një atentat mafioz pasditen e së martës, ku mbeti i plagosur i rëndë edhe shtetasi Muçi Shaljani Sheqeri i cili drejtonte automjetin ku udhëtonin së bashku.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 menjëherë pasi viktima dhe i plagosuri mbërritën nga Barcelona në Rinas, Tiranë, ku ishin larguar në datën 7 nëntor.
Sipas “Euronews”, në momentin kur janë nisur drejt Tiranës me automjetin tip Benz me targa AB 099UO, autorët me një tjetër makinë i zunë pritën dhe i qëlluan me breshëri plumbash, ku Gilmando Dani, që ishte pasagjer, ka humbur jetën në vend ndërsa shoferi Muçi Shaljani (Sheqeri) ka mbetur i plagosur rëndë.
Policia dhe ekspertët kriminalistë qëndruan në vendngjarje për më shumë se 5 orë për të kryer të gjitha hetimet e nevojshme.
Euronews bëri me dije se në vendin e atentatit janë gjetur mbi 50 gëzhoje arme kallashnikov, të cilat janë zbrazur me breshëri nga të paktën 3 armë.
Rreth 40 minuta pas atentatit, policia gjeti të djegur automjetin që dyshohet të ketë qenë i autorëve në fshatin Halil të Fushë-Krujës dhe brenda tij 4 armë; 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë që dyshohet janë përdorur në ekzekutimin e Danit.



