7. “Përfundimi” duhet të japë përgjigje në ato që janë shtruar në “hyrje”

15 korrik 13:13

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (9)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Nga ajo që u parashtrua deri këtu mund të jepet edhe përgjigjja e mundshme, ose ajo se çfarë dhe si duhet bërë, që një punim studimor të jetë më i mirëfilltë. Nga aspekti formal do të mund të thuhet se krejt ato që janë shtruar në “hyrje” duhet të ringrehen, riaktualizohen dhe të ritrajtohen në “përfundim”. Jo vetëm për shkak të uniformitetit metodologjik, por për shkak të përputhjes së “hyrjes” me “përfundimin”, pasi që “përfundimi” nuk duhet të jetë diçka aq i ndryshëm nga “hyrja”. Përderisa “hyrja” ka parashtruar se cilat caqe parashtrohen për studimin në fjalë, “përfundimi” duhet t’i korrespondojë “hyrjes” duke treguar se ku ka arritur me ato caqe studimi.
Për ta konkretizuar po theksoj se po qe se në “hyrje” është përcaktuar qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat, atëherë edhe “përfundimi” duhet t’i pasqyrojë ato, secilën veç e veç prej tyre.
Se çka domethënë kjo dhe si do të mund të bëhet kjo mund të kuptohet më mirë kur aspekti formal kombinohet me aspektin përmbajtjesor, gjë që do të jetë fokus në vazhdim.

8. Nuk duhet harruar asgjë nga struktura e problemit studimor

Për mos të mbetur formalist, duhet vënë në pah se struktura e “hyrjes” dhe struktura e “përfundimit” duhet t’i përmbajnë të njëjtët komponentë, porse renditja mund dhe preferohet të jetë ndryshe, madje disi e kundërt.
Struktura e “hyrjes” zakonisht është qëllimi, objektivat e studimit, pyetjet studimore dhe hipotezat. Ndërkaq, në “përfundim” mund të fillohet nga hipoteza të vazhdohet me pyetjet studimore, me objektivat dhe të arrihet te qëllimi.
Kjo qasje është vetëm një mënyrë shtjellimi, që shpreh rrjedhshmërinë e studimit dhe të arritjeve. Por po aq i vlefshëm është edhe modeli tjetër, ai që ndjek strukturë të ngjashme me atë të “hyrjes”. Dallimi është se për të krijuar rrjedhë logjike, pas qëllimit gjithnjë duhet të theksohet “qëllimi është arritur, pra, sepse…” dhe të tregohet se janë arritur objektivat, se janë dhënë përgjigjet në pyetjet studimore dhe se hipotezat janë vërtetuar apo nuk janë vërtetuar.
Nuk ka ndonjë model që të thuhet se ky dhe vetëm ky është i vlefshëm, përderisa një mënyrë e caktuar, disi e ndryshme, përmban të gjithë komponentët e “hyrjes”, tregon gjetjet dhe në bazë të tyre edhe rezultatet për secilin komponent (qëllimin, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat). E rëndësishme është që “përfundimi” të mos harrojë asgjë nga struktura e problemit studimor.
Unë në vazhdim do të parashtrojë modelin që më duke se shpreh rrjedhshmërinë e “përfundimit”, atë që niset nga hipoteza e shkon deri te qëllimi.

9. Duhet treguar statusi i secilës hipotezë si rezultat i studimit

Tashmë e kam theksuar se hipoteza zakonisht përkufizohet si një e vërtetë e hamendësuar. I tërë studimi, prandaj, duhet të udhëhiqet nga hipotezat dhe të jetë i fokusuar në hipotezat.
Është një keq konceptim ai që një studim për të qenë i suksesshëm duhet që secila hipotezë të patjetër vërtetohet ose konfirmohet. Pa fije dyshimi secili studiues ëndërron që të vërtetojë secilën hipotezë të shtruar, meqë i beson ato si të vërteta. Është bërë zakon të konsiderohet si rezultat shkencor vetëm kur arrihet konfirmimi i hipotezës. Në të vërtetë, po kaq shkencor është edhe mos konfirmimi i një hipoteze, domethënë kur ajo hidhet poshtë ose përgënjeshtrohet.
Karakteri shkencor i një studimi që konstaton vërtetësinë e një hipoteze, nuk varet aspak nga konfirmimi apo mos konfirmimi i hipotezës, po nga procedurat metodologjike dhe nga gjetjet. Po qe se studimi, duke ndjekur metodologjinë e përcaktuar, ka rezultuar në të dhëna që e konfirmojnë një hipotezë, atëherë ky konstatim është shkencor; po aq shkencor është edhe kur ndodhë që rezultatet (domethënë të dhënat, faktet etj.) e hedhin poshtë një hipotezë. Karakteri shkencor qëndron te ajo se statusi i hipotezës është mbështetur me fakte bazike, të arritura si rezultat i studimit dhe i gjetjeve reale që janë bërë.
Po qe se brenda studimit, domethënë kapitujve dhe nënkapitujve, pas gjetjeve është bërë edhe vlerësimi i raportit të hipotezës me gjetjet, atëherë në “përfundim” mund të theksohet se hipoteza është konfirmuar apo diskonfirmuar, pasi që gjetjet, sikurse është treguar në kapitullin përkatës, e kanë përcaktuar të statusin e hipotezës.
Po qe se brenda tekstit, në kapituj a nënkapituj, nuk është bërë fjalë fare për hipotezën, atëherë, si rrjedhojë metodologjike, kërkohet që në “përmbyllje” t’i kushtohet vëmendje, fillimisht duhet të risillet ndërmend hipoteza, të tregohen gjetjet në mënyrë të përmbledhur dhe në bazë të tyre të konstatohet statusi i saj, domethënë konfirmimi apo hedhja poshtë.
Mënyra e njëjtë duhet të ndiqet për secilën hipotezë veç e veç, ashtu që qartë të tregohet rezultati dhe ku mbështetet konstatimi për statusin e secilës hipotezë.

10. Përgjigjja e pyetjes studimore është e lidhur me statusin e hipotezës

Në vazhdim do të përqendrohem te pyetjet studimore. Më praktike është që pyetjet studimore dhe hipotezat të jenë të njëjta për nga numri dhe t’i korrespondojnë njëra-tjetrës. Le të supozohet se hipoteza e parë është konfirmuar. Atëherë, pyetja studimore që i korrespondon hipotezës së parë ka marrë përgjigje pozitive. Kjo domethënë se pyetja e shtruar në bazë të gjetjeve të studimit ka arritur në një përgjigje afirmative, pohuese.
Për ta konstatuar këtë, tashmë, pasi është treguar statusi i hipotezës, është më e lehtë dhe më e shkurtër. Sepse materiali i nevojshëm për përgjigjen gjendet te të dhënat si argumentim për statusin e hipotezës.
Studimi, sikurse është treguar edhe te argumentimi i hipotezës, ka dhënë përgjigje pozitive, pohuese. Argumentimi i statusit të hipotezës shërben si bazë, si material apo si premisë, për të treguar përgjigjen në pyetjen që i korrespondon hipotezës. Kështu, sigurisht, veprohet për çdo pyetje studimore veç e veç.
Natyrisht, për secilën pyetje studimore duhet të formulohen përgjigjet ashtu që secila prej përgjigjeve të jetë e qarta.

11. Duhet treguar se si janë përmbushur objektivat e studimit

Në harmoni me statusin e hipotezës dhe përgjigjen e pyetjes studimore do të jetë edhe rezultati lidhur me objektivat e studimit.
Po qe se statusi i hipotezës së parë është konfirmuar dhe sipas saj edhe pyetja e parë studimore ka marrë përgjigje pohuese, atëherë këto janë tregues të qartë se është përmbushur edhe objektivi i parë.
Por kjo përmbushje nuk është e vetëkuptueshme, ajo duhet të formulohet dhe të saktësohet, përndryshe do të çalojë përfundimi e me këtë dhe tërë studimi. Standardi metodologjik kërkon të tregohet qartë se a janë realizuar apo jo të gjithë komponentët e parashtruar si cak i studimit; nëse nga kjo lihet diçka mangët, atëherë lëndohet qasja metodologjike e studimit.
Për këtë arsye duhet të tregohet se a është përmbushur objektivi i parë, dhe nëse po, nga ajo që rrjedhë prej statusit të hipotezës dhe përgjigjes së pyetjes studimore, atëherë duhet shprehimisht të formulohet se është përmbushur objektivi i parë i studimit dhe të tregohet se si është bërë kjo përmbushje, ashtu që gjithçka të jetë e qartë. Si për hipotezat dhe për pyetjet studimore, sigurisht, duhet të veprohet po kështu edhe me secilin objektiv, duke treguar se a është përmbushur dhe nëse po – si është përmbushur.

12. Konstatimi rreth qëllimit të studimit është kurora e arritjes

Kështu, pjesë-pjesë, studimi shkon kah fundi, kur duhet të japë konstatimin kryesor – atë se a është arritur qëllimi.
Nga ajo që është thënë lidhur me hipotezat, pyetjet studimore dhe objektivat e studimit, do të rrjedhë natyrshëm konstatimi i asaj se a është arritur qëllimi i studimit apo jo, përkatësisht se në ç’përmasë është arritur ai.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të lehet të nënkuptohet fati i qëllimit. Edhe nëse, po supozojmë, të gjitha hipotezat janë konfirmuar, të gjitha pyetjet studimore kanë marrë përgjigje pohuese dhe janë përmbushur të gjitha objektivat, nga kjo nuk rrjedhë vetvetiu edhe se është arritur qëllimi po qe se nuk formulohet si konstatim kjo, gjë që do të ishte e mangët dhe defekt metodologjik po qe se nuk tregohet qartë se është arritur dhe si konkretisht është arritur qëllimi.
Janë kriteret metodologjike ato të cilat kërkojnë të formulohet qartë arritja e qëllimit, për aq sa ai është arritur, ashtu që të rrjedhë nga argumentet e tërë studimit dhe sidomos i mbështetur te gjetjet e studimit.
Për t’i eliminuar paqartësitë, dyshimet e dilemat, metodologjia e studimit kërkon që të formulohet qartë, si konstatim, rezultati lidhur me qëllimin. Kjo është kurora e studimit dhe kjo duhet të theksohet dukshëm.

13. Të tregohet se ç’njohje është arritur për temën

Ajo që zakonisht harrohet dhe vetëm si ndonjë përjashtim mund të gjendet, është edhe një konstatim tjetër që duhet të bëhet. Zakonisht kjo nuk shprehet që në “hyrje” por është vetëkuptueshme dhe rrjedhë nga vetë shkaku i arsyes së ndërmarrjes së një studimi.
Duhet të tregohet, mbështetur në statusin e hipotezave, përgjigjeve në pyetjet studimore, përmbushjen e objektivave dhe arritjes së qëllimit të studimit, se çka është mësuar për temën që është studiuar.
Sigurisht, është e qartë se e tërë njohja, e arritur përmes studimit, gjendet e përhapur nga “hyrja” e në secilin kapitull dhe nënkapitull, e madje edhe deri te konstatimi i statusit të hipotezave, përgjigjet e pyetjeve studimore, përmbushja e objektivave dhe arritja e qëllimit të studimit.
Megjithatë, natyra e shkencës e kërkon që të tregohet se në çka ka rezultuar i tërë studimi, dhe është kërkesë metodologjike që të qartësohet se në ç’njohje është arritur për temën që është bërë studimi.
Këtu, po, duhet shprehur qartësisht se sa është arritur njohja, por edhe/ ose mangësitë nëse ndonjë është hetuar. Kjo është ajo që njihet si fjalia e cila e kristalizon tërë studimin, arritjen e asaj njohjeje si rezultat i gjetjeve dhe i qasjes metodologjike.

14. Transparenca metodologjike kërkon njohjen edhe të gjetjeve diskonfirmuese

Duket se kjo rrjedhë është logjike dhe e natyrshme, por jo çdo herë është kaq e lehtë të bëhet. Deri këtu, për lehtësi shtjellimi, kam folur kryesisht për aspektet pozitive lidhur me strukturën e problemit studimor. Në fakt, rrallë shkon rrjedha vetëm pozitive. Puna komplikohet, fjala vjen, kur ndonjë hipotezë nuk konfirmohet ose konfirmohet pjesërisht. Ky rezultat nuk duhet fshehur, sepse atëherë nuk do të ishte shkencor. Përkundrazi, ai duhet të bëhet publik, të përfshihet në studim. U mor vesh, kjo ndikon drejtpërdrejtë në tërë rezultatin e hulumtimit.
Le të supozohet se një hipotezë dis-konfirmohet, atëherë kjo bën që përgjigjja në pyetjen e parë studimore të jetë mohuese, të jetë negative, dhe në të njëjtën kohë edhe të mos përmbushet objektivi që i korrespondon hipotezës dhe pyetjes studimore, e që po ashtu bën që një pjesë e qëllimit të mos arrihet.
Kjo lidhshmëri duhet të ndiqet me konsekuencë, prej hipotezës te pyetja studimore, prej kësaj te objektivi, prej objektivit te qëllimi, që të tregohet përmasa e arritjeve dhe mangësia e tyre.
Po ashtu, rezultati i tillë ndikon drejt për drejt edhe në njohjen e arritur, njohje e cila është ndryshe nga ç’është besuar dhe është jo e plotë.
E tillë është natyra e shkencës: ajo mëson jo vetëm kur arrin sukses por edhe kur nuk e arrin atë, për shkak se qasja dhe realizimi i studimit është e bërë sipas një metodologjie të përcaktuar qartë.
Prandaj, studimi duhet të jetë i tillë që të mos ndërhyj në gjetjet, në të dhënat e në faktet, po ato duhet t’i prezantojë ashtu sikurse i janë në realitet, dhe rezultatet e studimit duhet të jenë të mbështetura dhe të rrjedhura nga studimi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa ka bërë me…