Gjykata Speciale në Hagë u bë Gjykatë Politike!
Prof. dr. Hasan Mujaj
“Akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë të pabaza dhe absurde. Kjo nuk është drejtësi-“ tha dëshmitari: zyrtar i lartë amerikan, ndihmëssekretar i shtetit- James Rubin.
Gjykata e Kosovës në Hagë, gjatë veprimtarisë pesëvjeçare dhe disa muajve që i mban në paraburgim çlirimtarët e Kosovës nga dhuna dhe masakrat policore-ushtarake të politikës serbe, ka dëshmuar se nuk mund të quhet gjykatë e së drejtës. Prandaj, duhet ta ndryshojë edhe emërtimin dhe t’i shtohet mbiemri në të cilin po mbështetet: politike; do të thotë: gjykatë politike! Pra, në vend të përcaktorit farsë: “speciale” duhet t’i pasvihet adjektivi përkatës: politike. Këtë ndryshim pragmatik të emërtimit e ka diktuar realiteti në terren: me masakrat e forcave të armatosura serbe ndaj qytetarëve civilë të paarmatosur shqiptarë madje edhe: fëmijë, femra e pleq që janë parë, madje të befasuar, edhe nga disa zyrtarë botërorë.
Gjykata Politike e Kosovës në Hagë i ka pranuar si faktike të dhënat e trilluara të prokurorëve serbë të paguar nga Qeveria e Vuçiqit. Edhe pse e vërteta dhe e drejta janë me krerët e UÇK-së, nga Beogradi zyrtar, ka pasur dhe ka ndërhyrje pa fakte, por imagjinare, të trilluara, të nxitura dhe të përgatitura nga burimet antishqiptare serbe. Më se e vërtetë. Kjo vërtetësi mbështetet në faktin se Gjykata Politike pranoi si “ prova materiale “ deklaratat e autorëve të krimeve dhe të masakrave që i bënë forcat e armatosura serbe në Kosovë!
Dihet se UÇK-ja nuk ka pasur kushte të formimit të një ushtrie të mirëfilltë mbi bazën juridike dhe obliguese, porse ishte ushtri vullnetarësh për t’u vënë në mbrojtjen e qytetarëve nga krimet e masakrat e forcave të armatosura serbe. Ajo ( UÇK-ja ) nuk ishte ushtri sulmuese dhe okupuese e territorit të huaj; ajo nuk synonte pushtim të ndonjë vendi të huaj, porse qëllimonte që qytetarët të jetonin të lirë dhe në paqe me të gjitha nacionalitetet e tjera të Kosovës.
Krerët e UÇK-së nuk bënë etnocid dhe deportim të detyrueshëm të popullatës serbe siç bënë ushtria dhe policia serbe nën komandën e shtetit serb ndaj popullatës shqiptare.
Gjykata Politike në Hagë, në asnjë aktakuzë ndaj krerëve të UÇK-së nuk përdor termat: sulm dhe mbrojtës. Ajo e di mirë se si duhet trajtuar semantika e këtyre dy faktorëve, sidomos në luftën e armatosur, por i shmanget përdorimit të tyre me qëllim që të mos arsyetohet mbrojtja e UÇK-së dhe të dënohet sulmi i ushtrisë serbe. Mbrojtja, që e bënte ushtria vullnetare e Kosovës, imponohej nga sulmi që e komandonte Beogradi. Shprehur me stilin metaforik, Gjykata Politike nuk e kap në trajtim çështjen nga rrënja për ta parë realen, por, si për nakar, ( maraz ) atë e kap nga pipthi, që në krahasim me rrënjën, nuk paraqet fakt.
Dëshmitarët e huaj e thanë të vërtetën në Hagë
Më në fund, në Gjykatën e Kosovës në Hagë, u bënë publike edhe dëshmitë burimore të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë të pranishëm në zhvillimet më të rëndësishme gjatë luftës në Kosovë. Këto dëshmi, me shumë të drejtë, mund të quhen burimore, pa anime e improvizime dhe, si të këtilla, reale të ecurive relevante. Do vënë në dukje se dëshmitarët e huaj, asokohe në pozita të larta zyrtare të shteteve përkatëse dhe në detyrat diplomatike në Kosovë dhe në takimet e Rambujesë, në përgjigjet e pyetjeve të gjyqtarëve dhe të avokatëve, piqeshin (përputheshin ) në një mendim. Ky mendim është një tregues i dëshmitarëve të përkorë ( të matur ), të cilët e shprehin vetëm të vërtetën.
Dëshmitarët kanë shprehur habi të madhe dhe reagime të prera për kohën e gjatë ( pesëvjeçare ) në paraburgim të të akuzuarve. Vërtet habi e madhe! Madje, kohë më parë, në një shkrim timin, në gazetën “ Epoka e Re, “ kam shprehur mendimin se kjo stërzgjatje është rrjedhojë e mungesës së fakteve për akuzat që u bëhen krerëve të UÇK-së.
Nga të gjithë dëshmitarët e Gjykatës së Kosovës në Hagë, dëshmitari më i sigurt, më persuasiv ( më bindës) për t’i besuar dhe për t’u vlerësuar si njohës burimor dhe i matur i realitetit në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe të arritjes së marrëveshjes për ndërprerjen e saj, ishte zyrtari i lartë amerikan, ndihmëssekretari i shtetit- James Rubin.
Ai, me horizont të gjerë dituror prej diplomati me përvojë të gjatë të ecurive të ndryshme ndërkombëtare, dha jo vetëm dëshmi thjesht deskriptive të ndodhive gjatë kohës së luftës, por, kalimthi, solli edhe të dhëna të rëndësishme me analiza fushash heterogjene si: psikologjike, politike, pragmatike, historike etj. që përmbledhin në vete përbërës konkretë dhe me vlerë për ta zbuluar edhe të pashprehurën publikisht, por të pretenduarën territoriale politikisht.
Kjo veprimtari duhet të mbahet parasysh edhe nga Gjykata Politike po deshi ta mbështesë të drejtën në dritën e fakteve për të parë se kush është fajtori, për ç’arsye po sulmon agresori, Serbia ? Kush hyri në territor të kujt ? UÇK-ja nuk e nisi luftën. Ajo ishte për dialog paqësor siç u pa edhe Rambuje dhe assesi për krime, masakra dhe etnocid të popullatës civile.
Dëshmitari J. Rubin ishte shumë konkret dhe real; ai fliste me fakte, prandaj dëshmia e tij mund t’i ndihmojë Gjykatës madje të mbahet parasysh për vendimin përfundimtar të saj për krerët e UÇK-së.
Sa për ilustrim, po sjell disa shembuj nga dëshmia e diplomatit apodiktik amerikan, paraqitur në Gjykatën Politike të Kosovës në Hagë. Citoj: “ Akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë të pabaza dhe absurde. Kjo nuk është drejtësi. Procesin e Gjykatës Speciale dhe akuzat kundër Thaçit i quaj si të tmerrshme dhe të rreme. Ishte gabim themelimi i Gjykatës. BE-ja ishte motori kryesor për themelimin e kësaj Gjykate.”
Dëshmitari amerikan vazhdoi pasqyrimin e krimeve të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe shton: “ …ushtria serbe ka kryer 95 % të vrasjeve masive dhe, ta barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës, është absurde dhe për të ardhur keq.”
I befasuar dhe i yshtur ( i bindur ) nga padrejtësia që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë, ndër të tjera, tha: “ E padrejtë mbajtja pesë vjet në paraburgim! ”
Një zbërthim dhe interpretim disiplinash të ndryshme shkencore si p. sh.: semantik, pragmalinguistik, epistemologjik, hermeneutik etj., sado i shkurtër, i ca fjalive të dëshmitarit J. Rubin, hedh dritë të mjaftueshme për t’u vënë në dyshim tejet të madh përmbajtjet e akuzave që u bëhen krerëve të UÇK- së, sepse u mungon kapitali i ndërtimit ( d. m. th. të dhënat konkrete) dhe, si të këtilla, dalin shterpë kuptimisht ose, siç shprehen me stilin e dëshmitarit Rubin, janë akuza “ të pabaza dhe absurde.“
Diplomati i shquar amerikan në përmasat botërore ka potencial të pasur kognitiv nga sfera për të cilën dëshmon. Ai nuk është paraqitur në Gjykatën e Kosovës në Hagë me qëllimin për t’i mbrojtur shqiptarët, por vetëm për ta thënë të vërtetën. Nga statusi i dëshmitarit korrekt, u pa se ai mbështetej në fakte dhe jo në dërdëllitje sikundër ka vepruar ndonjë “për të dëshmuar “ sipas porosive të paracaktuara në këmbim të ndonjë favori. I habitur nga disa veprime të deritashme të Gjykatës Politike, dëshmitari J. Rubin i referohet Gjykatës edhe me fjalinë: “ Kjo nuk është drejtësi.” E vërtetë e pakontestueshme.
Me stil të ngjashëm me dëshmitarin Rubin, dëshmuan edhe disa dëshmitarë të tjerë të huaj nga të cilët kishte edhe vlerësime të larta për krerët e UÇK-së, sidomos për rolin e tyre që të mos ketë keqpërdorime të ndryshme nga ushtarët vullnetarë në terren ndaj popullatës të nacionaliteteve të tjera joshqiptare në Kosovë me gjithë kompetencat e kufizuara që i kishin në këtë drejtim, sidomos në terren. Ata ( krerët e UÇK-së në Hagë ) ishin mbrojtës të popullatës civile të paarmatosur pa marrë parasysh përkatësinë nacionale.



