Libri për mësuesen Regaibe, “Një jetë, shumë histori”, përurohet në Kumanovë
Të shtunën, më 7 mars, përkitazi me Ditën e Mësuesit, një ditë simbolike kushtuar nderimit dhe vlerësimit të mësuesve për kontributin e tyre në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj, në qytetin e Kumanovës, para shumë pjesëmarrësve, i përbërë nga profesorë, nxënës, studentë, përfaqësues të qeverisjes legjislative dhe vendore, veteranëve të arsimit e qytetarëve, u bë përurimi i librit “Një jetë, shumë histori (rrëfimi për pishtaren e arsimit Regaibe Osmani)” i autores Adelina Beluli.
Kjo ngjarje e madhe kulturore dhe përuruese u mbajt në hapësirat e ish-komitetit.
Aktiviteti u moderua nga Ardian Ramadani, njëherësh edhe recensent i këtij libri.
Në fjalën e tij hyrëse të moderimit, Ramadani theksoi “nuk ka asgjë më mirë se të tubohemi rreth synimit që shkon drejt valorizimit të fjalës së shkruar, gjegjësisht promovimit të librit. Promovimit të një libri për një personalitet të shquar, e cila është e pranishme këtu në mesin tonë. Mosha për të është vetëm numër, asgjë më shumë. Edhe pse në moshë të shtyrë, ajo vazhdon të jetë një shembull i rrallë përkushtimi dhe dashurie për arsimin. Si mësuese, me përvojën, urtësinë dhe durimin e saj, ka ndriçuar rrugën e shumë brezave të nxënësve. Fjalët dhe mësimet e saj nuk kanë qenë vetëm dije, por edhe frymëzim për të besuar në vlera, punë dhe njerëzi. Me përkushtimin e saj të palodhur, ajo mbetet një model i gjallë që tregon se mësuesi i vërtetë lë gjurmë të përhershme në jetën e nxënësve dhe jo vetëm. Ky personalitet, në momentet kur mund të na kaplojë molepsja, hutia, apo nebuloza, shoqëruar me apati dhe me niktalopi, shërben si një frymëzim dhe motivim për mosdorëzim e për këndellje”.
Më pas fjalën e mori redaktori i librit, Sevdail Demiri, i cili u shpreh si në vijim: “Në festën e shkronjave shqipe, mësuesja Regaibe Osmani, pishtare e arsimit, mori dhuratën më të çmuar – një libër kushtuar historisë së saj profesionale e jetësore, shkruar me penën e mprehtë të mbesës, prof. Adelina Behluli. Me origjinë nga Miratoca e Preshevës, e lindur në Kumanovë (1932), e mbijetuar e masakrës së Runicës (1944), ishte një nga mësueset e para e të rralla në shkollat fillore shqipe të Likovës e Kumanovës pas mbarimit të LDB-së. Mësuesja Regë mbetet ikonë e gjallë e arsimit shqip, duke sfiduar pengesat e kohës, dhe duke arsimuar e edukuar me dhjetëra e dhjetëra gjenerata që kanë arritur majat e suksesit. Ky libër-rrëfim është shkruar me një gjuhë të çiltër poetike, me një narracion të pasur me fakte historike, gjë që e bën më të prekshëm realitetin e një kohe, të cilin edhe brezat e sotëm duhet ta njohin. Mësuesja Regë që nga viti 1983 gëzon moshën e pensionimit, e tani që do të hyjë në 94-vjeçarin e saj, nuk kursehet t’u bëjë thirrje gjeneratave të reja për më shumë punë, përkushtim, arsimim, dituri dhe dinjitet! Urime për librin! Urime Dita e Mësuesit!”
Fjalën në vijim e mori recensenti i librit, Demush Bajrami, i cili u shpreh: “E nderuar mësuesja Regë, me përuljen më të madhe sot flas para jush, para një zonje që i dha kuptim jetës, si dhe e cila po lundron fort mirë në fundshekullin e saj. Shumë gjëra të harruara ndër kohë kthehen dhe ruhen në sirtarë, me gjithë këto kalvare e me gjithë këto mundime. Urime ditën më të madhe – 7 Marsin, ditën e shkollës dhe arsimit shqip, i cili filloi të ndriçojë falë këtyre fanarëve si mësuesja Regë. Nuk e theksova me emër dhe mbiemër mësuesen, sepse kështu ajo u njoh nga të gjithë, pra mësuesja Regë, e cila u dha kuptim jetëve tona. Ne jemi ata që jemi sot, falë kësaj mësuese, e cila është personifikim, ashtu siç është përshkruar edhe në libër, sepse pikërisht fati i saj është edhe fati ynë kolektiv. Mes të tjerash, çdo mësues e çdo flakadan do ta gjejë veten brenda kapakëve të këtij libri pavarësisht modestisë së saj dhe modestisë së mësuesve, ngaqë mësuesit janë të tillë, janë mësuar të jenë modestë gjithmonë. Kur jemi te mësuesia më kujtohet autori zviceran Piter Frato dhe libri i tij ‘Lutja arsimore’ i cili thekson se mjafton që mësuesit të jenë të motivuar, e që automatikisht edhe nxënësit do të jenë të tillë, sepse kjo është edhe sakrificë, për hir të brezit që e kemi përballë, ashtu siç e kemi marrë ne nga mësuesja Regë dhe të tjerët si ajo, që ndikuan te ne, edhe te burrat, edhe tek të gjithë. Paç jetë të gjatë, mësuese e dashur!”.
Në vijim recensenti Ramadani u shpreh: “Njëri prej profesioneve më të sfiduar, e njëkohësisht edhe më sfidues, është padyshim profesioni i mësuesit, edukatorit, arsimtarit e profesorit. Kur e them profesion më i sfiduar, e kam parasysh këtu faktin, se bartësi i këtij profesioni gjatë tërë epokave historike, përpos sakrificës sfilitëse, ka pasur mbi supe e ka edhe më tej peshën e përgjegjësisë morale e njerëzore. Në një rast, një burrështetas evropian, duke e njohur rëndësinë dhe rolin e mësimdhënësit, kishte ndarë me publikun një thënie të çmuar, që besoj se i shkon përshtati edhe monografisë, gjegjësisht protagonistes së librit ‘Një jetë, shumë histori’, mësueses Regaibe Osmani, e që është si në vijim: ‘Të jesh mësues/e nuk është një zgjedhje karriere, është një zgjedhje jete’. Libri, i cili përshkruan hollësisht jetën dhe veprën e një mësuese, e cila, në kohët më të vështira, iu rrek profesionit të shenjtë të mësuesisë, për ta sfiduar kësisoj vetveten, rrethin, e për të qenë njëkohësisht edhe e sfiduar, por duke ia dalë mbanë përballë këtyre sfidave, është një vepër që i ka munguar qytetit tonë dhe jo vetëm, gjithashtu edhe fushës së historisë sepse, fundja, tërë përçapja dhe kontributi i mësueses Regaibe Osmani, së bashku me shumë e shumë mësues të tjerë e mësuese të tjera, padyshim se është gjurmë e pashlyeshme në kujtesën kolektive dhe historike kombëtare, duke shërbyer njëkohësisht edhe si kambanë këndelljeje, në momente kur na kaplon ndonjëherë apatia, përtacia apo mungesa e interesit për t’i çuar proceset përpara. Është pjesë e padiskutueshme e kujtesës kolektive, sepse ta marrësh përsipër edukimin dhe arsimimin e brezave në një epokë, kur thikat helmuese, qoftë të përdorura nga sistemi i kohës, qoftë nga padituria e injoranca fanatike, që ishte, po ashtu, e sponsorizuar dhe e nxitur nga sistemi i kohës, sulmonin nga të gjitha anët, shto këtu edhe vështirësinë e faktit të të qenit grua, nënë, bashkëshorte, motër, bijë, re… vërtet do të kishte qenë tepër e mundimshme, edhe përpjekje sizifiane. Ky libër, duke e valorizuar historinë e ecejakut jetësor e profesional të mësueses Regaibe Osmani, shërben si një histori e çmuar, si një dëshmi e fuqishme e kohës, sepse fundja respekti dhe mirënjohja për mësuesin dhe mësuesen, si arsye e diturisë, si arkitekt/e i/e mësimdhënies dhe urbanist/e i/e dijeve, si ndikues/e dhe frymëzues/, është detyrim dhe domosdoshmëri patriotike-kombëtare e jo vetëm morale. Libri na udhëzon edhe se mësuesit e mirë janë si qirinj – ata e djegin veten për ta ndriçuar rrugën për të tjerët. Libri i autores Adelina Beluli, mes të tjerash, përmban edhe dimensionin pedagogjik, përpos atij njerëzor, moral, kombëtar e historik. Nxjerrja në pah e veprimtarisë profesionale të mësueses Regaibe Osmani, si bartëse e rolit edukativ-arsimor në shkollat ku ka punuar me nxënësit, padyshim se në vetë përmban edhe qëndrimet, ndjenjat, emocionet, mendimet e saj, si dhe nxjerr në pah personalitetin e saj, duke e trajtuar nga aspekte të ndryshme, që lexuesi mund ta kundrojë edhe si personalitet pedagogjik, që është gjithnjë në fokusin e interesimit të opinionit, prindërve, nxënësve, shoqërisë dhe institucioneve përkatëse. Vlen të theksohet se ky libër është i rëndësishëm po aq edhe sa veprimtaria protagonistes, mësueses Regaibe, sepse i dëfton brezit të tanishëm si dhe brezave të ardhshëm, për sfidat dhe tejkalimet e tyre gjatë një epoke të vështirë, por edhe i bën të reflektojnë dhe të arrijnë në konstatimin e saktë se profesioni i mësuesisë ndikon në përjetësi, duke mos vënë linja kufizuese se ku mbaron ndikimi i tij. Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues i shkëlqyer demonstron. Një mësues vërtet i shkëlqyer frymëzon. Shembulli i protagonistes së librit “Një jetë, shumë histori (rrëfimi për pishtaren e arsimit Regaibe Osmani)”, të autores Adelina Beluli, shpalos vërtet figurën dhe personalitetin e mësueses që frymëzon”.
Më pas Ramadani lexoi letrën e Berat Dakajt, drejtor i Sh. B. “Armagedoni”, dërguar nga Prishtina: “Shumë e dashur mësuese Regaibe Osmani, E nderuar autore Adelina Beluli, Familjarë të mësueses Regaibes dhe të Adelinës, Të dashur miq të librit dhe të arsimit, Ju shpreh keqardhje që sot, edhe pse një muaj më parë e pata konfirmuar pjesëmarrjen në përurimin e librit, për arsye familjare nuk pata mundësi të vij t’ju lexoj këtë përshtypje timen për librin e Adelina Belulit për gjyshen e saj dhe për mësuesen e shumë brezave të Likovës e të Kumanovës, të dashurën e të nderuarën Regaibe. Sot jeni mbledhur për të përuruar një libër të veçantë dhe për ta nderuar dhe respektuar një mësuese të veçantë, të pashoqe e të pazëvendësueshme. Ky libër nuk është vetëm një rrëfim për jetën e një gruaje, mësueseje dhe intelektualeje, por një dëshmi për një epokë, një përpjekje për ta ruajtur kujtesën dhe për ta nderuar një figurë që i ka shërbyer arsimit dhe shoqërisë me përkushtim të jashtëzakonshëm ndër dekada. Libri “Një jetë, shumë histori” i autores Adelina Beluli na sjell para një figure të veçantë të arsimit shqiptar, mësuesen Regaibe Osmani. Përmes rrëfimit të saj ne nuk njohim vetëm jetën e saj e të bashkëkohanikeve të saj, por përballemi me historinë e një brezi të tërë që e pa arsimin si mision dhe si përgjegjësi ndaj shoqërisë. Në kohë të vështira historike, kur mundësitë për arsim ishin të kufizuara, sidomos për gratë, figura të tilla si mësuesja Regaibe u bënë pishtarë të dijes e të emancipimit të gruas dhe vajzave. Ajo përfaqëson atë brez mësuesish që nuk e ushtronin profesionin vetëm si punë, por si thirrje shpirtërore dhe si detyrë kombëtare. Ky libër është i rëndësishëm për disa arsye. Së pari, ai ruan kujtesën e një jete që ka kontribuar në formimin e shumë brezave. Së dyti, na kujton sakrificat dhe përkushtimin e mësuesve që ndërtuan themelet e arsimit shqip në rrethana jo gjithmonë të lehta. Dhe, së treti, është shembull frymëzues për brezat e rinj, që të kuptojnë se rruga e dijes është gjithmonë rrugë e sakrificës dhe e dinjitetit. Autorja Adelina Beluli ka bërë një punë të çmuar duke mbledhur kujtime, dokumente dhe dëshmi që sot shndërrohen në një rrëfim të gjallë dhe të sinqertë. Përmes këtij libri ajo jo vetëm që nderon gjyshen e vet por, në të njëjtën kohë, nderon të gjithë mësuesit që kanë punuar me përkushtim për edukimin dhe arsimimin e brezave.
Në fakt, libri që po përuroni sot është më shumë se një biografi. Ai është një homazh për mësuesinë, për fuqinë e dijes dhe për ata njerëz të heshtur që me punën e tyre të përditshme kanë ndryshuar jetën e shumë të tjerëve. Adelina duke e shkruar, mësuesja Regaibe duke rrëfyer e ne duke e botuar këtë libër, kemi bërë një akt të rëndësishëm kulture: kemi shpëtuar nga harresa një histori që meriton të kujtohet dhe të përcillet. Dhe në fund, dua të them se çdo libër që shkruhet për mësuesit është një libër që i shërben shoqërisë, sepse mësuesit janë ata që ndërtojnë të ardhmen, shpeshherë pa zhurmë, por me ndikim të jashtëzakonshëm. Prandaj, uroj që ky libër të lexohet nga shumë lexues, veçanërisht nga të rinjtë, sepse në faqet e tij do të gjejnë jo vetëm historinë e një mësueseje, por edhe një mësim të madh për jetën. Urime autores për këtë vepër të bukur dhe mirënjohje të thellë për mësuesen Regaibe Osmani për gjithë kontributin e saj në arsim dhe në shoqëri! Jemi shumë të nderuar që këtë libër e botuam në Prishtinë. Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe urime 7 Marsin!”
Më tutje, fjalë përshëndetëse kishin edhe dy kolegët e mësueses Regaibe Osmani, gjegjësisht mësuesja Letafete Destani si dhe mësimdhënësi Melaim Ramadani. Që të dy shprehën mirënjohje për punën dhe sakrificën e mësueses Regë, për shëmbëlltyrën e saj si dhe për gatishmërinë e saj për të qenë çdoherë afër kolegëve për ndihmë dhe afër nxënësve.
Më pas fjalë rasti paraqiti autorja e librit, Adelina Beluli, e cila u shpreh: “Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, ju përshëndes me mirënjohje të thellë në këtë ditë të shënuar të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, një ditë që përmbledh sakrificën, përkushtimin dhe misionin fisnik të arsimit. Ky libër nuk do të ishte ky që është pa mbështetjen e një ekipi punues të përkushtuar. Shpreh falënderimin tim të përzemërt për redaktorin Sevdail Demiri, për qartësinë dhe kujdesin profesional. Për recensentët, prof. Demush Bajrami dhe prof. Ardian Ramadani, për vlerësimin e çmuar. Për lektorin Berat Dakaj për përkujdesjen gjuhësore, për shtëpinë botuese ‘Armagedoni’ që mundësoi botimin e kësaj vepre, si dhe për z. Bekim Salun për realizimin e dizajnit të saj. Me këtë nuk kam jetësuar vetëm një ëndërr timen, por kam përjetësuar një periudhë të rëndësishme dhe të vështirë të historisë sonë arsimore. Kam dashur ta ruaj gjallë kujtesën e Regaibe Osmanit jo vetëm si mësuese, por si ndërgjegje morale e kohës dhe si dritë udhërrëfyese për këdo që zgjedh ta ndërtojë jetën mbi dije, dinjitet dhe shërbim ndaj shoqërisë. Figura e saj për mua nuk është vetëm subjekt shkrimi, por model jetësor dhe frymëzim i thellë në rrugëtimin tim në mësimdhënie. Këtë libër nuk e kam shkruar vetëm si mbesë që ruan një kujtim familjar, por si mësuese që ndien përgjegjësinë për ta dëshmuar një periudhë të vështirë të arsimit shqiptar, veçanërisht të arsimit të vajzës shqiptare. Përmes kësaj vepre kam dashur të shpalos vështirësinë e kohës në të cilën ajo hapi shtigje mes paragjykimeve dhe mungesës së kushteve, në mënyrë që ne sot ta kemi më të lehtë rrugëtimin tonë profesional dhe njerëzor. Për të, mësimdhënia nuk ishte thjesht profesion, por mision i ndërgjegjshëm, ishte qëndresë morale dhe ishte dritë që ndriçonte përtej mureve të klasës. Ky libër është përulje me respekt para figurës së saj dhe një thirrje e heshtur që misioni i mësuesit të mbetet gjithmonë dritë e pashuar në shoqërinë tonë. Të nderuar, ju falënderoj për praninë dhe për nderin që i bëni fjalës së shkruar dhe misionit të mësuesit”.
Krejt në fund, fjalën e mori protagonistja e kësaj monografie, mësuesja Regaibe, e cila i emocionoi të pranishmit. Ajo falënderoi mbesën e saj, autoren e librit për botimin e monografisë, falënderoi ekipin që ndihmoi në daljen në dritë të kësaj vepre si dhe shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit në këtë ngjarje.
Në fund pjesëmarrësit morën nga një ekzemplar të librit.




