KQZ nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare

02 dhjetor 2025 | 19:21

Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.

Anëtarët e KQZ-së vendosën me 2 vota për, 2 vota kundër që erdhën nga LVV, dhe pjesa tjetër abstenuan.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes tha se vota kundër për Listën Serbe shkon për faktin që nënkryetari i saj ka qenë organizator i drejtpërdrejtë i sulmit të Banjskës.

“Radojçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka bërë një sulm të armatosur në Republikën e Kosovës me një grup terroristësh me ndihmën e qeverisë serbe. Përveç që e ka bërë ai, e ka pranuar personalisht, dhe ka dhënë deklaratë botërisht se ka qenë udhëheqës, organizator i sulmit të armatosur. Aty janë vrarë 4 njerëz… Pra, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve ka shpallur tre ditë zie për terroristët e vrarë në sulmin në Banjskë. Jo që s’ka hequr dorë ose s’ka kërkuar falje, por ka shpallur ditë zie duke i shpallur ata heronj”, ka thënë Kurteshi.

KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, por PZAP e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së…