PLAKJA
Adem Gashi
Koha e ngjarjes: Dje, Sot, Nesër
Vendi i veprimit: Gjithkund dhe Askund
Vetjet: njerëzit dhe Njerëzit
Ai nuk qe thjesht një trill i gjumit të pasdites, kur shtrihesh për të pushuar dhe ngrihesh edhe më i lodhur, kur shtrihesh i shëndetshëm dhe ngrihesh i sëmurë. Ai nuk qe as një cen i stinës dhe i motit (dimri bëhet verë dhe anasjelltas, kur thotë e urdhëron vullneti ose dashja e Mbretëreshës). Më parë mund të thuhet se kishte prej të gjithave nga pak, çmistuar nga një ëndërr e këndshme. As parë as dëgjuar që ëndrra e këndshme të prodhojë gjendje të tillë të pakëndshme. Mbretëresha (variant motërzues mund të jetë Mbreti, Lypsarja, Lypsari, Njeriu, por jo njeriu) sapo ishte zgjuar nga kotja e pasdites së vonë të së shtunës, me një copë buzëqeshje varur në qipin e buzës së epërme. As ishte veshur, as ishte zhveshur. I hahej dhe i pihej si të mos kishte ngrënë një jetë të tërë. Në çast i tretej ajo gjendje dhe i dukej se një jetë të tërë s’kishte bërë tjetër, veçse kishte ngrënë dhe pirë. Të jetosh që të hash, apo të hash që të jetosh, kjo është çështje, – tha Ajo e ngrysur dhe pati një përzierje ndjenjash ndërmjet motivit të urisë dhe të ngopjes. Ishte ngopur me urinë e diçkaje që s’e dinte, po aq sa i ishte zgjuar ujku i urisë për një ngopje që, po ashtu, nuk e dinte. Në një kënd të odës pa rrjetën e një merimange dhe një mizë që përpëlitej në të. Kush jam unë, – pyeti shqetësueshëm, miza apo merimanga? Ndoshta asnjëra veç harrimit që shtrihet kudo përreth meje dhe më mbulon si kjo rrjetë, ndoshta jam unë vetë harrimi që mbuloj çdo gjë përreth vetes me tisin e kërmilltë të një kohe që më nuk shënohet e nuk llogaritet askund! Para se të nisej drejt pasqyrës e shëtiti shikimin anekënd mbi një vizëllimë të lëbyrtë. Deti i mëndafshtë po ia merrte frymën me tentakulet e një oktapodi gjigant që nuk dukej askund. Shkojnë e vijnë karvanët, karvanët shkojnë e vijnë!… – iu kujtuan vargjet e këngës së rapsodit të Oborrit. Ku shkojnë karvanët, në cilën mbretëri? Çka lënë e çka marrin me vete? Nga vijnë karvanët, nga cila mbretëri? Ç’mall e ç’lajme sjellin, apo, ndoshta, veç harrimin?! Mbi supet e tyre ngarendëse shtresohet pëlhura e pluhurt e shkuarje-ardhjes dhe djersa e pakët, si një ujë oaze, ballsamos mumiet e tyre. Shkretëtira lëvizëse rend drejt harrimit.
Ajo pa fytyrën e vet në pasqyrë dhe u trishtua. Iu duk krejt si fytyrat e mumieve të karvanit. Kë po e mbulonte pluhuri i mëndafshit të vjetruar: pasqyrën, fytyrën, Odën, mbretërinë apo kohën e pasdites së të shtunës? Thirri me ngut Hankon e Madhe që lexonte Të Shkuarën, thirri me ngut Hankon e Vogël që lexonte Të Ardhmen. Tri shoqërueset: Nesër, Rësen dhe Sëren me fytyra të rrudhura, si t’u kishte rënë rrjeta e merimangës së këndit të Odës, i rrinin pranë pa bërë zë. Mbretëreshës iu duk se ishin të verbra që nga fillimi i botës. Mos jam verbuar unë!? – u hamend papritmas pastaj iu drejtua Hankos së Madhe:
– Çfarë shihet prapa nesh?
– Fillimi. Fillimi nga shtjella e madhe e pluhurit të verdhë.
Diçka që e dinte gjithsesi ose e kishte ditur qëkur. Pastaj iu drejtua Hankos së Vogël:
– Çfarë shihet para nesh?
– Mbarimi. Mbarimi nga shtjella e madhe e pluhurit të mëndafshtë.
Këto gjithmonë paskan qenë të verbra! – tha me vete pangushëllueshëm Mbretëresha. Të verbra qenë pa dyshim, por shikonin atë që nuk dukej me sy njeriu. Mua më duhen gjërat e dukshme që nuk shihen dhe gjërat e padukshme që shihen, e përtypi kërkesën Ajo dhe i dëboi Hankot. Pastaj iu kthye vajzave shoqëruese, por e pa vetëm një. Edhe ti më paske gënjyer, vetëm e paske ndërruar emrin me ananim e me metatezë, po në të vërtetë ti qenke një, vetëm një Dje pluhurore e vizatuar në pasditen e të shtunës! M’i sill rrobat e ditëfestave!
Kur i veshi ato ndjeu mornica drithëruese t’ia përshkonin trupin. Ishte ftohma e rrobave që bëri të dilnin djersë të pakta si ajo lagështia e paktë e oazës. Pasqyra shtriu mëndafshin e pluhurt mbi gjithçka në Odë, mbi mbretërinë, mbi kohën. Mbretëresha u zhvesh egërsisht, por ftohma nuk i iku. Pastaj zuri ta mbështjellë rrjeta e merimangës me fytyrë plake. Mbi Mbretëreshën (që mund të ishte edhe Mbreti, Oborrtarët, Lypsarët, Njerëzit dhe njerëzit), mbi Mbretërinë dhe mbi Kohën, po shtrihej plakja e hapësirës. Në çastet e fundit para se ta merrte pushtetin e diela, Ajo e kuptoi se po hynte në ëndrrën e re të pagjumit që, pak a shumë, ishte e njëllojtë me ëndrrën e mëparshme të gjumit, ku përzihej Fillimi dhe Mbarimi i shtjellës pluhurore me kurorë harrimi. Pastaj nuk ndjeu më asgjë.
E diela hapi kopshtin e saj të shumëngjyrtë përreth drumollës ku bënin seks të mëkatshëm një Djalë dhe një Vajzë. Dikush thotë ishte e hënë, të tjerët thonë ishte para Fillimit, të tretët thonë ishte para Mbarimit. Askush nuk kujtohet të thotë se mund të jetë një rifillim i plakjes.
Langenbroich, korrik 2001
Marrë nga libri “Udhëtimi i fundit”.
Radhiti: N. Sh. Armagedoni



