7. Hipotezat, karakteri i zakonshëm i tyre dhe si mund të formulohen ato?

08 korrik 12:37

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (3)

 (Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vite lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Një çështje tjetër që lidhet me strukturën është ajo e përcaktimit të hipotezave të studimit. Ajo që më ka rënë në sy përgjithësisht është se hipotezat konceptohen si më të vështirat për t’u formuluar. Kam përshtypjen se zakonisht nuk dihet misioni i tyre, por as prej nga rrjedhin ato e as në çka do të duhej të çonin ato, përgjatë studimit.

Mendoj se ka një ngatërresë në atë se si konceptohet një hipotezë. Zakonisht, në terminologjinë më të përhapur, hipoteza konsiderohet si një e vërtetë e supozuar ose e hamendësuar. Një besim, një bindje, një vizion që mendohet i vërtetë, por që nga studimi pritet të tregohet se sa është i tillë apo jo. Këto janë zakonisht hipoteza të përgjithshme, ose teori të reja, të cilat kërkohet studim për të konstatuar statusin e saj. Këtë karakter nuk e kanë zakonisht punimet studimore nëpër universitete.

Në punimet që zakonisht nisen nga një “qëllim i studimit”, hipotezat kanë karakterin e atyre që quhen “hipoteza pune”, ose hipoteza praktike, për shkak se e orientojnë kahun e studimit, në mënyrë mjaft të qartë.

Por pikërisht kjo nuk është gjithherë e qartë dhe shpesh shfaqen mangësi në formulimin e hipotezave. Këtu nuk do të flas për atë se zakonisht hipotezat formulohen me një gjuhë që më tepër shpreh konstatime se sa supozime (hipoteza). Do të theksoj faktin se shpesh hipotezat janë shumë të pakta, e çka është edhe më problematike – ndonjëherë formulohen si hipoteza të përgjithshme, ndërkohë që ajo duhet të jetë konkrete dhe madje disa sosh.

Shkaku i formulimit të hipotezave, në një strukturë që zakonisht vihet pas qëllimit, pas objektivave dhe pas pyetjeve studimore, është se ato shprehin besimet se si pritet të jenë gjetjet e studimit, ose rezultatet e tij. Sigurisht se nuk ka një mënyrë të caktuartë formulimit të hipotezave si mënyrë e vetme adekuate, por më e thjeshta dhe më praktikja është të ndiqet linja e mësipërme – ajo e pyetjeve studimore.

Konkretisht, të jenë aq hipoteza sa janë pyetje studimore dhe objektivat e studimit. Logjika është kjo: një hipotezë do të ishte përgjigje e hamendësuar e pyetjes përkatëse studimore, e kështu edhe tregues se si do të mund të përmbushet objektivi korrespondues. Duke qenë se më sipër u tha hipotetikisht se do të formulohen pesë objektiva studimore dhe pesë pyetje studimore, atëherë edhe hipotezat do të ishte praktike të jenë pesë. Hipoteza e parë do t’i korrespondojë pyetjes së parë studimore dhe objektivit të parë studimor, e kështu me radhë secila hipotezë për secilën pyetje studimore dhe për secilin objektiv.

Këtu duhet tërhequr vëmendja se mund të ketë, fjala vjen, më shumë se një hipotezë për një pyetje studimore, sikurse që mund të ketë më shumë se një pyetje studimore për një objektiv. Kjo mund të bëhet atëherë kur një pyetje studimore nuk do të mund të përmblidhte në vete tërë objektivin përkatës, gjë që kërkohet edhe ndonjë nënpyetje shtesë për një objektiv; për mos t’u ngatërruar mundet të saktësohet pyetja e parë dhe një, dy apo më tepër nënpyetje të saja. E njëjta gjë mund të vlejë edhe për hipotezat. Po qe se një hipotezë e vetme nuk do të mund t’i jepte përgjigje të hamendësuar pyetjes përkatëse, atëherë do të mund të formuloheshin dy apo më shumë hipoteza; edhe këtu, njëra mund të ishte hipoteza përkatëse kurse të tjerat të jenë si nën-hipoteza.

  1. Hyrja e artikuluar mirë qartëson studimin

Të gjitha këto (titulli i temës, qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat) paraqesin, sikurse u tha, aspektin teorik të problemit studimor, tërësinë e tij dhe paraqesin strukturën dhe komponentët e ndryshëm si aspekte teorike.

Të gjitha këto që u thanë deri këtu shprehin kryesisht paqartësitë, vështirësitë dhe problemet që hasen gjithandej në punime të ndryshme studimore. Më vonë, kur të shqyrtohen problemet e “përfundimit”, do të tregojë se si kjo strukturë e këtillë, po të ndiqet, do të mundësonte dhe lehtësonte për të hartuar përmbylljen e një studimi, e cila paraqet një problem shumë serioz në praktikën e tashme universitare. Këtu dua të tregoj efektin që do të kishte një strukturë e tillë e hyrjes.

Studimet teori-bazuar janë të tilla që synim kryesor e kanë arritjen e qëllimit të shtruar të studimit. Sigurisht, arritja e qëllimit do të jetë dhe duhet të jetë ekskluzivisht rezultat i studimit, i gjetjeve si rrjedhojë e kërkimit shkencor.

Po qe se qëllimi përimtohet në mënyrën e duhur ashtu që të segmentarizojë entitete kuptimore të qëllimit respektivisht objektiva të studimit, atëherë, duke ndjekur objektivat dhe në përputhje me to, do të ishte shumë e lehtë të formuloheshin pyetjet studimore dhe pastaj hipotezat, si përgjigje ndaj pyetjeve studimore, i tërë studimi do të kishte një rrjedhë logjike, shumë të orientuar dhe afërmendsh të frytdhënëse.

Një strukturë e këtillë do të qartësonte fazën tjetër, atë të studimit konkret, dhe do ta bënte studimin mirë të përcaktuar dhe qartësisht të bazuar. Do të krijonte kondita që të mund të kontrollohej kahu i studimit dhe të mbahej fokusi, në realizimin e një studimi të thelluar.

Po ashtu, do të lehtësonte aq shumë edhe konkretizimin e hetimin dhe njohjen e gjetjeve dhe rezultateve studimore, kur do të arrihej në atë pjesë kur studimi do të duhej rrumbullakuar, përkatësisht të arrihej në përfundime si rrjedhojë e tërë studimit.

Ndaj sa më shumë punë dhe shqyrtim kritik për të formuluar sa më qartë hyrjen dhe strukturën e mësipërmes në mënyrë të kalibruar, me një harmoni të ndërvarur të këtyre komponentëve, do të krijohej një koherencë e studimit. Nëse do të duket “humbje kohe” përcaktimi i duhur i strukturës së hyrjes, kompensimi do të vijë gjithsesi më pas, gjatë realizimit të studimit, për shkak se hyrja do të bëjë të evitohen shumë punë të tepërta që zakonisht vijnë si pasojë e paqartësive të formulimeve të strukturës së hyrjes.

  1. ÇALIMI METODOLOGJIK

Kur më sipër fola për aspektin teorik të problemit studimor e lash qëllimisht jashtë, pa e përfshirë, aspektin metodologjik, për faktin se kjo ka një rëndësi themelore për një studim dhe meriton t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Tash do ta shqyrtoj këtë çështje.

Te punime të ndryshme studimore, zakonisht, te pjesa që quhet “hyrje” figuron një strukturë (një nënkapitull) që përcakton metodologjinë e studimit. Që kjo bëhet, gjithsesi, është mirë; por nuk është aspak mirë që kësaj nuk i kushtohet vëmendja e duhur dhe kjo pjesë, që është me rëndësi të madhe shkencore, bëhet disi shkel e shko. Ashtu sikurse formulohet metodologjia e studimit në pjesën më të madhe të punimeve paraqet një problem serioz e që ua lëndon karakterin studimor. E pra, aspekti metodologjik i problemit studimor është dimensioni i mënyrës, instrumenteve, teknikave dhe metodave që do të përdoren në realizimin e studimit, dhe ka karakter po aq shkencor sa edhe vetë formulimi i aspektit teorik të problemit studimor.

Shqyrtimin këtu do ta vatërzoj, në njërën anë, te hedhja dritë mbi karakterin e mangët të përcaktimit metodologjik dhe, në anën tjetër, tetë treguarit se duhet të kultivohet në të ardhmen, madje të thellohet e të zgjerohet, serioziteti i përcaktimit metodologjik si kusht që edhe punimet e pretenduara si studime të arrijnë standardet e bërjes shkencë të kohës sonë.

  1. Metodologjia i jep punimit karakter shkencor

Që në fillim duhet theksuar se në përmasa tepër shqetësuese shprehet në punimet universitare fakti se pjesa thuajse që më pak i kushtohet rëndësi, e që bëhet disi si sa për sy e faqe, është aspekti metodologjik. Të rralla janë studimet që njëmend të kënaqin nga ky aspekt. Kjo pakujdesi metodologjike është e kuptueshme për shkrime refleksive, për parashtrime spekulative, mendime të lira; por nuk ka se si të kapërdihet kur është fjala për punime studimore që pretendojnë, ose të paktën e deklarojnë, se janë me karakter shkencor.

Studimi i shkaqeve të kësaj gjendjeje të tashme me siguri ka ndonjë vlerë në të kuptuarit historik, për të gjetur burimet, arsyet dhe rrethanat si ka ardhur deri te kjo gjendje. Por kjo nuk do të jetë objekt shqyrtimi këtu. Fokusi është të shtjellohet ajo se si është gjendja sot dhe çfarë do të duhej bërë, që të tejkalohet kjo gjendje, në kuptimin e tejkalimit cilësor, pra të një përmirësimi që do të na ofronte me standardet bashkëkohore të bërjes shkencë.

Ajo që mund të quhet përgjithësisht si karakteristikë është fakti se sa përkushtim i dobët i bëhet aspektit metodologjik të studimit. Standardi aktual i bërjes shkencë në botë është qartësia metodologjike, si e vetmja qasje për të çuar në gjetjen e të dhënave që kërkohen, të dhënave adekuate, reale, të mbështetura, referenca ekzistuese dhe në përputhje me studimin. Kjo qartësi metodologjike shprehet si në shtjellimin teorik ashtu edhe në zbatimin praktik. Duke lexuar studime të tilla, bëhet e qartë se i tërë shtjellimi, prej fillimit e deri në fund, nuk është tjetër vetëm se realizim metodologjik. Epistemologu i mirënjohur Imre Lakatos kishte të pohuar diçka të qëndrueshme për shkencën, kur teoritë e mëdha, të cilat ai i quante programe hulumtuese shkencore, i kishte identifikuar me metodologjinë (The Methodology of scientific research programmes, 1965). Kjo, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar, sikur studimi shkencor qenka kthyer në një formalitet procedural, por se i tërë studimit përmbajtësish zhvillohet mbështetur në rregulla, procedura dhe përcaktimeve të kaheve studimore, duke iu përmbajtur atyre me rreptësi shkencore.

Bazuar në këtë standard bashkëkohor të bërjes shkencë në botë ajo që mund të thuhet për mënyrën e bërjes shkencë tek ne është se ne çalojmë metodologjikisht. Ky çalim mund të karakterizohet si një defekt serioz, gjithsesi jo i pariparueshëm por i cili kërkon vëmendje për t’u kuruar mënyra e bërjes shkencë te ne.

  1. Qartësia metodologjike kusht për bërje studime të mirëfillta

Këtu nuk do të merren parasysh rastet kur një punim studimor nuk thotë as edhe një fjalë të vetme për metodologjinë, sepse nuk ke çfarë të thuash – asaj i mungon tërësisht njëra prej parakushteve të një punimi për të qenë i realizuar sipas një metodologjie të caktuar. E pra, ka punime të tilla studimore, të cilat pretendojnë karakter shkencor. Por duke qenë qasje përgjithësisht e tejkaluar kjo, nuk meriton ndonjë vëmendje të posaçme.

Këtë vëmendje e meritojnë, me të drejtë, ato punime të cilat e marrin në konsideratë nevojën metodologjike dhe përpiqen të lënë gjurmë në atë drejtim. Kjo është një tregues i mirë, që shpreh një prirje së cilës duhet kushtuar vëmendje; si dhe paraqet një fije ndërgjegjësimi se një punim për të qenë me karakter shkencor duhet të ketë të përcaktuar edhe metodologjinë e realizimit.

Në shumicën e punimeve studimore që realizohen nëpër universitete, zakonisht, në pjesën e hyrjes figuron edhe një pjesë, një nëntitull që quhet “metodologjia”, diku quhet “korniza metodologjike”, ndonjë herë “aspekti metodologjik”, “metodat e përdorura” etj. Sido që të jetë, kuptohet se është fjala për metodologjinë e realizimit të studimit, ose metodologjinë me të cilën do të realizohet studimi në fjalë.

Me gjithë mangësitë, e rëndësishme është se mëtimi për të shprehur metodologjinë e studimit shënon kuptimin e nevojës së bërjes shkencë në mënyrë më të avancuar dhe me mënyrën bashkëkohore, atë se pa qartësinë metodologjike nuk mund të bëhet studim i mirëfilltë shkencor. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka lëshuar një dekret që përjashton 18 000 shërbyes…