9 vjet pa Astritin, 9 vjet pa drejtësi për Astrit Deharin

05 nëntor 2025 | 12:07

Sot, në 9 vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit Dimal Basha, Nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryetarët tanë dhe kandidatët tanë për kryetarë të komunave, me anëtarë të kryesisë së Lëvizjes, ministra, deputetë e aktivistë, vizituan familjen Dehari dhe më pas, së bashku me ta dhe me shumë qytetarë e miq, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta te varri i Astrit Deharit.

Sot kujtojmë me mall e dhembje, por edhe me vendosmëri për të mos harruar e për të mos u pajtuar me padrejtësinë. Kanë kaluar nëntë vjet që prej ditës kur Astriti u vra në burgun e Prizrenit, ku mbahej në paraburgim pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim e pa u marrë në pyetje për 68 ditë.

Astriti ishte shembulli i aktivistit që angazhohej me përkushtim për të varfërit, për punëtorët, për të përjashtuarit e shoqërisë. Si student, aktivist dhe doktor i ri, ai e shihte profesionin edhe si mjet për t’u afruar me njerëzit. Ishte njeri i guximit, i idealit dhe i dashurisë për lirinë e për drejtësinë sociale.

Kryeministri Albin Kurti, në prononcimin e tij për media, tha se Astrit Dehari ishte në burg për shkaqe politike për shkak se nuk pajtohej me pushtetin e atëhershëm. Ai u mbyt në burg dhe sot e kësaj dite nuk ka as të akuzuar, as të gjykuar e lëre më të dënuar për rastin e tij.

“Si qeveri e Republikës së Kosovës jemi në gjendje gatishmërie shumë të vullnetshëm dhe shumë të interesuar që ta ndihmojmë prokurorinë e shtetit, mirëpo 9 vjet janë tepër shumë, edhe 9 muaj do të ishin shumë pa u zbardhur ky rast, pa u sqaruar e vërteta dhe pa u sjellur drejtësia”, shtoi kryeministri Kurti.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, së bashku me…