7 marsi i 1998-s

11 qershor 2020 | 12:47

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (3)

Bedri Islami

Ishte 7 marsi i vitit 1998 kur fillon e ngjizet legjenda, miti dhe e vërteta e tyre. Dëbora kishte filluar të shkrihej, ditët tashmë nuk do ta kishin kuptimin e tyre të zakonshëm. Mbi Prekazin e Poshtëm nuk do të kishte heshtje më. Ajo që kishte ndodhur do të ishte tepër e përkohshme, aq e përkohshme saqë askush nuk do të kishte marrë me mend. E gjitha kjo kishte pasur një fillesë, një fillesë të hershme dhe një tjetër tepër ngjat. Për të ditur gjithçka që kishte ngjarë, do të ishte mirë të ktheheshim pak më pas. Le të nisim me atë që është tepër ngjat.

Tri ditë më parë

Pesha e forcës së një burri është në qëndresën që ai mposht.
Në orët e vona të 4 marsit të vitit 1998, kur nata ishte gjithkund mbi luginat dhe vargëzimet e bjeshkëve përreth, një grup i vogël njerëzish, pasi ishte shkëputur nga fshati Ticë, kishte marrë rrugën drejt Prekazit të Poshtëm. Ecnin të heshtur, të dukej sikur vetëm era rrëshqiste së bashku me to dhe krejt normale dukeshin shumë më të gjatë sesa do të ishin në të vërtetë. Kishin një përzgjatje të çuditshme, por vetëm herë pas here, kur dilnin nën ndriçimin e hënës së ftohtë, dukeshin se kishin armë me vete. Ishte një fillim pranvere që dukej se do të vinte tepër shpejt dhe brymëzat e ngrira të ngjanin me fillimin e gjurmëve të shkrirjes së dëborës.
Njerëzit lëviznin ngadalë, të heshtur, vetëm nganjëherë njëri prej tyre, ai që ishte në mes, i thoshte me zë të ulët njeriut që kishte para tij, të bënte kujdes, se toka ishte ende e rrëshqitshme. Ishte për to çdo gjë e njohur në atë rrethinë rreth e qark saqë, edhe po të kishin pasur sytë e mbyllur, përsëri do ta kishin pasur fare të lehtë të gjenin udhën nga shkonin. Më shumë se një ecje e detyrueshme, të dukej sikur po ndodhte një rikthim në shtëpinë e tyre. Ashtu do të ishte vërtet, ishte një çast kur gjithçka të duket se është e zakonshme dhe me plot mall, të duket sikur, pas çdo kthese në mal apo pas bardhësisë së bjeshkëve, do të rishfaqen kullat e fisit, vendet ku ke lindur dhe ku e di se do të jesh vazhdimisht.
Asnjëri prej tyre nuk e dinte se ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit nëpër rrugëtimet e Kosovës. Nuk mund ta dinte se pas kësaj nate do të vinin tri ditë të jashtëzakonshme të cilat do të tronditnin gjithçka. Nuk kishin se si ta dinin, megjithëse përherë e kishin menduar se pas çdo çasti të zakonshëm, mund të vinte edhe çasti i tyre i fundit, ndaj edhe kishin jetuar në secilën ditë, sikur të ishte dita e tyre e fundit. Më saktë, kishin luftuar çdo ditë si të ishte dita e tyre e fundit e luftës. Ishin në njerëzit që e kishin matur kohën disi ndryshe nga të tjerët. Jo me ditë të zakonshme, me ditë-net apo me natë-ditë, ata e kishin matur me ditë lufte dhe, pasi e kishin matur një herë kështu, në një natë funddhjetori të vitit 1991, e kishin ditur se e kishin mirë dhe kishin vazhduar. Qetësisht, pa asnjë lloj zhurme e dëliri, si për çdo gjë të zakonshme që kishin bërë deri asaj dite. Njëlloj si të lëronin tokat që i kishin në blerinat afër shtëpisë, si të pritnin dru në mal, si të dilnin me miqtë e me shokët për një bisedë të zakonshme, si t’i kositnin livadhet ku rritej bari erëmirë i Kosovës, si të prisnin miq e dashamirë, si të ngrinin kulla dhe të bënin dasma.
Ata ecnin ngadalë. Kishte qenë një vendim i papritur ky rrugëtim. Ndoshta një çast malli, ndoshta dëshira për një prehje të shkurtër, ku ta dish, malli për prindërit, fëmijët, e pastaj do të vinte krejt normalisht një ditë e nesërme, mrekullisht e bukur, sepse edhe ajo do të ishte ditë lufte, e njëkohësisht krejtësisht e zakonshme, sepse lufta u ishte bërë shprehi.
– Dajë, a shkojmë sonte nga shtëpia. Edhe shohim robtë e shtëpisë, edhe çmallesh me motrën. Si thua, – kishte pyetur njëri nga nipërit dhe Osman Geci, daja i shtëpisë, kishte tundur kokën lehtë, si të thoshte se “shkojmë, pse jo”.
Thuhet se nipi qet pushkë për dajën, e daja qet top për nipin. Këtë fjalë të hershme e kisha dëgjuar për herë të parë në bjeshkët e Dukagjinit, shumë e shumë vite më parë. Më është kujtuar shpesh herë, sidomos pas kësaj nate, e cila ishte njëkohësisht edhe nata e fillesës së një ndriçimi të jashtëzakonshëm.
Nata e 4 marsit tashmë ishte thyer plotësisht. Hapat e tyre rrëshqisnin nëpër natë dhe të dukej sikur vetëm era përcillte hapëzimin e tyre.
Nga larg kishin parë tri kullat e shtëpisë së tyre dhe kishin shpejtuar hapat. Po ktheheshin nga një fillesë lufte, sapo ishin ndarë me disa nga shokët e miqtë e tyre, kishin parë plagët e të plagosurve në luftimet e para pak ditëve, dhe, ndoshta e kishin menduar se plagë të tilla do të vinte koha që do të ishin krejt të zakonshme, ndoshta në të gjithë truallin e Kosovës.
Jeta që kishin bërë deri atëherë në fakt do të ishte e gjitha. Më pas do të nisnin tri ditë-net, që aq sa kishin lidhje me tërë ditët e tyre, aq do të ishin edhe jashtë të zakonshmes, do të ishin tri ditëlidhëse mes asaj që kishte ndodhur deri ato çaste dhe asaj që do të vinte më pas.
Kishin mbetur jo më shume se dyqind metra larg hyrjes kryesore të kullave të tyre dhe bënë më tej me ndjenjën e ngrohtë që të krijon afrimi i shtëpisë. Po bëheshin shtatë vite që në këto kulla ishin të përkohshëm, ishin gjysmë miq dhe gjysmë bujtës, ishin, si të thuash, dalzotësit e kullave, por njëkohësisht edhe të përkohshmit e tyre.
Askush nuk e dinte, aq më pak nuk e dinin tre njerëzit që po ecnin drejt Prekazit të Poshtëm, se njëkohësisht me to, por tashmë nga disa drejtime të ndryshme, po lëviznin dhjetëra makineri lufte, nuk mund ta dinin se vetëm pak çaste më vonë, vetëm pak çaste pasi ata të futeshin në vatrën e tyre, do të lëviznin 200 mjete të blinduara dhe 15 topa do të kishin një objektiv të vetëm, tri kullat e Fisit të tyre. Nuk mund ta dinin se një ecje e tyre nëpër natë do të vinte në lëvizje një përbindësh të tërë hekuri, municioni dhe armësh, të cilët si në krijimet e përbindshme, kishin qenë prej ditësh në këtë pritje të ankthshme. Një shtab i tërë do të vihej në lëvizje për atë që ishte përgatitur prej javësh e ndoshta muajsh, ushtarakë të lartë, paramilitarë të përçartur, banda çetnike, grupe që kishin përgjakur krahina të tëra në Bosnje e në Kroaci, kriminelë të të gjithë llojeve, gjeneralë dhe Arkani i çartallosur, të gjithë ata që mund të vinte në lëvizje një pushtim i dhunshëm, kishin filluar tani të kishin një drejtim të vetëm, Prekazin.
Ata nuk mund ta dinin se në fillimin e mëngjesit që do të vinte, pak pas mesnatës, drejt tyre, nga drejtimi i Mitrovicës për në Skenderaj do të arrinte kolona e parë e forcave të policisë serbe, nuk mund ta dinin se në fabrikën e Municionit, as treqind metra përballë banesave të tyre kishin zënë vend forca të tjera të përqendruara serbe, nuk mund ta dinin se pak çaste më vonë, nga Prishtina drejt tyre do të nisej kolona elitë e forcave serbe në Kosovë.
Ishte vënë në lëvizje një makineri e përgatitur shumë kohë më parë. E dhunshme, e përgjakshme, e egërsuar. Kishin hesape të hershme me njerëzit e këtyre e kullave dhe, si dukej, kishin menduar se në një natë ose në një çast natë-ditë do të merrte fund gjithçka, e bashkë me to, do të merrte fund edhe ideja e tyre. Do të kishte dy humbje të njëkohshme, kishin menduar në Beograd, të atyre njerëzve që ishin brenda kullave dhe prej nga ishin kthyer të mundur dy herë, por edhe të idesë së tyre. Nuk do të kishte më asgjë, pas rrethimit të kësaj nate dhe asaj që pritej në fillimin e ditës së nesërme, do të kishte vetëm heshtje, një qetësi mortore, e paskajshme, e aftë për të vendosur heshtjen për dhjetë vitet e ardhshme në këtë vend rebel. Dhe nëse shuhej kryeqendra e rebelëve dhe rebelët bëheshin të pakundgjetur, do të ishte e natyrshme që nuk do të kishte më asgjë pas kësaj. Kështu kishin menduar në Beograd. Do të ishin dy herë të gabuar. Nuk do të ishte thjeshtë një larje hesapesh, e befasishme dhe asgjë tjetër, e po ashtu nuk do të kishte pasur heshtje të mëtutjeshme.
Të tre udhëtarët e natës së 4 marsit ndërkohë ishin çmallur me njerëzit e shtëpisë, kishin marrë pranë vetes nënën e tyre, e cila, e strukur në gjoksin e madh të bijve të saj, dukej sikur kishte humbur mes tyre. Ishin ulur pranë vatrës, pikërisht aty ku kishin qëndruar me dhjetëra e qindra herë, kishin dëgjuar natën që po fillonte të thyhej dhe ishin ndjerë mirë, si çdo njeri në vatrën e tij.
Nuk e kishin ditur, dhe nuk do e dinin deri në mëngjesin e afërt, se ishin vënë njëkohësisht në lëvizje, disa njerëz të zakonshëm që shkonin drejt vatrës së tyre dhe qindra e qindra mjete për të shuar jetën e tyre.
Do të duhej të kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme që një armatë e tërë serbe, si kurrë ndonjëherë më parë, me përmasat e saj oktopodhiane si metastaza të zeza,ishte vënë ashtu në lëvizje, ose njerëzit që ishin brenda kullave do të duhej të ishin vërtet të jashtëzakonshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
Në fakt të dyja ishin të vërteta, për armatën serbe kishte ndodhur diç e jashtëzakonshme, kishte filluar thyerja e saj. Deri atë natë thyerja kishte qenë e ngadalshme, por që do të bëhej e rrokopujshme, dhe thyerja kishte nisur pikërisht në këto vise, në pikëtakimin e këtyre kullave me vazhdimin e bjeshkëve, nga këto njerëz, që në 30 dhjetorin e vitit 1991. Kishte filluar dhe po vazhdonte, gjithnjë e më shumë, nëse deri atëherë ajo kishte qenë e padukshme, tashmë krisja e thyerjes po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha, po shtrihej në hapësira përherë e më të gjëra.
Kishin provuar të ndalonin hemorragjinë e krisjes, e kishin provuar sërish në janarin e këtij viti dhe përsëri ishin thyer, përsëri në të njëjtin vend, nga të njëjtët njerëz; pastaj kishin ndodhur thyerje të tjera, një herë në Likoshan, pastaj në Llaushë, pritej thyerja në Dukagjin, në zonën e Llapit ku tani po dëgjohej kudo një këngë e re për Ali Ajetin, nuk dihej se cila do të ishte thyerja tjetër. Për to, kjo thyerje duhej ndaluar, e për të ndaluar këtë, në radhë të parë duheshin thyer këto njerëz, të cilët, krejt normalisht dhe pa e kërkuar, po bëheshin në simbol, po niste të ndërtohej fillesa e legjendës së tyre dhe kjo legjendë duhej shkelur përgjakshëm që në agun e saj. Duhej ndërprerë jeta e tribunëve për të pasur një pushtim të gjatë, shumë të gjatë, mundësisht sa më të qetë dhe me lojën e pluralizmit, sa herë që të donin. Askush nuk i prishte punë më shumë se ky trekëndësh kullash, në këtë fshat që po bëhej ngadalë kryeqendra e Kosovës. Nëse nuk do e thyenin këtë, atëherë ishte krejt e mundur që kjo të bëhej zanafilla e një kryeqendre gjithëshqiptare, rreth së cilës njerëzit të përuleshin me përkushtimin e duhur, dhe me ndjenjën se e kishin gjetur tashmë vendin që kishin kërkuar për të ngulur shtizën e mëvetësisë së kombit të tyre. Duheshin zhdukur flamurtarët, duhej zhbërë miti i tyre, ende pa u bërë i plotë, duhej treguar se askush, edhe më i besuari prej tyre, “shiftarve”, nuk mund të i bënte ballë furisë ndëshkuese të tyre.
Ky do të ishte thelbi i lëvizjes nëpër natë të një armate të tërë serbe ndaj një vendbanimi shqiptar. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në shesh…