Lendim Kuçi përfaqëson Deçanin në trajnimin ndërkombëtar për turizëm të qëndrueshëm në Japoni
Komuna e Deçanit vazhdon të forcojë kapacitetet e saj profesionale në fushën e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik z. Isuf Demhasaj, së bashku me Kryetarin e Komunës z. Bashkim Ramosaj dhe Drejtorin z. Rifat Stojkaj, pritën sot në takim z. Lendim Kuqi, pas përfundimit me sukses të trajnimit ndërkombëtar “Turizmi i Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga JICA dhe Universiteti i Wakayama-s në Japoni.
“Përfaqësimi i Komunës së Deçanit në programe të tilla ndërkombëtare përbën vlerë dhe përgjegjësi. Njohuritë e fituara në fushën e strategjive turistike, rolin e OMD-ve dhe menaxhimin e destinacioneve do të shërbejnë në forcimin e kapaciteteve të stafit dhe në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Deçan.
Investimi në ngritjen profesionale të stafit mbetet investim në të ardhmen e komunës sonë”, thuhet në postimin e drejtorit Demhasaj në facebook.
Mes tjerash, vlen të theksohet se ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Deçan dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor me potencial të lartë për komunën.






