
Katër të vrarë nga të shtënat në një spital në Oklahoma
Katër persona janë vrarë në të shtënat në një spital në Tusla, Oklahoma, ka njoftuar policia amerikane. Zyrtarët konfirmuan se sulmuesi i dyshuar, që kishte qenë i armatosur me një pistoletë dhe një pushkë, po ashtu ka vdekur.
Policia arriti në vendngjarje pasditen e së mërkurës në spitalin Saint Francis, tre minuta pas nisjes së të shtënave.
Po ashtu, disa persona janë plagosur nga të shtënat.
Shefi i policisë, Eric Dalgleish tha se “kemi katër civilë të vdekur dhe një sulmues të vdekur”. Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, besohet se ka bërë vetëvrasje.
I dyshuari “kishte një armë të gjatë dhe një pistoletë”, tha ai.
Ende nuk ka informacione për motivin e mundshëm të këtij sulmi.
Dalgleish tha se policia mori një telefonatë për sulmues aktiv në orën 16:52 sipas orës lokale dhe arriti në vendngjarje brenda tre minutash. “Zyrtarët që arritën në vendngjarje dëgjuan të shtëna në ndërtesë, që i çoi ata në katin e dytë të ndërtesës”, tha ai. Autoritetet thanë se po intervistojnë dëshmitarët që gjendeshin brenda spitalit, përfshirë edhe ata në katin e dytë, ku ndodhi sulmi.