Libër për “luftëtaren” e denjë, Regaibe Osmani

09 shkurt 2026 | 08:54

Ardian Ramadani

Recension për librin “Një jetë, shumë histori (rrëfim për pishtaren e arsimit Regaibe Osmani)” të autores Adelina Beluli

Një prej profesioneve më të sfiduar, njëkohësisht më sfidues, është profesioni i mësuesit, edukatorit, arsimtarit e profesorit. Kur them profesion më i sfiduar e kam parasysh këtu faktin se bartësi i këtij profesioni, gjatë tërë epokave historike, përpos sakrificës sfilitëse, ka pasur mbi supe e ka edhe më tej peshën e përgjegjësisë morale dhe njerëzore. Ky profesion, i cili ishte i sfiduar dje, për shkak të kushteve tejet të rënda dhe të vështira me të cilat ballafaqoheshin bartësit e edukimit, gjegjësisht mësuesit, kushte këto që nuk ngërthenin vetëm anën materiale e financiare, por edhe ideologjike dhe shoqërore, ngelet i sfiduar edhe sot, për të qenë ndoshta profesioni më i sfiduar edhe në të ardhmen. Krejt kjo, sepse e ardhmja “mbetet e hapur” dhe shumë e pasigurt për rolin e mësuesit, sidomos me shfaqjen e inteligjencës artificiale, si një shpërthim intuitash, që maten nga një kuadër i ideve dhe shkathtësia e intelektit që ka ajo, e që imponon marrjen në konsideratë të faktit se si do të përdoret ajo (tanimë mund të themi si po përdoret ajo), e jo sa po përdoret.

Në një rast, ish-presidenti francez Fransoa Miteran, duke e njohur rëndësinë dhe rolin e mësimdhënësit, kishte ndarë me publikun një thënie të çmuar, që besoj se i shkon për shtati edhe monografisë, gjegjësisht protagonistes së librit “Një jetë, shumë histori”, mësueses Regaibe Osmani, e që është si në vijim: “Të jesh mësues/e nuk është një zgjedhje karriere, është një zgjedhje jete”.

Pikërisht, po në këtë frymë, edhe ky libër na shpërfaq ecejakun jetësor të një mësuese të çmuar dhe të rryer, që mësuesinë e kishte pasur jo vetëm profesion, por edhe mision e pasion.

Libri, i cili përshkruan hollësisht jetën dhe veprën e një mësuese, e cila, në kohët më të vështira, iu rrek profesionit të shenjtë të mësuesisë, për ta sfiduar kësisoj vetveten, rrethin, e për të qenë njëkohësisht edhe e sfiduar, por duke ia dalë mbanë përballë këtyre sfidave, është një vepër që i ka munguar qytetit tonë dhe jo vetëm, gjithashtu edhe fushës së historisë sepse, fundja, tërë përçapja dhe kontributi i mësueses Regaibe Osmani, së bashku me shumë e shumë mësues të tjerë e mësuese të tjera, padyshim se është gjurmë e pashlyeshme në kujtesën kolektive dhe historike kombëtare, duke shërbyer njëkohësisht edhe si kambanë këndelljeje, në momente kur na kaplon ndonjëherë apatia, përtacia apo mungesa e interesit për t’i çuar proceset përpara. Është pjesë e padiskutueshme e kujtesës kolektive, sepse ta marrësh përsipër edukimin dhe arsimimin e brezave në një epokë, kur thikat helmuese, qoftë të përdorura nga sistemi i kohës, qoftë nga padituria e injoranca fanatike, që ishte, po ashtu, e sponsorizuar dhe e nxitur nga sistemi i kohës, sulmonin nga të gjitha anët, shto këtu edhe vështirësinë e faktit të të qenit grua, nënë, bashkëshorte, motër, bijë, re… vërtet do të kishte qenë tepër e mundimshme, e gjasme edhe përpjekje sizifiane.

Libri, i cili që prej fillimit e deri në fund mund të lexohet nga lexuesi mu sikurse një roman i bukur, që të rrëmben nga gjuha e pasur, si dhe nga ndodhitë në të, përveç rrëfimit të jetës së mësueses, znj. Regaibe Osmani, përmban edhe rrëfimin e dëshmitares së gjallë të asaj epoke, e cila me mundin dhe kontributin e saj përndriti brezat të cilët i mësoi.

Edhe vetë autorja e librit thekson se përçapjet e protagonistes në fjalë i shndërruan pengesat në ura e frikën në forcë për të tjerët, duke e sublimuar punën dhe sakrificën si mësuese në një dimension shumë më të madh, në atë që theksonte edhe Gëteja i famshëm, në kërkesën “për më shumë dritë”, gjegjësisht për më shumë dije dhe mësim, në anën tjetër duke e shndërruar mësuesen Regaibe në një luftëtare të denjë dhe të rryer për më shumë të drejta e për më shumë liri për gjininë femërore, sepse ajo e kishte të qartë se vetëm “liria nuk mund të harxhohej me përdorimin e saj”.

Në anën tjetër, jorastësisht nuk thuhet se fjala e hedhur në letër është e paracaktuar të jetë e dobishme për shoqërinë dhe brezat që vijnë më pas. Së këndejmi, stili rrëfyes i autores për protagonisten, mësuesen Regaibe (që, në fakt, është gjyshja e autores), si dhe kujdesi dhe vëmendja e autores ndaj përdorimit të duhur të gjuhës shqipe, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë të ruhet, kultivohet dhe të përdoret si duhet, e bën librin edhe më tërheqës dhe i jep vlerë shtesë, e autoren e vendos në skemën Hesseliane, atë të krijimit dhe shpikjes, si dhe e paraqet mu ashtu siç edhe është ajo, e vërtetë dhe origjinale. E vërteta nuk është shpikje e mendjes njerëzore, ajo qenëson e pavarur prej nesh dhe mendjeve tona, qoftë kjo nëse e pranojmë apo jo, qoftë kjo nëse e themi apo jo, por ama lypset që ta njohim si të tillë. Autorja e librit në trajtimin e kësaj figure e mëton pikërisht këtë, njohjen dhe shpalosjen e së vërtetës, pikërisht siç ka qenë dhe siç është.

Autorja, profesoresha e gjuhës shqipe, Adelina Beluli, me librin e saj të parë për figurën e mësueses Regaibe, mes të tjerash, edhe befason me guximin e saj krijues, sepse shpluhuros figurën e mësueses dhe gruas intelektuale shqiptare, që ndonjëherë nga pakujdesia e ndonjëherë nga rrëmbimet sinkronizuese kohore, po harrohet nga shoqëria. Qysh në rreshtat e parë të librit vërehet edhe shqetësimi i saj shpirtëror, por edhe vokacioni, për ta hedhur sa më parë në letër ecejakun e mësueses Regaibe, për ta skalitur atë, andaj edhe meriton respekt dhe përkrahje. E kur kësaj ia shtojmë edhe rëndësinë dhe vlerën që ngërthen tematika e librit dhe mënyra e rrëfimit, figura e protagonistes në cilësinë e mësueses dhe edukatores, si dhe fakti i të qenit femër, pa dyshim që ia jep veprës një shkëlqim dhe rëndësi.

Një thënie e çmuar e Charles-Joseph de Ligne, mareshalit të njohur belg, diplomatit të shkëlqyer, i cili konsiderohet një nga tre memorialistët e famshëm të shek. XVIII, i admiruar nga Gëteja, Bajroni, Pol Valeri e kështu me radhë, më ka mbetur fort në kujtesën time. Ai thotë se ka njerëz që vrasin mendjen apo reflektojnë për të shkruar, por ka edhe të tillë që shkruajnë për të mos vrarë mendjen. Autorja, Adelina Beluli, me të drejtë dëshmon se i takon grupit të parë.

Autorja e njohur franceze, feministja e çmuar Simon Dë Buvuar, është një nga autoret më të famshme dhe më të rëndësishme që ka dhënë kontribut në rrafshin intelektual në fushat sociale dhe filozofike, me theks të veçantë në problemin e barazisë gjinore. Në veprën e saj të njohur  “Gruaja e shkatërruar” ajo me të drejtë thekson: “Në ditën kur të jetë e mundur për gruan të dashurojë jo në dobësinë, por në forcën saj, jo të ikë nga vetja, por ta gjejë veten, jo ta ulë veten, por ta mbrojë veten, në atë ditë dashuria për të do të bëhet, ashtu sikurse për burrin, një burim jete dhe jo një rrezik për vdekje”. E kjo thënie e saj padyshim që i shkon më së bukuri jetës dhe veprës së mësueses Regaibe Osmani, padyshim si grua luftëtare, figura e së cilës na shpaloset më së mirë në këtë libër.

Ky libër nxjerr në pah se si kjo figurë, me punën e saj si mësuese në Likovë, e më pas edhe në Kumanovë, në qëndrimin e saj përballë regjimit të kohës, përballë fanatizmave dhe izmave të shumta të asaj kohe, me tërë forcën e saj, me tërë diturinë e saj, me tërë dinjitetin e saj, u ka bërë ballë stuhive të kohës, por që kurrë nuk e ka humbur dritën e qiririt në shpirtin e saj, duke shërbyer si fanar ndriçues për brezat që ka edukuar, si dhe për familjen e farefisin, jo vetëm si një vijimësi gjaku, por si një pasarelë shpirtërore, e cila kërkon përkujdesje, duke i mundësuar ndjekjen e rrugës së shkollimit dhe nxënies së diturisë jo vetëm  vëllait të saj, por edhe nipërve të shumtë dhe mbesave të shumta, si burim frymëzimi dhe motivimi.

Brezi i mësuesve dhe mësueseve, të cilët, fatkeqësisht, po na ikin nga kjo botë, duke mos ia dhënë mirënjohjen dhe vlerësimin e duhur përderisa janë në mesin e të gjallëve, është edhe një arsye më tepër që i jep librit të autores Adelina Beluli një vlerë shtesë, sepse protagonisten, mësuesen Regaibe, e kemi në mesin e të gjallëve, së këndejmi ajo edhe më tej mund të na rrëfejë drejtpërsëdrejti se si duhet ndriçuar rrugën për brezat edhe kur kemi mëdyshje dhe dilema.

Ky libër, duke e valorizuar historinë e ecejakut jetësor e profesional të mësueses Regaibe Osmani, shërben si një histori e çmuar, si një dëshmi e fuqishme e kohës, sepse fundja respekti dhe mirënjohja për mësuesin dhe mësuesen, si arsye e diturisë, si arkitekt/e i/e mësimdhënies dhe urbanist/e i/e dijeve, si ndikues/e dhe frymëzues/, është detyrim dhe domosdoshmëri patriotike-kombëtare e jo vetëm morale. Libri na udhëzon edhe se mësuesit e mirë janë si qirinj – ata e djegin veten për ta ndriçuar rrugën për të tjerët.

Libri i autores Adelina Beluli, mes të tjerash, përmban edhe dimensionin pedagogjik, përpos atij njerëzor, moral, kombëtar e historik. Nxjerrja në pah e veprimtarisë profesionale të mësueses Regaibe Osmani, si bartëse e rolit edukativ-arsimor në shkollat ku ka punuar me nxënësit, padyshim se në vete përmban edhe qëndrimet, ndjenjat, emocionet, mendimet e saj, si dhe nxjerr në pah personalitetin e saj, duke e trajtuar nga aspekte të ndryshme, që lexuesi mund ta kundrojë edhe si personalitet pedagogjik, që është gjithnjë në fokusin e interesimit të opinionit, prindërve, nxënësve, shoqërisë dhe institucioneve përkatëse. Mund të them pa mëdyshje, që libri, përveç të tjerash, e sublimon edhe rolin pedagogjik të mësueses Regaibe, si një kontribuuese që përgatit të rinjtë për të ardhmen, që i aftëson ata për të ardhmen, si dhe si një pishtare për ngritjen e gjithmbarshme të brezit të ri, të shoqërisë dhe të kombit në përgjithësi, si një strehuese e filozofisë arsimore përkatëse me kohën, si një inspirim për të tjerët, si një personalitet shumëdimensional, mbi të gjitha kombëtar, njerëzor, kulturor dhe arsimor.

Vlen të theksohet se ky libër është i rëndësishëm po aq edhe sa veprimtaria e protagonistes, mësueses Regaibe, sepse i dëfton brezit të tanishëm si dhe brezave të ardhshëm për sfidat dhe tejkalimet e tyre gjatë një epoke të vështirë, por edhe i bënë të reflektojnë dhe ta arrijnë në konstatimin e saktë se profesioni i mësuesisë ndikon në përjetësi, duke mos vënë linja kufizuese se ku mbaron ndikimi i tij.

Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues i shkëlqyer demonstron. Një mësues vërtet i shkëlqyer frymëzon. Shembulli i protagonistes së librit “Një jetë, shumë histori (rrëfim për pishtaren e arsimit Regaibe Osmani)”, të autores Adelina Beluli, shpalos vërtet figurën dhe personalitetin e mësueses që frymëzon.

Për në fund, një porosi për të gjithë ata që kanë fatin ta kenë në bibliotekat e tyre këtë libër. Uroj që t’i rrekeni leximit të kësaj vepre, sepse krimi më i madh se djegia e librave është mosleximi i tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga krijimtaria letrare dhe, më gjerë, nga krijimtaria artistike, më…