UP-ja dhe Ndërmarrja Publike Banesore pajtohen për rritje bashkëpunimi
Drejtues të Universitetit të Prishtinës u takuan sot me kryeshefin ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, z. Arton Berisha, për të hulumtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe shërbimet që kjo ndërmarrje mund të ofrojë për UP-në.
Në takim, u diskutua për bashkëpunimin e ardhshëm, i cili u tha se mund të nisë me mirëmbajtjen e ashensorëve në njësitë akademike të UP-së, për t’u zgjeruar më pas edhe me elemente tjera që lidhen me mirëmbajtjen dhe dukjen më bukur të kampusit universitar.
Kryeshefi Berisha tha se është nder dhe kënaqësi e tij dhe e ndërmarrjes që drejton për t’i ofruar shërbime Universitetit të Prishtinës, ndërsa rektori, prof. Arben Hajrullahu, e vlerësoi lart gatishmërinë dhe vullnetin e mysafirit të tij për punë që do të lehtësojnë aktivitetet e përditshme të universitetit.
Rektori Hajrullahu e takoi kryeshefin Berisha bashkë me prorektorin për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari dhe profesorin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. Përparim Ameti.
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është shumë i interesuar që krahas angazhimeve për ndërkombëtarizim, fuqizim të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, të shtojë bashkëpunimin me institucione publike të vendit në fushat me interes të përbashkët.



