
8-shi i PDK-së, Nexhmi Muçiqi kandidat për asambleist në Podujevë
Biznesmeni i suksesshëm, Nexhmi Muçiqi, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së në Podujevë. Ai do të garojë me numrin 8 dhe pret besimin e qytetarëve të Llapashticës dhe Podujevës.
Muçiqi, përmes llogarisë së tij në ‘Facebook’, ka njoftuar qytetarët llapjanë se ndihet i privilegjuar që më 12 tetor do të përfaqësojë të dy Llapashticat dhe se nuk do të ndalet derisa t’i kthejë dinjitetin e humbur vendit dhe komunës.“Të dashur qytetarë të komunës së Podujevës, Shumë të respektuar bashkëfshatarë të mi të Llapashticës,
Jam i privilegjuar që më është dhënë besimi që në zgjedhjet komunale të 12 tetorit të garoj për Asamblenë Komunale dhe që më është dhënë mundësia të marr detyrën e përfaqësimit për të dy Llapashticat.
Andaj do të mundohem me gjithë fuqinë time që Llapashticës t’i kthehet dinjiteti në përfaqësim dhe të ndihet krenare si fshati më i madh në komunën tonë.
E di se vendi ka probleme të ndryshme — ditore, javore, mujore, vjetore — dhe jam i vetëdijshëm se nuk mund të zgjidhen të gjitha përnjëherë, por për atë çfarë mund të bëjmë për Llapashticat dhe për Llapin do të flasim në ditët në vijim.
Jam i bindur se punëve duhet t’u qasemi një nga një: së pari në shtëpi, pastaj në lagje, në fshat, në qytet e në gjithë vendin.
Asnjëherë nuk them se gjithçka është zi, por e di se mund të bëhet më shumë dhe më mirë. Prandaj besimi juaj më 12 tetor është shumë i rëndësishëm dhe vota juaj vlen shumë; ajo është vendimtare për projektet 4-vjeçare që do të realizohen në të dy Llapashticat dhe në gjithë komunën tonë.” — ka shkruar Nexhmi Muçiqi.