Letër e hapur drejtuar Kosovës nga mërgata
Ismet Rashiti
(Jo Kosovës, por përçarësve, mercenarëve dhe maskarenjve që po përpiqen të krijojnë kufij ndarës mes shqiptarëve dhe të shpikin “kombe” të reja, duke u thirrur në emrin e Kosovës)
Kosovë, a e di se çka dhemb më shumë se plagët? Jo thikat, jo plumbat, as lotët e mallit nëpër dhomat e shtëpive dhe barakave të vjetra të mërgimit. Më e rënda është kur gjaku yt, ai që dikur e ngrohe me duar, ta kthen shpinën dhe e shkel me këmbë bukën që ia dhe. Dhe ti, po, TI je Kosova ime e dashur, atdheu ynë, për të cilin dekada me radhë ramë për të fjetur e nuk bëmë asnjë pikë gjumë. Ashtu siç binim, zgjoheshim të dërmuar nga ëndrrat për Ty, Kosova jonë e dashur.
Ti, Kosovë, që na rrite në sofrën tënde të varfër, por të ndershme. Ti që ndave me ne bukën e zezë dhe shpresat e bardha. Ti që dikur na shikoje me lot gëzimi kur vinim nga mërgimi me valixhet plot. A i kujton ato valixhe, Kosovë? A i kujton ato letra që t’i dërgonim me erën e mallit dhe të dashurisë? Secila letër, secila valixhe ishte një copë zemre; secili cent që ndanim ishte një pikë djerse e përzier me lot.
Ne i kursyem gëzimet tona që ti të mos vuaje për bukën e gojës, që ti të mos dorëzoheshe para armikut. Hoqëm nga goja e fëmijëve tanë vetëm që ti, Kosova jonë, të qëndroje si kështjellë e pamposhtur, të rezistoje përballë çdo furtune. A të kujtohet, Kosovë, kur dilje në aeroport e në kufi dhe na prisje krahëhapur? U përqafonim si djali e vajza me nënën. Kudo mbretëronte gëzimi, jehonte kënga dhe vallja.
Eh, Kosovë, ne mërgimtarët e tu, me zemër të zhuritur, mezi presim të vijmë në gjirin tënd, të ngrohemi pak si në gjoksin e nënës, të marrim frymë së bashku me Ty dhe të pushojmë nga punët e rënda.
E ti, Kosova jonë, sa shpejt u lazdrove.
Na harrove, ashtu siç fryma i shpërndan gjethet e vjeshtës. Jo vetëm që na harrove, por edhe na keqpërdore. E ktheve ndihmën tonë në akuzë, në pretekst, në përçmim ndaj nesh. Sot po përpiqesh të na mohosh të drejtën e votës, nesër ndoshta edhe të drejtën e fjalës, duke na konsideruar si “të huaj”, ndonëse atje i kemi varret e të parëve, shtëpitë, arat dhe malet tona.
Edhe pse paguajmë tatime si qytetarë besnikë, marrim pjesë në çdo aksion ndërtimi, paguajmë rregullisht detyrimet, bëjmë fejesa, dasma dhe çdo gjë tjetër, duke derdhur miliarda mjete financiare. Por ti tashmë ke filluar të ecësh me kokën anash. Mos harro: ajo kokë e mbushur është si tullumbace – fryhet shpejt dhe plas më shpejt. Mendon se je rritur me krahët e tu, por harron se ata krahë i ndërtuam bashkë.
Ti je sot si një zog që fluturon mbi erën e egoizmit, por nuk e di se ajo erë që të ngriti, nesër mund të të përplasë në baltë. Po bëhesh si bari që harron burimin e ujit që e mbajti gjallë. Mendon se lumi rrjedh përjetësisht, por kur lumi thahet, bari digjet. Mendon se rrënjët nuk kanë rëndësi, por pa to je një pemë e thatë, gati për t’u rrëzuar nga era e parë e fatkeqësisë.
Ti po përpiqesh të presësh degën ku qëndron. Dhe kur të vijë ajo ditë, kujt do t’i kërkosh dorën? Atij që sot të duartroket për “pavarësinë” e ndërtuar mbi mundin e të tjerëve? Apo sërish neve, që sot po na shkel me këmbë?
Mos u mashtro, Kosovë, nga përçarësit e kombit, nga ata që po përpiqen ta ndalin frymën tënde, nga ata që duan t’i thyejnë krahët. Mos harro kaq shpejt se jemi një dhe të pandarë. Mos harro se jemi pjesë e gjakut tënd. Kemi një gjuhë, një kulturë dhe të njëjtat tradita që nuk na lejojnë të ndërtojmë kufij mes vete, ashtu siç dëshirojnë përçarësit që, me pretekste të ndryshme, kërkojnë ndarje mes shqiptarëve.
Kosovë, së bashku punuam, sakrifikuam, rezistuam, luftuam dhe u çliruam. Prandaj mos i lejo përçarësit të përhapin mjegull mbi ujë, sepse kur mjegulla të zhduket, do të mbetesh pa fytyrë. Kosovë e dashur, mos u bë pre e kësaj propagande antikombëtare, sepse do të mbetesh si trung i thatë, pa degë dhe pa gjethe.
Kosova jonë e dashur, përçarësit nuk po shkelin vetëm mbi dhimbjen dhe dinjitetin e mërgimtarit, por edhe mbi dashurinë dhe mallin e tij, mbi vëllazërinë dhe nderin. Mërgata nuk të dha vetëm para; të dha shpresë, të dha luftetarë, të dha heronjë, të dha krahë, të dha shpirt dhe dashuri. E përçarësit, në « emrin »tënd po përpiqen t’i hedhin në baltë të gjitha, sepse për ta mbi gjithçka tjetër, mbi interesin e kombit, qëndron interesi personal në emër të partisë.
Dëgjo mirë, Kosovë: gjaku nuk bëhet ujë, por gjaku i ftohtë është mallkim për shpirtin e njeriut. Një ditë fjalët tona do të të bien mbi ndërgjegje si gurë të rëndë, që nuk do t’i heqësh dot nga shpirti. Atëherë do të kujtosh çdo pikë djerse të mërgimtarit, çdo natë pa gjumë, çdo lot të nënës për djemtë që sakrifikuan për ty. Dhe do ta kuptosh se ke humbur më shumë se para: ke humbur vëllazërinë, e cila nuk blihet me asgjë.
Kjo nuk është këshilla ime e fundit, Kosovë. Kjo është letra ime e parë që po ta shkruaj, unë mërgimtari që të mbaj në zemër në çdo hap dhe që jam gati të jap frymën e fundit sa herë të duhet.
E shkrova këtë letër për të lutur të mos ua vësh veshin atyre që vetëm gërryejnë në emër të kombit dhe të Shqipërisë. Të shkrova që të më dëgjosh ti, por edhe që të më dëgjojnë ata që sot flasin zi e terr në emrin tënd e nesër do ta kthejnë shpinën. Historia nuk fal, as vëllazëria e tradhtuar nuk shuhet kurrë.
Ne, mërgimtarët, do të jemi bashkë e të lidhur fort me trupin tonë kombëtar, si degë të shëndetshme, ashtu si në çdo kohë dhe në çdo situatë.



