“Çesta” vija e parë e frontit, ndërsa “Ura e Pashës” vija e dytë
Pjesë nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”
Shkruan: Lulzim Sahiti
Lëvizja e forcave serbe në brendi të fshatit filloi rreth orës 7:00. Këtë aksion nga “Çesta” e Reçakut e udhëhiqte komandanti i Kompanisë së Njësisë së Policisë Speciale, majori serb Milan Lečić.
Pak pas orës shtatë nga policia serbe u vra në “Çestë” banori i pafajshëm civil, Mustafë Beqë Asllani (31), në rrugë në drejtim të Shtimes. Me këtë rast, filluan të shtënat nga UÇK-ja, ku ishte një pikë kontrolli e UÇK-së në “Çestë” te shtëpia e Njazi Zymerit. Në këtë pikë atë ditë prej orës 4:00 të mëngjesit bënin roje ushtarët e lirisë: Fatmir Rexhaj “Mili”, Ramadan Hysenaj “Derovci” dhe Izjadin Rexhaj “Dini”. Pas dëgjimit të krismave, në ndihmë nga Shtabi i UÇK-së (Shtëpia e Shyqyri Imerit dhe Haxhi Rizahut) atyre u shkojnë ushtarët: Njazi Mujota, Agim Ismajli dhe Shaban Ndrecaj, të cilët pozicionohen në shtëpi të Mahmut Mahmutit, nga e cila kanë vëzhguar ardhjen e forcave serbe në drejtim të Çestës, nga Pishat e Shtimes, nga rruga mbi Entin Special dhe nga pyelli që është mbi rrugën Shtime-Petrovë. Ngjitja e forcave armike drejt pozicioneve të UÇK-së bëhej në mënyrë taktike, disa binin përtoke disa ngriheshin e ecnin në vrap. Menjëherë, ushtarët e UÇK-së kanë gjuajtur në drejtim të tyre. Mirëpo forcat serbe, po sa kanë hetuar se nga cili vend po sulmohen kanë përdorur autoblindën nga e cila qëllohej pozicioni i UÇK-së, ku shkonin copat e bllokave nga të gjitha anët. Me këtë rast, ushtarët e UÇK-së u shtrinë në dysheme konform rregullave ushtarake. Krismat u shpeshtuan pambarim. Meqë ky vend ishte i papërshtatshëm për të rezistuar më tutje, gjashtë ushtarët e UÇK-së fillojnë tërheqjen graduale në brendi të fshatit. Pastaj, forcat serbe fillojnë të gjuajnë edhe nga pjesa tjetër ku ishte bunkeri te “Livadhi i Sherifit”, i cili kishte rënë herët në mëngjes në duar të forcave armike. Në këtë formë ka vazhduar tërheqja graduale deri te xhamia e fshatit. Aty janë takuar me ushtarin Afrim Syla dhe Nazim Kokollarin, të cilët ishin tërhequr kohë më parë nga Pika e UÇK-së te “Ura e Pashës”, e cila gjendet tek rruga Shtime-Reçak-Petrovë. Gjithashtu te xhamia janë takuar edhe me Ragip Bajramin, i cili ishte furnizues civil i UÇK-së. Ai, nga Njaziu kishte kërkuar një pushkë për të rezistuar. Mjerisht, ushtarët e UÇK-së nuk kishin armë rezervë dhe nuk arritën t’ja plotësojnë këtë kërkesë, por e porositën që të shkon lartë tek pozicionet e UÇK-së, ndoshta mund të ketë atje. Ushtarët e UÇK-së, të mbetur brenda fshatit, pozicionohen te shtëpia e Metush Mustafës dhe te xhamia. Ndërkaq, forcat serbe me sisteme të mbrojtjes kundërajrore “Praga” fillojnë të vijnë teposhtë Çestës nga Lagjja e Dinajve, prapa së cilës vinin edhe tre xhipa me 10-15 policë duke ecur pas tyre. Nazim Kokollari dhe Izjadin Rexhaj posedonin mortajë të dorës M-500, ku me këtë rast Izjadini i marrë në shënjestër dhe ka gjuajtur në drejtim të forcave armike serbe. Menjëherë atje shkon një tym dhe policët që ishin brenda xhipave dalin përjashta duke u shpërndarë nëpër oborre.
Sipas të dhënave zyrtare serbe, në këtë rast është plagosur lehtë, polici Goran Vučićević (1969) dhe një automjet i tyre policor është dëmtuar. Me këtë rast, polici i plagosur në zonën e krahut të majtë menjëherë është dërguar për mjekim në Qendrën Spitalore në Prishtinë.
Për të dytën herë, Izjadini përsëri ka tentuar të godas forcat serbe por fatkeqësisht nuk i është aktivizuar predha. Mandej, tetë ushtarët fillojnë të tërhiqen nga këto pozicione duke vazhduar rrugën grykës përpjetë nga Shtabi i UÇK-së ngase nuk kishin kurrfarë të dhëna për pozicicionet e UÇK-së që kanë rënë në dorë të serbëve. Fillojnë vet t’i koordinojnë punët duke ecur lugut përpjetë deri te Shtabi (në shtëpi të Shyqeri Imerit), ku hyjnë brenda dhe marrin ca fishekë. Aty kishin mbetur vetëm disa rroba e çanta të ushtarëve pa asnjë ushtarë. Mandej, kanë kaluar oborrin e Shtabit duke dalë në oborrin e Haxhi Rizahut, ku e gjejnë afër çezmes zëvendëskomandantin e Kompanisë së Reçakut, Ali Beqën të plagosur rëndë. Këtij iu kishin pas zdeshur edhe pantallonat duke shkuar zvarrë me pi një pikë ujë në çezme. Në këto çaste, Aliu kur i ka pa bashkëluftëtarët e tij, me anë të gjesteve dhe mezi theksonte me zë të ulët “u”, ka kërkuar me pi ujë. Duke ditur se luftëtari i lirisë ishte në prag të vdekjes, Izjadin Rexhaj afrohet dhe i jep pak ujë. Mandej bashkëluftëtarët e tij, e vendosin në një batanije dhe fillojnë ta bartin rrugës përpjetë. Usharët tjerë që kishin mbetur mu në rrethin e zjarrit të armikut shkojnë mbrapa tyre. Kur kanë mbërri te dyrtë e Ahmet Mustafës, e hapin kapixhikun (deriçkë) me hyrë në oborr me pushuar pak. Vërehen nga forcat serbe që ishin të pozicionuar në dy kodrat përreth dhe fillojnë gjuajtjet e furishme. Luftëtari trim i UÇK-së, Nazim Tahir Kokollari (25) qëllohet në gjoks dhe bie përtoke, i vdekur në vend.
Shokët me dhembje të thellë e lënë në hajatë të odës së Ahmetit së bashku me Ali Rakip Beqën (26), i cili veç kishte ndërruar jetë nga gjakderdhja e madhe që kishte pasur. Nazimit, shokët ia marrin automatikun, ndërsa gjykësoren me municion duke ia marrë Njaziu, e qëllojnë forcat armike në këmbën e mjatë përmbi gju. Pak më herët në këtë vend ishte qëlluar me dy plumba në krahun e majtë edhe Afrim Syla por ai kishte arritur të tërhiqet. Nga breshëri i madh i plumbave që vinin nga të gjitha anët, këtu nga grupi bashkëluftëtarëve ishte shkëputur Izjadin Rexhaj dhe arrin të çajë rrethimin. Nga ky vend të gjithë ushtarët dalin në rrugë, ndërsa Njaziu shkon te çezmja e Ahmetit nga e cila kërcen gardhin dhe del në rrugë duke vazhduar tërheqjen lugut përpjetë nga “Vrella e Reçakut” së bashku me Agimin dhe Shabanin. Në këto çaste Njaziut i shkojnë sytë nga oborri i Mehmet Mustafës, ku ka parë 3-4 kufoma, por pa e ditur se të kujt janë përpos motrës (Hanumshahes), të cilën e kishte njohur në bazë të palltos së kaltër. Ky tenton të ofrohet për të parë nga afër mirëpo nga pjesa ku ishte bunkeri te “Livadhi i Sherifit”, forcat serbe sulmojnë ashpër, kështu që Njaziu detyrohet të bjenë përtoke. Gurët i kërcenin para syve. Në ndërkohë ka shkuar Agimi me Shabanin duke i thënë: “Ec, se ata kanë vdekur”. Së bashku kanë arritur të tërhiqen deri në lug te përrocka, ku Shabani tentoi t’ia lidhë Njaziut këmbën e plagosur. Mirëpo ky kishte refuzuar. Kështu kanë vazhduar rrugën përpjetë, ku rreth orës 14:00 janë ndal në anën e majtë te një bazen i vogël me ujë. Aty, Shabani e shkoqë këmishen e vet në fund dhe ia lidhë këmbën Njaziut. Mandej, përsëri kanë vazhduar rrugën e mundimshme përpjetë dhe kanë mbërri te “Verella e Reçakut” (ujësjellësi). Këtu janë hetuar nga forcat serbe dhe u bënë cak i pandërprerë i breshërive të armikut, të cilët gjuanin nga “Kodra e Bebushit”. Shpejt e shpejt të tretë janë pozicionuar brenda mureve të këtij objekti. I pari ka hyrë Shabani, pas tij Njaziu, kurse Agimi filloi të vonohet. Serbët gjuanin pandërprerë. Ndërkohë, Shabani nga meraku e qetë kokën në qoshe të murit dhe ka thirrë: “ O Agim”. Vërehet nga forcat serbe dhe gjuajnë në drejtim të tij, ku e qëllojnë murin, copat i kanë rënë në sy. Fytyrën ia mbuloj gjaku dhe më asgjë nuk shihte. Njaziu menjëherë hoqi nga qafa një shallë dhe ia dha. Ai e vendosi në sy për t’ia thithur gjakun, ku më pas e vërejti se kishte marrë plagë në qerpik të syrit. Në këtë moment ka ardhë edhe Agimi. Të tretë u barrikaduan në këtë vend të ftohtë me ujë dhe qëndruan për rreth dy orë. Dikur nga një dritare, Njaziu shiqon në drejtim të “Kodrës së Bebushit”, ku vëren policët serbë kur ngriteshin në këmbë dhe gjuanin në drejtim të fshatit, por nga largësia nuk ishte i sigurt a janë serbë apo ushtarë të UÇK-së. Agimi i tha: “Gjuaj”. “Jo” përgjigjet Njaziu sepse mund të jetë ndonjë shok i ynë. Krahas armatimit të tyre ata posedonin edhe automatikun e Nazim Kokollarit, të cilat në rast nevoje do t’i shfrytëzojnë deri në vdekje. Duke qëndruar të barrikaduar brenda “Vrellës”, ndëgjohej krisma e një pushke përmbi vendin ku ishin tre ushtarët e barrikaduar. Njaziu e thenë heshtjen duke thënë: “Kjo pushkë është e jona, e UÇK-së“, e cila me të vërtetë ishte e Fadil Mujotës. Pas kësaj krisme ka ardhur një djalë i ri, Mentor Halili i traumatizuar nga pamjet trishtuese që kishte parë në brendi të fshatit. Rreth orës 15:30, e marrin Mentorin me vete dhe janë nisur në drejtim të “Kodrës së Gërkovës”, nga vendi ku më herët u dëgjuan krismat e pushkës. Kur mbërrijnë atje, takojnë zëvendëskomandantin e Brigadës, Nebih Musliun, zëvendëskomandantin e ZON, Imri Ilazin, Skender Ademajn dhe 10-15 ushtarë tjerë.
Ramadan Hysenaj dhe Fatmir Rexhaj kanë mbetur më mbrapa dhe kanë vazhduar rrugën në të djathtë, kurse në të majtë të rrugës, kohë më parë janë tërhequr shokët e tyre: Njaziu, Shabani dhe Agimi. Ata, kur kanë filluar të ngjiten përpjetë në të djathtë, Fatmiri e gjenë një mortajë të dorës M-500, e cila mund t’i ketë rënë Afrim Sylës pas plagosjes. Ai e merrë këtë dhe vazhdojnë rrugën së bashku me Ramadanin, kur papritmas pas shpinës e dëgjojnë rafalin që vinte sipër tyre nga ana e policisë serbe. Këtu rreth orës 10:00 plagoset Ramadani në krahun e djathtë dhe sikur t’i këputet krahu i ka rënë automatiku në tokë. Në këto çaste e qëllojnë edhe në këmbën e majtë. Kështu i plagosur ka bërë disa zik-zake nja 10 metra dhe ka rënë përtoke. Ramadani filloi të brengoset për fatin e shokut të tij, i cili nuk dihej a është gjallë apo i vdekur. Pas nja gjysmë ore, Ramadani e ngritë ngadal kokën dhe e vëren Fatmirin të fshehur prapa një guri, në të cilin vend e kishte zënë pozitën. Disi ia bënë me dije që mos të lëviz nga ai vend, mirëpo Fatmiri nga dhembja që kishte për Ramadanin ka shkuar afër tij. Forcat serbe menjëherë kanë gjuajtur por për fat nuk arrijnë ta qëllojnë. Gjatë pozicionimit në këtë vend, këta e shohin një kufomë të një civili të vrarë (Bajruash Nusret Shabani, 23 vjeçar). Këtu të dytë së bashku kanë qëndruar më tepër se gjashtë orë te vendi i quajtur “Kisha e Reçakut” pa pasur mundësi të lëvizin më tutje nga gjuajtjet që vinin nga të gjitha anët. Gjatë gjithë kohës, Ramadani i plagosur e mbante një bombë në dorë për aktivizim, me qëllim që forcave kriminale serbe i gjallë të mos ju bie në dorë.
Rreth orës 15:00, ka ardhë teposhtë babai i luftëtarit të UÇK-së, Njazi Shabanit (Nusreti), ku me këtë rast Ramadani tenton ta aktivizon bombën nga frika se mund të jenë forcat serbe. Kur e vëren se çka ka ndërmend me bërë, Nusreti i traumatizuar, që mezi vet i kishte shpëtuar masakrës në Kodër të Bebushit, reagon shpejt duke e lutur që mos ta aktivizon bombën ngase ofenziva serbe tashmë kishte përfunduar. Ai, mandej niset vet përpjetë dhe dikund 20 metra më lartë e gjenë kufomën e djalit të vet, Bajrushit.
Ndërkaq, gjatë tërheqjes nga kjo zonë e mbuluar tërësisht nga forcat speciale serbe, Izjadin Rexhaj takohet rastësisht me Bajram Haki Xheladinin (civil, 35 vjeçar), i cili kishte ikur në mëngjes nga Çesta në dejtim të malit për t’i shpëtuar nga kthetrat e kriminelëve serbë. Me vete kishte marrë edhe djalin e vogël Albanin (7-vjeçar). Kështu, vazhdojnë së bashku rrugën përpjetë. Mbrapa shpine hordhitë gjakatare serbe, sulmojnë tinëzisht dhe e qëllojnë Bajramin në këmbë dhe bel, te vendi i quajtur “Gurzinat”. Instiktivisht, njërën dorë rreth qafe ia kishte vendosur Albanit, në mbrojtje të biri të tij të vogël. Të tretë ishin shtrirë për toke dhe luftëtari i lirisë, Izjadini kishte kërkuar të mos lëvizin nga vendi. Mandej, ai e pyet Bajramin a mundesh ngadal me u tërhequr. Fillimisht, Bajrami mendon se plaga është e vogël dhe përgjigjet pozitivisht. Tenton të lëvizë, kur e sheh që nuk mund të luan nga vendi, e porositë Izjadinin duke i thënë: “Puna jem e pat por shpëtoma këtë djalë”. Ushtari ia kthen: “Këtë djalë si të jam unë me shpirtë ka me marrë me vete”. Të dytë nisen në drejtim të fshatit Rancë, ku natën e kalojnë atje në Shtab të UÇK-së.
P.S. Në fotografinë e parë nga e majta në të djathtë: Izjadin Rexhaj, Ramadan Hysenaj dhe Fatmir Rexhaj.

Në fotografinë e dytë nga e majta në të djathtë: Milazim Syla dhe Njazi Mujota.



