A duhet të shfuqizohen institucionet e padrejta të drejtësisë
Drejtësia është virtyti i parë i institucioneve shoqërore, ashtu si e vërteta është për sistemin e mendimit. Një teori, sado elegante dhe ekonomike, duhet të refuzohet ose të rishikohet nëse nuk është e vërtetë; po kështu, ligjet dhe institucionet, sado efikase dhe të mirorganizuara, duhet të reformohen ose shfuqizohen nëse janë të padrejta (JOHN RAWLS).
Nafi Krasniqi – LL.M. (MASTER) në të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative
Drejtësia si kriter themelor për legjitimitet!
Nevoja për drejtësi është po aq e hershme sa vet njerëzimi. Drejtësia ekziston shumë kohë para se të ekzistonin organizimet fisnore. Madje shumë kohë, para atij që njihet si Kodi i Hamurabit (1754 p.e.s.). Drejtësia, lindi si nevojë apo proces për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme. Megjithatë, drejtësia në dimensionet që e njohim sot është rezultat i një evolucioni të gjatë historik, filozofik dhe normativ, i ndikuar nga reflektimet e mendimtarëve që kanë trajtuar aspekte të ndryshme normative të saj. Që nga Aristoteli e deri tek teoritë bashkëkohore, drejtësia ka pësuar zhvillime të shumta konceptuale, por një element ka mbetur konstant: drejtësia duhet t’i paraprijë ligjit, procedurës dhe institucionit. Thënë ndryshe, çdo akt normativ, çdo ligj, kushtetutë apo institucion, pavarësisht sa modernë dhe kompleks mund të jetë, duhet të bazohet në parimin e drejtësisë.
Thënia e John Rawls “Drejtësia është virtyti i parë i institucioneve shoqërore, ashtu si e vërteta është për sistemin e mendimit…”, përbën një nga formulimet më të fuqishme normative të filozofisë juridike bashkëkohore. Ajo vendos një kriter themelor për legjitimitetin institucional: efikasiteti, stabiliteti, apo funksionaliteti nuk mjaftojnë për ta justifikuar një institucion nëse ai nuk është i drejtë.
Në veprën e tij A Theory of Justice, Rawls argumenton se, drejtësia është kushti themelor i bashkëjetesës midis institucioneve dhe individit. Tutje sipas Rawls, nëse një teori shkencore që nuk është e vërtetë duhet të hidhet poshtë pavarësisht asaj sa elegante, koherente dhe ekonomike mund të jetë, ashtu edhe një rend juridik, sado funksional, humb legjitimitetin nëse prodhon padrejtësi.
Por nëse thellojmë edhe më shumë mendimin, atëherë, shohim se, kjo teori mbështetet në tri premisa normative:
1. Epërsia morale mbi utilitarizmin institucional. Një sistem nuk justifikohet vetëm pse “funksionon”. Ai mund të jetë stabil, ekonomikisht i suksesshëm apo administrativisht efikas, por nëse cenon barazinë themelore dhe të drejtat bazike të njeriut, ai bie në kundërshtim me drejtësinë si vlera më e lartë.
2. Barazia e individëve. Siç dihet, çdo person ka dinjitetin e tij të paprekshëm. Institucionet që sakrifikojnë individin apo një grup individësh për interesa të cilat bien ndesh me parimin e barazisë dhe drejtësinë ato cenojnë vetë sistemin juridik.
3. Kontrata hipotetike e drejtësisë. Nëse rregullat do të përzgjidheshin nga individë të cilët nuk e dinë pozitën e tyre të nesërme në shoqëri, si rezultat i ndonjë procesi ndaj tyre, ata do të zgjidhnin institucione të cilat garantojnë drejtësi, dhe assesi privilegje për disa dhe cenim të të drejtave për të tjerët.
Duke ndjekur logjikën e Rawls-it, nëse një institucion cenon barazinë para ligjit, aplikon standarde selektive, prodhon diskriminim strukturor në mënyrë disproporcionale, atëherë ekziston baza morale për reformim ose shfuqizim. Njohësit e fushës dhe kritikët në Kosovë, argumentojnë se Dhomat e Specializuara aplikojnë trajtim të diferencuar, pasi fokusohen ekskluzivisht në pretendimet për krime të pjesëtarëve të UÇK-së, duke anashkaluar dhe “amnistuar” krimet e kryera nga Serbia. Nga perspektiva rawlsiane, kjo ngre pyetje serioze mbi barazinë normative.
Nga kjo perspektivë, jo vetëm që është e lejueshme, por është edhe e domosdoshme që aktet, ligjet, kushtetua por edhe institucionet që prodhojnë padrejtësi të reformohen ose të shfuqizohen. Ky është kushti për ruajtjen e legjitimitetit demokratik. Në nivelin teorik, nëse një institucion dëshmon përmes praktikës së tij se bie ndesh me parimet e drejtësisë, atëherë krijohet baza e nevojshme për reformim apo shfuqizim. Mirëpo, në praktikë, situatat e tilla janë shumë më komplekse.
E drejta ndërkombëtare njeh raste kur gjykatat penale janë shuar apo zhbërë, por kjo ka ndodhur kryesisht pasi ato kanë përfunduar mandatin e tyre. Gjykatat që janë shuar janë: Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë), funksionoi nga viti 1993 deri në vitin 2017. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën, funksionoi nga viti 1994 deri në vitin 2015. Gjykatat Ushtarake Ndërkombëtare të Nyrembergut, u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore (1945–1946) dhe u shpërbënë pas përfundimit të gjykimeve. Gjykata Speciale për Sierra Leonen, përfundoi mandatin e saj në vitin 2013. Dhe, Gjykatat e Krimeve të Luftës në Timorin Lindor, gjykata hibride të krijuara nga OKB-ja, të cilat u shuan pas përfundimit të misionit të drejtësisë tranzicionale. Të gjitha këto institucione, u mbyllën pasi ato përmbushën mandatin respektivisht misionin e tyre, por jo se ishin të padrejta.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, u themeluan në vitin 2015 përmes ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 05/L-053). Themelimi i tyre erdhi si rezultat i një detyrimi juridik ndërkombëtar që bazën e kishte në Konkluzionet e Task-Forcës Hetimore Speciale të udhëhequr nga prokurori Clint Williamson. Njëra nga pikat e konkluzave rekomandoi krijimin e një institucioni të veçantë gjyqësor jashtë Kosovës (Dhomat e Specializuara), për trajtimin e këtyre pretendimeve. Task-Forca pasoj votimin e Raportit të Dick Marty-t në Këshillin e Evropës. Kështu, Kosova u “detyrua” të hynte në marrëveshje me Bashkimin Evropian për themelimin e dhomave. Procesi u shoqërua me presion ndërkombëtar pro themelimit, dhe me kundërshtime të forta politike e shoqërore brenda vendit.
Megjithatë, pavarësisht shkeljeve të argumentuara dhe gjendjes faktike, shfuqizimi i Dhomave të Specializuara nuk është opsion real juridik për disa arsye, por po ndalem vetëm në dy më thelbësore: së pari, për shkak të karakterit kushtetues të themelimit të tyre, ku, çdo shfuqizim i tyre kërkon ndryshime kushtetuese me shumicë të cilësuar, gjë që duket e pamundur, dhe së dyti, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare dhe varësisë së Kosovës nga mbështetja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, që nënkupton se, një tërheqje e njëanshme do të prodhonte pasoja serioze diplomatike, politike etj. Andaj, në situatën e tillë, kemi të bëjmë me një paradoks i cili bie ndesh me arsyetimin e ekzistimit të drejtësisë dhe sistemit juridik. Përderisa, faktet flasin për zbatim jo të drejtë të të drejtës procedurale e materiale, që nënkupton ekzistimin e elementeve që do ta mundësonin shfuqizimin e një institucioni të tillë respektivisht ndërmarrjen e masave konkrete, por, pavarësisht ekzistimit të bazës faktike për të vepruar, janë kushtet në të cilat është ndërtuar ky institucion të cilat pamundësojnë një hap të tillë.
Si përfundim, legjitimiteti i institucioneve matet me drejtësinë që ato ofrojnë, dhe jo me funksionalitetin e tyre. Pavarësisht se ekziston dakordim i përgjithshëm se çdo institucion i padrejtë duhet reformuar ose shfuqizuar. Megjithatë, në rastin e Kosovës, shfuqizimi i Dhomave të Specializuara nuk është çështje obligimi juridik apo moral i brendshëm, por çështje e ndërlidhur me detyrimet dhe aspektet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Prandaj, sfida reale mbetet tek garantimi që Dhomat Speciale të funksionojnë sipas standardeve më të larta të drejtësisë.



