PARALELET E NJË KRIZE TË THELLË TË LEGJITIMITETIT

03 shkurt 2026 | 21:02

Shkruan: Hisen Berisha

Reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përjashtimin e Listës Serbe nga procesi zgjedhor nuk ishte një reagim procedural dhe as mbrojtje e një subjekti politik. Ai duhet parë si një qëndrim parimor, që vë në qendër një shqetësim shumë më të thellë, rrëshqitjen e demokracisë drejt selektivitetit institucional dhe instrumentalizimit politik të ligjit.

SHBA-ja e artikuloi qartë se cenimi i të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike minon jo vetëm standardet zgjedhore, por edhe vetë partneritetin strategjik SHBA-Kosovë.
Ky mesazh nuk mund të reduktohet në një mosmarrëveshje rreth një liste kandidatësh cilado qoftë ajo parti, ai lidhet drejtpërdrejt me integritetin e procesit demokratik në tërësi.

Në këtë kontekst, vendimi i KQZ-së i dhunuar nga “zvarraniku” i Hashim Thaçit, duhet parë paralelisht me një fenomen po aq të rrezikshëm për demokracinë, siç është vjedhja e votës nga brenda vetë subjekteve politike.
Të dyja këto dukuri, ndonëse shfaqen në forma të ndryshme, prodhojnë të njëjtin dëm themelor, deformimin e vullnetit qytetar. Në njërin rast, qytetarëve u kufizohet e drejta për të zgjedhur, në tjetrin, vota e dhënë u tjetërsohet përmes manipulimit të numërimit dhe ndërhyrjeve të brendshme partiake.

Vjedhja e votës brenda partive nuk është parregullsi teknike, por krim elektoral që godet drejtpërdrejt parimin kushtetues të sovranitetit qytetar.
Kur ky fenomen tolerohet, relativizohet apo mbulohet politikisht, shteti dështon në detyrimin e tij themelor për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pikërisht ky standard i dyfishtë është ajo që SHBA po e problematizon se, ligji nuk mund të zbatohet me motive politike, as brenda partive, as nga institucionet zgjedhore.

Këto dy probleme mbi të cilat u vu theksi, nuk qëndrojnë të izoluara në bllok. Ato janëë pjesë e një modeli më të gjerë të vendimmarrjes së pa koordinuar me aleatin kryesor strategjik të Kosovës, SHBA-në. Veprimet e njëanshme në veri të Kosovës, të ndërmarra pa konsultim serioz me partnerët ndërkombëtarë, kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta dhe të matshme ndaj Kosovës si, përjashtimin e Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nga certifikimi në “Defender Europe 23”, kritika të hapura diplomatike, dhe dobësim të besueshmërisë ndërkombëtare të shtetit.

Në këtë kuptim, vendimi i KQZ-së, vjedhja e votës brenda partive dhe veprimet e pa koordinuara në veri nuk janë episode të ndara.
Ato janë shprehje të së njëjtës krizë strukturore të qeverisjes dhe legjitimitetit demokratik.
Të gjitha këto veprime, në mënyra të ndryshme, e dëmtojnë raportin e Kosovës me SHBA-në dhe e vendosin shtetin në pozitë mbrojtëse, jo si partner i barabartë, por si problem diplomatik.

Mesazhi amerikan është i qartë dhe duhet lexuar pa iluzione, se demokracia nuk matet me deklarata sovraniste, por me standarde funksionale.
Nuk mund të ketë pretendim për sovranitet të plotë politik, nëse proceset zgjedhore janë të kontestuara, vota vidhet brenda partive dhe institucionet veprojnë në mënyrë selektive.

Kostoja e kësaj qasjeje është e lartë. Ajo paguhet me humbje të besimit qytetar, me izolim relativ ndërkombëtar dhe me dobësim të pozitës strategjike të Kosovës. Në këtë realitet, reagimi i Ambasadës së SHBA-së nuk është kërcënim, por pasqyrë, një pasqyrë që tregon se demokracia selektive dhe ligji i përdorur sipas nevojës politike prodhojnë gjithmonë pasoja shtetërore.

Pa rikthimin e integritetit zgjedhor, ndëshkimin real të krimit elektoral dhe koordinimin strategjik me SHBA-në, Kosova rrezikon të mbetet formalisht demokratike, por realisht e brishtë, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Prandaj dua të përsëris vetveten se Kosova sot, është në rrezik më të madh mga instalimi i neokomunizmit kurtian, se nga sulmi i mundshëm nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka bërë të ditur se…