Kush po gjykohet?
Elsa Zyberaj
Recension për librin e Ibish Nezirit “Drejtësia pa llogaridhënie”, botoi Sh. B. “Armagedoni”, Prishtinë, 2026
Ky libër të vendosë përballë një shqetësimi që shkon përtej fatit të një gjykate apo rrethanave të veçanta historike. Ai të përball me një pyetje më të thellë dhe më të pakëndshme: a mund të prodhojë forma të reja padrejtësie, në emër të ligjit, drejtësia ndërkombëtare? Ky libër nuk të lejon neutralitet komod. Ai të detyron të marrësh qëndrim edhe atëherë kur mund të mos pajtohesh me çdo tezë të autorit.
Ajo që e dallon këtë vepër është qasja e saj ndaj drejtësisë. Ajo nuk pranohet si e vërtetë themelore vetëm pse është e institucionalizuar. Përkundrazi, analizohet në mënyrë kritike për efektet dhe kufizimet e saj reale. Autori e trajton drejtësinë jo si vlerë e dhënë, por si proces që duhet ta arsyetojë vazhdimisht legjitimitetin e vet. Kritikat ndaj Dhomave të Specializuara nuk ndërtohen mbi retorikë nacionaliste apo emocionale, por mbi analizë strukturore. Fokusi zhvendoset nga rastet individuale drejt logjikës së funksionimit të drejtësisë ndërkombëtare. Kjo e bën librin të vështirë për t’u mënjanuar dhe e largon atë nga karakteri i një reagimi të çastit, duke i dhënë peshën e një reflektimi mbi kufijtë moralë dhe juridikë të drejtësisë ndërkombëtare.
Një nga tezat më të pakëndshme, njëkohësisht më të forta të librit, është se juridiksioni selektiv (që mund të funksionojë për vite të tëra nën petkun e ligjshmërisë formale) nuk është efekt dytësor, por problem themelor. Ai e zbeh vetë idenë e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo tezë e shtyn lexuesin të mendojë se sa lehtë mund të normalizohet një drejtësi monoetnike, e cila, nën maskën e paanshmërisë procedurale, prodhon një fajësi të pashprehur kolektive. Debati nuk mbetet më te pyetja “kush po gjykohet?”, por zhvendoset tek më e rrezikshmja: “kë po zgjedh drejtësia të mos e gjykojë?”.
Thelbi i kësaj teze artikulohet me forcë përmes trajtimit të Batajnicës. Autori nuk e problematizon këtë rast si referencë historike periferike, por si provë të asimetrisë së hetimit ndërkombëtar. Zbulimi i 744 trupave të shqiptarëve në territorin e Serbisë, pranë një infrastrukture shtetërore me kapacitete të konsoliduara mjekësore, do të duhej të orientonte hetimet drejt strukturave shtetërore përgjegjëse. Por narrativa ndërkombëtare, siç argumenton libri, u zhvendos drejt pretendimeve të paprovuara ndaj palës shqiptare – “Shtëpisë së Verdhë” në Burrel. Kështu, Burreli shndërrohet në simbol të një drejtësie që kërkohet në vendin e gabuar. Ajo bëhet metaforë e zhvendosjes së përgjegjësisë nga territori i krimit drejt territorit të viktimës. Në këtë pikë, libri kalon nga kritikë e një gjykate konkrete, në kritikë të një modeli të tërë të drejtësisë ndërkombëtare.
Po aq i fortë është trajtimi i paraburgimit të tejzgjatur. Këtu analiza nuk mbetet në nivel teknik. Ajo ekspozon një praktikë që, nën ombrellën e arsyetimeve procedurale, merr një kuptim tjetër. Procedura shfaqet si instrument pushteti dhe jo thjesht si mjet administrimi i procesit. Argumenti se koha, në vend se ta forcojë prezumimin e pafajësisë, përdoret për ta konsumuar dënimin para aktgjykimit, është kritikë e drejtpërdrejtë ndaj një drejtësie që ka humbur ndjeshmërinë ndaj lirisë individuale. Koha kur administrohet pa kontroll të jashtëm efektiv, shndërrohet në mjet presioni institucional.
Një tjetër element që e veçon këtë vepër është refuzimi për të ofruar zgjidhje të thjeshta. Libri nuk ofron armik të gatshëm dhe as përgjigje komode. Ai e lë lexuesin përballë pyetjeve që nuk janë të lehta: a mund të ketë drejtësi pa universalitet? A mund të ketë proces të drejtë pa mbikëqyrje reale? Dhe, mbi të gjitha, a mbetet drejtësi ajo që nuk i duron pyetjet kritike? Kjo mungesë e përgjigjeve të gatshme nuk është dobësi, por forcë e librit.



