Mabco ankimon në Apel vendimet që bllokuan aeroportin e Vlorës, gjykatësit në ILD
Shoqëria zvicerane “MABCO Constructions SA”, e lidhur me biznesmenin Emin Pacolli, ka depozituar më 9 janar 2026 një “ankim të veçantë” në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku kërkon rrëzimin e masës së sigurimit të padisë që, sipas saj, ka paralizuar vendimmarrjen në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” SHPK dhe, në praktikë, ka futur në ngërç punimet e aeroportit.
Në dokumentin e ankimit, MABCO e quan vendimin e shkallës së parë “një vendim arbitrar, haptazi i pabazuar në prova e në ligj” dhe pretendon se ai “ka passjellë neutralizimin e plotë të pozitës së ankuesit Mabco si ortaku që zotëron shumicën prej 98% të kuotave”, duke theksuar se ka “realizuar investime të dokumentuara në këtë projekt në një vlerë mbi 80 milionë euro”.
Po aty, kompania pretendon se vendimi i gjykatës ka sjellë “zhveshjen e Mabcos nga ushtrimi real i të drejtave që rrjedhin nga zotërimi i kësaj kuote”. Bllokimi i aeroportit nga kompania që ka 2% të aksioneve

Në thelb të konfliktit qëndron përplasja me ortakën minoritare “2A Group”, e cila zotëron 2% të kuotave të regjistruara, por pretendon se i janë kaluar 47% të tjera me një kontratë shitjeje kuotash të prillit 2025, kontratë që, sipas MABCO, “nuk rezulton që të jetë regjistruar në QKB”.
Në dokumentin ankues MABCO e cilëson padinë e ngritur nga pala tjetër si “krejtësisht të pabazuar në ligj, absurde”, madje si “shprehje të abuzimit flagrant” me të drejtën për të ngritur padi. Bërthama e bllokimit lidhet me masën e sigurimit të padisë të dhënë më 23 dhjetor 2025 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendim që, siç citohet në ankim, ka vendosur “Pezullimin e së drejtës së votës së ortakut, shoqërisë Mabco Construction SA, Degë e Shoqërisë së Huaj në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë ‘Vlora International Airport’ (VIA) SHPK, si dhe çdo të drejte që rrjedh nga zotërimi i kuotës në këtë shoqëri, derisa vendimi të marrë formë të prerë.”
MABCO argumenton se ky vendim prodhon të njëjtat pasoja që, sipas saj, një ditë më herët një gjykatë më e lartë i kishte frenuar, duke nënvizuar se Apeli, më 22 dhjetor 2025, e kishte kufizuar masën vetëm për një çështje të caktuar, pra “duke pezulluar të drejtën e votës së ortakut, shoqëria ‘Mabco Constructions Sa’ për çdo vendim që lidhet me tjetërsimin e 47% të kuotave në shoqerinë ‘Vlora International Airport, VIA’ SHPK, në favor të tretëve, deri në përfundim të këtij gjykimi.”
Pikërisht me këto dy vendime të kundërta, një të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe një të Gjykatës së Apelit qëndron edhe absurdi i procesit, që ka provokuar një krizë funksionimi të shoqërisë koncesionare, një masë e ngushtë e Apelit që synon të ruajë status quo vetëm mbi 47% e diskutueshme, dhe një masë e gjerë e shkallës së parë që, siç thotë MABCO, neutralizon tërësisht të drejtat e ortakut shumicë.
Për MABCO kjo është një goditje direkte mbi qeverisjen e shoqërisë dhe mbi ecurinë e projektit, sepse pezullimi i votës dhe “çdo të drejte” e bën praktikisht të pamundur marrjen e vendimeve të nevojshme për vijimin normal të veprimtarisë.
Gjykatësit Marjana Shegani dhe Fatri Ndreu përballë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë

Por MABCO nuk është mjaftuar vetëm me apelimin e vendimit të shkallës së parë. Duke parë arsyetimin e gjykatëses dhe rrethanat e dhënies së vendimit një ditë pas vendimit të Apelit, zyra juridike e shoqërisë ka depozituar një ankesë më 9 janar 2026 për ta çuar gjyqtaren Marjana Shegani përpara Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pas vendimit të saj që pezulloi tërësisht të drejtat e aksionerit shumicë në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” SHPK.
Në dokument, MABCO e cilëson vendimin e dhënë më 23 dhjetor 2025 si “një vendim arbitrar, haptazi i pabazuar në prova e në ligj”, duke theksuar se ai ka sjellë “neutralizimin e plotë të pozitës së ankuesit Mabco si ortaku që zotëron shumicën prej 98% të kuotave”. Sipas ankuesit, masa ka prodhuar pasoja të rënda, pasi gjykata ka vendosur “pezullimin e së drejtës së votës së ortakut … si dhe çdo të drejte që rrjedh nga zotërimi i kuotës në këtë shoqëri, derisa vendimi të marrë formë të prerë”.
Në ankesë argumentohet se ky vendim jo vetëm bie ndesh me ligjin procedural, por edhe shpërfill një vendimmarrje të mëparshme të Gjykatës së Apelit, e cila vetëm një ditë më parë kishte kufizuar masën e sigurimit. MABCO nënvizon se gjykata e apelit kishte vendosur pezullim vetëm “për çdo vendim që lidhet me tjetërsimin e 47% të kuotave”, ndërsa vendimi i Sheganit ka shkuar shumë më tej, duke e zhveshur aksionerin shumicë nga çdo e drejtë.
Shoqëria zvicerane thekson gjithashtu se vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka prodhuar efektin e bllokimit faktik të projektit, duke vënë në rrezik investime të deklaruara “në një vlerë mbi 80 milionë euro” dhe duke paralizuar funksionimin e shoqërisë koncesionare. Sipas ankimit, kjo situatë ka krijuar “të njëjtat pasoja juridike të ndaluara një ditë më parë nga një gjykatë më e lartë”.
Ankesa drejtuar ILD kërkon verifikimin disiplinor të veprimeve të gjyqtares Marjana Shegani, me pretendimin se vendimi i saj përbën shkelje të rënda të ligjit dhe të parimit të proporcionalitetit, duke i dhënë një aksioneri minoritar mundësinë të bllokojë një investim strategjik kombëtar.

Njëson si Shegani është dërguar për inspektim në ILD edhe vendimi i dhënë më herët nga gjykatësi Fatri Ndreu. Në ankesën drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, MABCO rendit shkelje pothuajse identike edhe ndaj gjyqtarit Fatmir Ndreu, i cili në tetor 2025 vendosi masën e parë të sigurimit të padisë që hapi zinxhirin e bllokimit të Aeroportit të Vlorës. Sipas ankimit, Ndreu ka shqyrtuar kërkesën për sigurim padie para ngritjes së padisë “në dhomë këshillimi, pa qenë ky një rast përjashtimor i parashikuar nga ligji dhe pa u argumentuar se pse ka ndodhur kjo”, duke mohuar të drejtën e palës së prekur për t’u dëgjuar.
Dokumenti thekson se kërkesa është pranuar mbi një objekt tërësisht të papërcaktuar, pasi pala kërkuese ka deklaruar se do të paraqiste një padi për “shfuqizimin e vendimeve të paligjshme të shoqërisë Mabco”, pa identifikuar se cilat vendime konkrete kundërshtoheshin.
Pavarësisht kësaj paqartësie, gjyqtari ka vendosur pezullimin e vendimmarrjes së asamblesë së VIA-s dhe pezullimin e së drejtës së votës së Mabco-s, duke lidhur këtë masë me regjistrimin në QKB të kontratës së shitjes së kuotave të datës 3 prill 2025, një lidhje që ankesa e cilëson “paradoksale, kontradiktore dhe alogjike”.
Pasojat, sipas dokumentit, kanë qenë të menjëhershme dhe të rënda, paralizë e plotë e veprimtarisë së VIA-s, pamundësi për ushtrimin e funksioneve të administrimit, pagesat e pagave, nënshkrimin e dokumenteve financiare e tatimore dhe zbatimin e kontratës së koncesionit. Në fund, ankesa ngre edhe dyshime serioze mbi mënyrën e caktimit të gjyqtarit në çështje dhe shpejtësinë e pazakontë të vendimmarrjes, duke kërkuar nga ILD verifikim disiplinor për shkelje që, sipas saj, cenojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor.



