Doktrina Trump që arkivon rendin botëror të pasluftës: Pse po ndodh ‘përplasja’ me Europën?
Le të përpiqemi të bashkojmë tonin pohues të rreth tridhjetë faqeve të “strategjisë së sigurisë kombëtare”, të publikuara natën e së premtes nga Shtëpia e Bardhë, me lajmin ekskluziv të agjencisë Reuters, që thotë se nga viti 2027, drejtimi i NATO-s, dhe një sërë detyrimesh të lidhura me të, do të duhet të jetë europian.
Rezultati nuk është larg nga bindja se Aleanca Euro-Atlantike, ashtu si e kemi konsideruar deri tani, është në fundin e vet. Dhe, ka ardhur koha të pranojmë faktin se një kapitull i historisë është mbyllur dhe një tjetër duhet të shkruhet nga e para. Në kushtet më të këqija, sigurisht: pa zgjedhur kohën dhe objektivat, dhe të zhytur, siç jemi, në një situatë pasigurie me pak precedentë, në epokat e fundit.
Merr ose lëre, sepse kjo është “doktrina Trump”. Në fakt dokumenti, i shkruar në mënyrë mjaft të përafërt dhe jo imun ndaj kontradiktave, ka një cilësi të madhe. Na detyron të gjithëve të hapim sytë mbi faktin se ekziston një strukturë ideologjike e qartë që lëviz zgjedhjet e presidentit Trump, edhe pse shpesh e vështirë të deshifrohet, për shkak të karakterit të tij ‘shpërthyes’.
Përndryshe, bëhet fjalë për një lloj manifesti, kjo është e qartë duke parë se referimi te doktrina e presidentit Monroe, e cila është shumë e përmendur në këtë moment në SHBA, pasurohet nga ajo që paraqitet në thonjëza si “doktrina Trump”. Pra, dora që ka hartuar analizën kërkon të na thotë në mënyrë eksplicite se ky vit i Presidencës Trump nuk ka qenë një seri veprimesh të ngatërruara dhe të lëkundura, por aplikimi i kësaj doktrine të re të politikës kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kështu, presidenti amerikan donte të sanksiononte shkëputjen nga Evropa dhe ‘qëndrimin kolonial të saj ndaj Shteteve të Bashkuara’, pra të vendoste të drejtën e vetëvendosjes së Amerikës, që më pas përkthehet në një qëndrim imperialist në emër të mbrojtjes së interesave amerikane, “Doktrina Trump” bëhet shprehja e tij bashkëkohore.
Vëmendja është tek hemisfera perëndimore, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e mbrojtur nga rreziqet e migracionit masiv, ku qeveritë, të gjitha së bashku, luftojnë kartelet e drogës dhe organizatat kriminale dhe ku garantohet qasja në pozicionet strategjike. Dhe, jo rastësisht, për ato pozicione strategjike, Trump flet që nga dita e parë e presidencës. Vende strategjike janë Panamaja dhe portet e saj të përfunduar në duart e kinezëve; Kanadaja, me të cilën marrëdhëniet janë gjithnjë e më të tendosura dhe Groenlanda, e cila vazhdon të mbetet në shënjestrën e tij për kontrollin e Arktikut dhe të materialeve të tjera.
Sigurisht, jep qetësi të lexosh që presidenti amerikan të paktën thotë se dëshiron të mbështesë aleatët europianë në ruajtjen e lirisë dhe sigurisë. Por shumë më pak qetësues është pasazhi në të cilin ai bën fjalë për nevojën për të rikthyer besimin në qytetërimin e vet dhe në identitetin perëndimor të Europës. Për faktin se kjo mund të përkthehet në qëllime shumë më të qarta ndërhyrjeje në politikën e shteteve europiane, për të cilën po flitet shumë në këto kohë.
Megjithatë çështja kyçe, elementi kyç mbetet të vëzhgohet sesi pikat po lidhen njëra pas tjetrës, në një vizatim të qartë. Kujtojmë sulmet verbale të JD Vance në Mynih një vit më parë, kujtimet e vazhdueshme negative kundër Europës, e akuzuar se është një parazite, që mbrohet nga SHBA-ja, pa i kushtuar mjaftueshëm pjesë të buxhetit të saj mbrojtjes, si dhe referimet ndaj ideologjisë liberale dominuese, në kontinentin evropian.
Do të vinte natyrshëm pyetja përse kjo përzierje heterogjene përfundon brenda dokumentit strategjik të Shtëpisë së Bardhë, dhe e vetmja përgjigje është supozimi nga i cili nisëm. Nuk është një dokument strategjik, por një pamflet i Doktrinës Trump, që mban bashkë të gjitha shpirtrat që lëvizin pas tij dhe e kanë rikthyer në pushtet. Ka konservatorizëm social, thirrje për reindustrializimin e SHBA-ve dhe rindërtimin e klasës së mesme, shtysën teknologjike dhe inovative, që duhet t’i mbajë SHBA-të në vendin e parë në botë.
Dhe këto ambicie janë plotësisht legjitime, sigurisht. Por, në momentin që ecin paralelisht me zbutjen e lidhjeve të Aleancës Atlantike, detyrojnë europianët të marrin një ndërgjegjësim dhe një vendim, për rolin që duan të luajnë.
Përndryshe, nuk është hera e parë në histori që Europa duhet të bëjë pa ombrellën amerikane; madje është e vërtetë e kundërta. Kjo ide e mbrojtjes amerikane është më shumë trashëgimi e periudhës së pasluftës, e zhvilluar pas dy luftërave botërore. Sot gjërat kanë ndryshuar. Për të shtuar pasigurinë e përgjithshme ka ardhur doktrina Trump, e cila mund të duket herë pas here kontradiktore, por jo e paqartë.
Ne europianëve na mbetet detyra të rinegociojmë me njëri-tjetrin dhe me Historinë, rolin që duam të interpretojmë. Duke dashur gjithashtu të ribëjmë të qartë se të themi se jemi evropianë, ka një kuptim që nuk negociohet. Dhe ky nënvizim duket i nevojshëm, pasi një tjetër tundim i padeklaruar i doktrinës së re të Shtëpisë së Bardhë duket të jetë ai i kthimit pas të orëve të Historisë sonë, duke na trajtuar si kombe të veçuara.



