Prof. dr. Gazmend Pula: Libër me rëndësi të veçantë mbi Procesin e Helsinkit
Libri Procesi i Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi trajton mënyrën se si ky proces ka ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe historinë politike të Kosovës.
Në qendër të tij qëndron analiza e Procesit të Helsinkit, i konsoliduar përmes Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), e konceptuar si arenë dialogu midis Lindjes dhe Perëndimit dhe e mbështetur në Aktin Final të Helsinkit (1975). Ky akt, i nënshkruar nga pothuajse të gjitha shtetet evropiane së bashku me ShBA-në dhe Kanadanë, u afirmua si një instrument politik dhe moral me ndikim afatgjatë, duke sjellë një risi thelbësore: përfshirjen për herë të parë të të drejtave të njeriut si parim i veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Kjo risi e shndërroi KSBE-në në forumin e parë rajonal ku mund të diskutohej hapur edhe statusi i të drejtave të njeriut. Konkretisht, shtetet anëtare të KSBE-së, si nënshkruese të Aktit Final të Helsinkit, edhe pse nuk u ngarkuan me obligim juridik, u angazhuan poli¬tikisht dhe moralisht të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e parimeve themelore të këtij akti, ndër të cilat një vend të veçantë zinte parimi i të drejtave të njeriut. Kjo nënkuptonte jo vetëm përballjen me kritika për shkeljet e mundshme, por edhe faktin që gjendja e të drejtave të njeriut në vendet e tyre të bëhej objekt diskutimi në nivele të ndryshme politike. Si rrjedhojë, çështja e të drejtave të njeriut dominoi vazhdimisht diskursin midis shteteve anëtare të KSBE-së gjatë Procesit të Helsinkit. Vendet perëndimore kritikonin vendet lindore për shkelje të të drejtave politike dhe civile, ndërsa këto të fundit e refuzonin kritikën duke iu referuar parimit tjetër të aktit – mosndërhyrjes në punët e brendshme. Në të njëjtën kohë ato akuzonin Perëndimin për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale. Ky diskurs brenda KSBE-së kontribuoi gjithashtu në forcimin e unitetit të shteteve perëndimore në kuadër të forumit dhe ushtroi një ndikim të rëndësishëm në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s dhe të bashkësisë politike evropiane.
Një tjetër aspekt me rëndësi që thekson ky libër është struktura organizative më pak burokratike e KSBE-së, krahasuar me atë të Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara. Kjo strukturë hapi mundësi të reja për ndikimin nga poshtë-lart, përmes veprimtarisë civile në fushën e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar, e njohur si Lëvizja e Helsinkit. Në këtë kuadër, formimi i grupeve të Helsinkit në Lindje dhe në Perëndim, si dhe rrjetëzimi i tyre transnacional, tregojnë se Procesi i Helsinkit nuk kufizohej vetëm në nivelin ndërshtetëror përmes delegacioneve shtetërore, por zhvillohej paralelisht edhe në një dimension transnacional civil. Ky dimension lidhej si me përpjekjet e aktivistëve në vendet totalitare e autoritare, të cilët kërkonin respektimin e parimit të të drejtave të njeriut të sanksionuar në Aktin Final të Helsinkit, ashtu edhe me mbështetjen që ata gjetën te aktivistët perëndimorë. Shembuj tipikë të kësaj veprimtarie janë Grupi i Helsinkit në Moskë, Solidarnost në Poloni dhe Charta 77 në Çekosllovaki. Njëkohësisht, mbështetja nga komitetet e para të Helsinkit në Perëndim – si Helsinki Human Rights Watch në SHBA, Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe komitete të tjera simotra – çoi në themelimin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, e cila forcoi më tej dimensionin e solidaritetit transnacional civil të këtij procesi. Ky dualitet – ndërshtetëror dhe civil – e shndërroi Procesin e Helsinkit në një nga zhvillimet më të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke ushtruar ndikim të gjerë mbi Luftën e Ftohtë dhe raportet ShBA -Bashkimi Sovjetik. Ky proces, gjithashtu, pati një rol nxitës në politikën reformiste të Mikhail Gorbaçovit, e cila ishte vendimtare që regjimet totalitare dhe autoritare të fillonin të hapeshin ndaj parimit të Aktit Final të Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe ndaj ndryshimeve paqësore në Evropën Lindore, duke përshpejtuar përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Në thelb, ky libër paraqet një studim me rëndësi të veçantë mbi Procesin e Helsinkit, i trajtuar si një pikë kthese në historinë politike evropiane, që solli një transformim rrënjësor politiko-demokratik jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, me efekte dhe përfitime të jashtëzakonshme për popullin shqiptar.
Për më tepër, ky libër dëshmon gjithashtu se shqiptarët, në bashkëpunim me miq ndërkombëtarë, arritën ta ndërkombëtarizojnë çështjen e Kosovës në kuadër të këtij procesi historik, edhe pse në atë periudhë as Shqipëria – shteti amë – nuk ishte anëtare formale e KSBE-së. Trashëgimia e këtij procesi, edhe pas institucionalizimit të KSBE-së në vitin 1995 si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), mbeti me ndikim të rëndësishëm. Në këtë kuadër, Procesi i Helsinkit duhet parë si pjesë e dinamikës dhe e vazhdimësisë së Luftës së Ftohtë, i cili nga njëra anë kontribuoi në zvogëlimin e rëndësisë absolute të parimit vestfalian të mosndërhyrjes – i konsoliduar me Traktatin e Vestfalisë (1648) – dhe në afirmimin e të drejtave të njeriut si standard ndërkombëtar. Kjo nënkuptonte që shkeljet e të drejtave themelore nuk duhej më të trajtoheshin thjesht si çështje të brendshme, por legjitimonin reagimin ndërkombëtar, sidomos në rastet kur regjimet shtetërore shkelin të drejtat bazike të qytetarëve dhe shkaktojnë kriza humanitare. Nga ana tjetër, ky proces kontribuoi në konsolidimin e politikave evropiane të sigurisë dhe paqes përmes NATO-s. Në këtë vazhdë, autori, në konkluzionet e librit, potencon rëndësinë e dy aspekteve – atij të sigurisë dhe atij humanitar – të cilët u shfaqën si vazhdimësi e drejtpërdrejtë e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe u konkretizuan edhe në rastin e Kosovës. Përpjekjet legjitime dhe komplementare të shqiptarëve të Kosovës për liri – përmes rezistencës me mjete paqësore dhe asaj të armatosur – të kombinuara me gjendjen e rëndë humanitare në terren, u pasqyruan në raportet dhe misionet monitoruese të OSBE-së, duke krijuar bazën normative dhe legjitimimin ndërkombëtar për ndërhyrjen ajrore të NATO-s, e cila çoi në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Rrjedhimisht, ky libër i politologut Fatmir Lekaj, me qartësinë e tij analitike, dokumentimin e pasur dhe referencat e verifikueshme, e paraqet Procesin e Helsinkit si dëshmi se idealet mund të shndërrohen në norma ndërkombëtare. Duke e përfshirë Kosovën në këtë rrëfim, libri na kujton se përpjekjet dhe sakrificat shumëdekadëshe të shqiptarëve për liri u sinkronizuan gjithnjë e më shumë me idealet për liri dhe paqe, të shndërruara në norma ndërkombëtare. Kjo çoi jo vetëm në çlirimin e Kosovës, por edhe në zgjerimin e këtyre normave përmes OSBE-së dhe NATO-s në Ballkan. Si i tillë, ky libër mbetet një kontribut i çmuar dhe reflektues në literaturën mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe, veçanërisht, historinë politike të Kosovës.
Prof. dr. Gazmend PULA,
themelues dhe ish-kryetar i Komitetit Kosovar të Helsinkit



