7. Shqyrtimi duhet të çojë në argumente të reja

17 korrik 10:53

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (11)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Të mbash qëndrim apo të japësh vlerësim për një pikëpamje për apo kundër, për një argument apo kundërargument, për një fakt a kundërfakt në një “diskutim” domethënë studiuesi ta shprehë mendimin e vet. Respektivisht, studiuesi të tregojë se përse mendon, fjala vjen, se pikëpamja kundër është në rregull e pikëpamja për nuk është e qëndrueshme, ku e sheh mangësinë, të metën etj. Ose përse kundërargumenti është korrekt e argumenti, nëse rrjedhë nga shqyrtimi kritik, nuk është i qëndrueshëm sikurse pohon se është. Përse fakti ose kundërfakti e kanë ose nuk e kanë forcën e duhur sipas referencës në realitet.

Me fjalë të tjera, kjo domethënë se studiuesi duhet të argumentojë për ose kundër një pikëpamjeje, argumenti a fakti, po qe se shqyrtimi e ka bërë t’i shquaj ato që i pretendon e nuk i ka. Ose e kundërta, studiuesi duhet të argumentojë se përse, fjala vjen, një pikëpamja për a kundër, një argument a kundër-argument, një fakt a kundër-fakt është i qëndrueshëm ose jo, ose përse është i dobët, jo i mbështetur etj.

Studiuesi i mirëfilltë e ndjek logjikën e gjetjeve të shqyrtimit deri atje ku ato e çojnë, edhe po qe se kjo do ta bënte të binte ndesh me një pikëpamje apo argument që konsiderohet gjerësisht si e mbështetur. Kështu, kreativiteti i shqyrtimit është se duhet të çojë në argumente të reja, që shkojnë përtej asaj që dihet e është thënë dhe që shënon sjelljen ose kontributin konkret në një punim studimor.

  1. Gjetjet duhet të shihen nga shumë këndvështrime

“Diskutimi” përfshin edhe një aspekt tjetër, gjetjet e studimit. U tha më sipër, hipotetikisht, se njëri nënkapitull i përmban gjetjet nga një studim. Në disa punime prezantohen gjetjet me titull si “analiza e gjetjeve”. Kjo është me vend, ashtu duhet të jetë.

Zakonisht gjetjet analizohen nga prizmi i studimit, dhe fokusi vihet te gjetjet kryesore; kjo duhet të jetë kështu natyrisht. Për shembull, në ç’përmasë i jep mbështetje statistika e hulumtimit pikëpamjes për ose kundër? A bie ndesh me argumentin apo me kundër-argumentin?

Por nuk duhet të harrohen edhe aspektet e tjera. Çfarë prirjesh tregojnë, fjala vjen, statistikat tjera? A janë mbështetja e pikëpamjes për apo kundër, e argumentit për apo kundër? Sa është kufiri ndarës i mbështetjes, a është i qëndrueshëm, shumë dallues apo kufiri ndarës është bukur i afërt, tregon një qëndrueshmëri të përafërt dhe dallimi është jo i madh.

Gjetjet e hulumtimit në një studim shërbejnë për të matur, aq sa kjo është e mundur, vlerën e asaj që duhet të shqyrtohet, duke treguar mbështetjen apo prirjen për një pikëpamje (për ose kundër) apo për një argument (për ose kundër). Po kështu, kjo vlen njëlloj edhe për të vlerësuar statusin e një hipoteze, për të dhënë përgjigjen në pyetjen studimore dhe për të treguar përmbushjen e objektivit, arritjen e qëllimit, si dhe për të treguar njohjen që ofrojnë të dhënat statistikore për temën që studiohet.

  1. Shqyrtimi kritik e ndihmon qëndrueshmërinë e studimit

Që të mos ketë ndonjë keqkuptim duhet nënvizuar se shqyrtimi kritik nuk kufizohet vetëm në pjesën “diskutimi” të studimit. Ai shkon edhe përtej saj.

Shqyrtimi kritik, sikurse e kam thënë te pjesa e problemeve të “përfundimit”, shërben edhe si qasje për të kontrolluar përputhjen tërësore të studimit. Konkretisht, fjala vjen, a është harruar të përfshihet ndonjë gjë (qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat) e shprehur në “hyrje” e që duhet të tregohet në “përfundim” se çka është bërë me të. Shqyrtimi kritik mund të nxjerrë në pah se është harruar ndonjë gjë, e që duhet të plotësohet.

Ose shqyrtimi kritik mund të shquajë ndonjë shpërputhje, fjala vjen, midis gjetjeve dhe cilitdo komponent të problemit studimor – për shembull, një hipoteze. Mundet që pa dashje të mos jetë vënë re se gjetja nuk e konfirmon plotësisht hipotezën por vetëm pjesërisht – nëse këtë e nxjerr në pah shqyrtimi kritik, atëherë duhet të konstatohet kjo në lidhje me statusin e hipotezës.

Shqyrtimi kritik duhet të shohë edhe koherencën midis asaj që thuhet në pjesët përkatëse të studimit me konstatimet, fjala vjen, për përgjigjet lidhur me pyetjet studimore dhe/apo me objektivat e studimit.

Shqyrtimi kritik është qasja që studiuesit i bën të mundur të jetë i ekuilibruar, të tregohet i matur, syçelë, ekzaminues dhe kritik i ashpër, ashtu që studimi të dal sa më i pjekur, sa më i plotë dhe sa më i qëndrueshëm.

  1. Shqyrtimi kritik e vë çdo gjë në peshoren shkencore

Misioni kryesor i shqyrtimit kritik është që të krijojë bazën e qëndrueshme, të saktësojë mbështetjen e duhur lidhur me përfundimet që do të jepen.

Secili studim që kalon nëpër filtrin e shqyrtimit kritik është një arritje serioze, pasi që ka kaluar sprovat kritike të vetë studiuesit.

Kjo domethënë se shqyrtimi kritik duhet të jetë i fokusuar për të testuar ato që pohohen si të vërteta ose si të sakta, për të parë se sa ato janë të tilla. Ai e vë çdo gjë në peshoren shkencore.

Sa më i rreptë të jetë shqyrtimi kritik aq më mirë është, sepse nëse nga një filtër i ashpër kalohet me sukses, atëherë ka gjasa që edhe të tjerët nuk do të mund të gjejnë diçka jo të duhur, pasi që shqyrtimi kritik ka ekzaminuar me korrektësi studimin.

Shqyrtimi kritik, do të duhej të ishte e vetëkuptueshme, nuk vepron në stilin kjo është mirë e kjo është keq, ose kjo është e vërtetë e kjo jo, kjo është korrekte e kjo tjetra jo. Për të qenë shqyrtim kritik, duhet të tregohet se përse është i mirë ose i keq, përse është i vërtetë ose jo, përse është korrekt ose jo, duke nxjerrë në pah anët e dobëta ose anët e qëndrueshme, të argumentohet për ose kundër.

  1. Diskutimi është arena intelektuale e shkencore

“Diskutimi” qoftë si nënkapitull apo qoftë si kapitull më vete është ajo hapësirë kur duhet të shfaqet studiuesi, i cili, pasi ka parashtruar si rezultat i punës që ka bërë ato që i ka konsideruar të lidhura me temën që shtjellon, duhet t’i ekzaminojë ato, për të vënë në kandarë pohimet, vlerësimet, pretendimet dhe konstatimet e shprehura.

Kjo është fushëbeteja ku shfaqet studiuesi, i cili shfaq reflektimet e veta, mendimet e veta, tregon ato që ka hetuar se nuk janë sikurse pretendojnë ose sikurse duken, tregon se përse nuk janë të tilla, çka është që nuk shkon dhe cili është kuptimi i saj, dhe kështu bën një rigjykim, rivlerësim dhe konstatim, pas një shoshitje paraprake.

Në këtë kuptim, “diskutimi” është arena e shqyrtimit kritik, këtu shfaqet liria e mendimit, aftësia gjykuese e vlerësues, kapaciteti depërtues dhe zhbirues i studiuesit, si dhe guximi intelektual e shkencor dhe integriteti njerëzor për të shprehur atë që e heton dhe që konstaton se është e mbështetur.

Pikërisht këtu qëndron kreativiteti i mendimit kritik, sepse e bën studiuesin të hetojë (natyrisht nëse ka) mangësi atje ku pohohet se nuk ka dhe gjen qëndrueshmëri atje ku besohet se nuk ka, dhe mbi këtë bazë shpreh argumentimin e vet përkatës.

Një punim që nuk e përmban, aty ku konsiderohet i duhur, “diskutimin” si shqyrtim kritik, është një punim anemik, me karakter të zbehtë dhe nuk arrin të kalojë caqet deskriptiviste, të shkruaj faqet të tëra, pa sjellë ndonjë gjë si tejkalim i asaj që dihet.

Krejt në fund dua të theksoj se në një punim nëse ka diçka që re që sillet aty, nëse ka diçka që lë gjurmët origjinale të studiuesit, atëherë ajo është pikërisht pjesa “diskutimi”, dhe në kuadër të saj, por jo vetëm, qasja kritike. Pikërisht “diskutimi” dhe qasja kritike, respektivisht shqyrtimi, ekzaminimi dhe testimi e pohimeve (pikëpamjeve për apo kundër, argumenteve apo kundër-argumenteve) që pretendojnë të jenë korrekte, ose të vërteta, ose koherente, ose të mbështetura, i japin gjallëri studimit, tension dhe arsyetojnë tërë mundin e studiuesit, në shkallën e gjetjeve të tij.

 PËRMBYLLJE

Ajo që dua në fund të theksoj e ta bëjë të qartë është se unë nuk kam sugjeruar një strukturë të rreptë, të këtillë dhe jo tjetër si të vetmen shkencore apo akademike. Ajo që kam tërhequr vëmendjen është te fakti që kjo strukturë, përkatësisht problemi studimor, duhet të përkufizohet në mënyrën sikurse për të, karakterin e studimit dhe aspektin metodologjik është e natyrshme ose që korrespondon, ashtu që studimi të jetë sa më i plotë. Po e theksoj se liria akademike qëndron te zgjedhja e saktë e asaj që një studim e kërkon, dhe jo që në emër të saj të shkruhen punime që nuk kanë qëndrueshmëri shkencore nga aspekti metodologjik.

Në shqyrtimin deri këtu kam ngritur disa aspekte të mënyrës se si shkruhen punime të ndryshme studimore. Sigurisht, nuk i kam përfshirë të gjithat, dhe as që e kam pretenduar. Për shembull, nuk jam rrekur fare me aspektin e teorive të ndryshme sipas të cilave apo bazuar në të cilat një temë duhet të studiohet. Po ashtu, fare pak dhe vetëm aty-këtu e kam përmendur rolin e mentorëve, që janë udhëheqës shkencor të kandidatëve në realizimin e studimit. Kam lënë anash edhe aspekte të tjera pa i theksuar, si fjala vjen se si bëhen citimet apo parafrazimet; gjë që në shumicën e rasteve bëhen jo si duhet. Nuk e kam shqyrtuar fare atë se si duhet të përzgjidhet një citat, që të jetë mirëfilli në funksion të mbështetjes teorike. Nuk kam thënë asnjë fjalë për atë se si jepen referencat në tekst dhe si ato shkruhen në fund te bibliografia. Po ashtu nuk i kam zënë në gojë fare aspektet gramatikore dhe ato drejtshkrimore. Nuk kam përmendur fare plagjiaturën, që është një dukuri jo pak shqetësuese.

Të gjitha këto janë gjithsesi me peshë dhe kanë ndikim në cilësinë e studimit, gjë që do të ishte mirë t’i merrte ndokush në konsideratë për t’i studiuar. Unë e kam parë më të udhës që t’i shtjelloj ato probleme që janë themelore për një studim, me të cilat jam rrekur deri këtu. E kam bërë këtë i shtytur nga shkaku se këto aspekte të shqyrtuara këtu po shprehen me vite si një tendencë e kamufluar me standarde formale, por me mangësi të shumta përmbajtjesore, teorike e metodologjike. Këto janë pengesat themelore, pa tejkalimin e të cilave nuk do të mund të shkohet më tutje, nuk do të mund të bëhen punime studimore të mirëfillta sipas standardeve bashkëkohore të bërjes shkencë. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Clooney ka fituar para vitin e kaluar më shumë…