7. Pak origjinalitet në hyrje dhe në rekomandime

11 korrik 10:15

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (6)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

 Deskriptivizmi ka diktuar, me sa duket, edhe formulimet në mënyrë pavetore, për çfarë vetëm pak origjinalitet mund të haset në pjesën e hyrjes dhe te rekomandimet.

Në pjesën e “hyrjes”, kryesisht për shkak të zbatimit të rregullores së studimeve, ndihet prania e autorit/autores kur shtron qëllimin e studimit, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat. Dhe, ashtu sikundër u tha më sipër, zakonisht kjo është pjesa më e zbehtë, më anemike e një studimi të tillë, sikurse janë praktikat e deritashme në shumicën e punimeve studimore. Edhe në “hyrje” ndihet mekaniciteti i veprimit, shprehjet e shtrënguara dhe të formuluara si me zor. Kjo mund të kuptohet edhe nga fakti se në shumicën e rasteve harrohen ato përgjatë tërë studimit dhe sidomos aty, në “përfundim”, ku do të duhej të tregohej se çfarë është bërë me to si rezultat i studimit. (Kjo çështje do të shqyrtohet më poshtë).

Një pjesë tjetër ku, befas, shfaqet autori është pjesa krejt e fundit, në përmbyllje të studimit. Ajo pjesë që zakonisht quhet “rekomandime”. Duket se i tërë përshkrimi përgjatë studimit kishte një funksion të vetëm kryesor – të krijonte nevojën për rekomandime. Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe me rekomandimet, kur ato janë me vend dhe të natyrës së studimit. Për këtë do të flitet më pas, por këtu dua të nënvizoj se duket sikur i tërë parashtrimi deskriptiv është një trase që të arrijë në një përfundim të panatyrshëm, sepse në shumicën e rasteve rekomandimet nuk kanë ndonjë referencë në punim, kurse ndonjëherë dhe shumë rrallë rekomandimet kanë referencë në punim. Por në shumicën e rasteve rekomandimet nuk rrjedhim logjikisht nga ajo që është thënë gjatë studimit.

  1. Deskriptiviteti si anemi shkencore

Deskriptivizmi zakonisht është jo i duhur për  punime të natyrës universitare, në kuptimin se nuk mund të jetë qasja themelore, sidomos nuk do të duhej të ishte, sikurse u tha, kur është fjala për tema të njohura e të rrahura shpesh. Nëse ka diçka këtu gabim, ai është te përdorimi i deskriptivizmit si mënyrë kryesore e studimit, kur ajo, në të vërtetë, do të duhej të ishte vetëm si teknikë ndihmëse.

Punime të shumta, për shkak të natyrës kryekreje deskriptive, më shumë ju ngjajnë ciceronëve (guidave), ku, fjala vjen, përshkruhet një institucion përkatës, hierarkia e tij, funksionimi, ligjet që e rregullojnë, fushat që i mbulon, detyrat dhe përgjegjësitë, kush i krijon ato, kush i kontrollon dhe si bëhet emërimi/zgjedhja e lidershipit. E njëjta gjë ndodhë edhe kur ndonjë punim merr për shtjellim tema lidhur me ndonjë dukuri negative, ndonjë sjellje, botëkuptim, pikëpamje, perceptim etj. Ndaj punimet e tilla janë dhe vuajnë nga anemia shkencore.

Çka mësohet prej punimeve të tilla të karakterizuara nga deskriptivizmi? Pak gjë, për mos të thënë hiçgjë, që tashmë nuk është e njohur.

  1. Sasia në dëm të cilësisë

Përse shumica e autorëve të punimeve preferojnë deskriptivizmin?

Arsyeja kryesore është te lehtësia e deskriptivizmit si qasje. Për shkak se ai është më pak kërkuese ndaj studiuesit. Burimet janë të mjaftueshme që mund të mbushen faqet me përshkrime, duke krijuar kësisoj perceptimin e bërjes së një punimi studimor, por pa e bërë atë në të vërtetë.

Ajo që përmban pjesa e studimit, domethënë ajo që pason pas “hyrjes”, në të gjithë kapituj deri te “përfundimi”, zakonisht është transmetim i asaj çfarë kanë thënë të tjerët, ose ashtu sikurse janë të përshkruara qartë në akte që i përshkruajnë, shpjegojnë e rregullojnë ato.

Qasja deskriptive, në këso rastesh, krijon hapësirë për sasi, por në kurriz të cilësisë, duke nënkuptuar me këtë mendimin autorial, mungesën e perspektivës së studiuesit, të këndvështrimit alternativ, kritik dhe zhbirues. Në studime të tilla zakonisht autori nuk shfaq gjëkund mendimin e vet se çka mendon, si e sheh gjendjen në kohën e studimit, a ka të meta e mangësi dhe nëse po – ku, si i vlerëson ato, si e sheh gjendjen, a ka ndonjë pikëpamje të veten dhe konkretisht a sheh ndonjë gjë që do të duhej të theksohej.

Pikërisht këtu qëndron mangësia e qasjes deskriptive, se ajo ka për mision të përshkruajë, të tregojë se si është gjendja, struktura, mënyra e funksionit, rrezja e veprimit, aspekti i rregullimit normativ-juridik etj.

Ndonëse mund të jetë përmbushur standardi i sasisë, që kërkohet nga rregulloret universitare, mund të jenë përshkruar në mënyrë të duhur institucionet në fjalë, prapë se prapë zakonisht prej tyre ose nuk sillet ndonjë kontribut fare ose ai është tepër i varfër.

  1. Përfundimet/rekomandimet zakonisht nuk janë rrjedhë e punimeve

E vetmja mundësi për të treguar diçka më ndryshe, për të dalë nga korniza e deskriptivizmit, janë rekomandimet.

Ndaj nuk është aspak çudi pse këto përfundime zakonisht nuk janë derivat i asaj çfarë është shtjelluar në punimin, por çfarë ka ndërmend autori përgjatë studimit.

E pra, përfundimet duhet të rrjedhin nga ajo që është shkruar përgjatë studimit e jo nga që mund ta ketë ndërmend ai/ajo.

Përndryshe, ato janë si të ndërfutura me pahir e pa ndonjë funksion.

  1. Duhet të ndryshohet qasja deskriptive e punimeve studimore

Shikuar nga aspekti formal, me hyrje e kapituj e përfundime e rekomandime, punimet lënë përshtypjen e një realizmi metodologjik të standardeve bashkëkohore. Kjo, për fat të keq, në shumicën e rasteve, është vetëm dukje.

Po qe se shihet nga aspekti përmbajtësor atëherë qartë shpërfaqet niveli i bërjes punime studimore, një nivel qe zor se mund të quhet shkencor. (Këtë nuk e zbusin as rekomandimet, për shkak se ato zakonisht nuk janë rrjedhim nga ajo që shtjellohet në punime).

Kjo qasje, me dominimin e deskriptivizmit, duhet të ndryshohet. Duhet të vetëdijesohen kandidatët se, ndonëse mund të marrin titull shkencor, nuk bëhen dot shkencëtarë përmes shkruarjes së punimeve në mënyrë deskriptive. Ato, as që kanë ndonjë dobishmëri reale, qoftë edhe minimale, ndaj dhe mbeten një ngarkesë për arkivin (klasik ose digjital) të universiteteve.

  1. Bashkëpërgjegjësia e mentorit

Deri këtu nuk fola ndonjë gjë për bartësit kryesor të kësaj fryme. Ata janë, zakonisht, mentorët, si drejtues shkencor. Sigurisht, mund të kuptohen prirja e kandidatëve për qasjen deskriptive për shkak të lehtësisë së realizimit të punimit. Për këtë, gjithsesi, nuk janë vetëm ata përgjegjës. Po aq janë edhe mentorët. Këta kanë për detyrë të kontribuojnë që studimi të mos mbetet i kufizuar në përshkrime. Nuk duhet kënaqur me kërkesën minimaliste, vetëm që të realizohet studimi, të mbushet kuota e faqeve dhe të përplotësohet standardi. Mentorët, në cilësinë e drejtuesit shkencor, duhet të nxisin kandidatët të kapërcejnë deskriptivizmin, të shkojnë përtej saj, të dalin në fushën e mirëfilltë të studimit. Që të bëhet kjo, ndër të tjera, kërkohet që mentori t’u kushtojë kohë e vëmendje secilit kandidat dhe të jetë i qasshëm për secilin përtej parametrave zyrtar; aq më tepër kur kjo tashmë përmes komunikimit elektronik është bërë e mundshme pa ndonjë kosto, qoftë me e-mail e qoftë me komunikim përmes bisedave me programe falas në telefonat inteligjentë. Përndryshe, për punimet që vuajnë nga deskriptivizmi bashkëpërgjegjës janë edhe mentorët.

  1. Të braktiset formaliteti dhe të krijohet klima studimore

Deskriptivizmi si qasje studimore kështu shpërfaq një shqetësim më të thellë dhe më brengosës në aspektin përmbajtjesor sesa në aspektin formal. Ai ka një relacion të trefishtë: universitete-mentorë-kandidatë. Ajo çka një kandidat realizon përmes një punimi nuk duhet parë vetëm si nivel i tij/saj, por edhe si nivel i mentorit dhe, po ashtu, edhe si nivel i universitetit.

Po bien kambanat alarmuese për të gjitha universitetet, kudo në trevat shqiptare, që punimet prej të cilave merren tituj duhet të marrin një kah tjetër, të ngritën në një nivel më të lartë dhe të marrin karakterin e mirëfilltë studimor. A është kjo e mundur? Unë besoj dhe jam i bindur  se po. Por për ta ndryshuar këtë, për ta ngritur cilësisht studimin, duhet që universitetet kudo në trevat shqiptare të marrin qëndrim për të shtuar kërkesat, duhet që mentorët të tregojnë përkushtim ndaj atyre që janë duke bërë studimin e tyre të parë shkencor, të udhëhiqen mirëfilli në realizimin e studimit.

Me fjalë të tjera, duhet të krijohet një klimë e mirëfilltë studimore, duke i ndërgjegjësuar kandidatët dhe duke i inkurajuar që të bëjnë punë serioze dhe të zbatojnë një metodologji të ndërthurur, ku pjesa më pak e rëndësishme, zakonisht, do të mbetet deskriptivizmi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja britanike, Theresa May ka njoftuar se Britania është duke…