Një mësim nga një gabim: Shkenca kërkon vëmendje dhe vigjilencë

07 prill 2026 | 16:18

Shkruan: Hajdin Abazi

Më 3 prill erdhi një letër nga disa studiues të njohur si Florian Bieber (Graz), Konrad Clewing (Regensburg), Krisztián Csaplár-Degovics (Budapest), Sir Noel Malcolm (Oxford), Robert Pichler (Vjenë), Albert Ramaj (St. Gallen) dhe Oliver Jens Schmitt (Vjenë), të cilët kërkuan pushimin e hetimeve ndaj Shkëlzen Gashit autor i librik Masakrat 1998-1999 në Kosovë.

Jam absolutisht dakord me thirrjen e tyre që të ndërpriten hetimet po qe se vërtet ato janë inicuar për shkak të librit të Sh. Gashit.

Këtij apeli i bashkohem jo vetëm si filozof po edhe si ish-ushtar i UÇK-së, ani se nuk pajtohem aspak me pikëpamjet e tij; i bashkohem sepse nuk mundem ta shoh asnjë njeri të përndjekur për shkak të mendimit, pikëpamjes, qasjes e artikulimit.

Mendimi kritik ndaj një libri apo ekspozite a shprehjeje publike me karakter studimor nuk duhet kurrsesi të bëhet pretekst për penalitet e askujt, sepse kjo i takon sferës së debatit.

Kur unë reagova me shkrimin “Alibia e krimit” shpreha mirëkuptim për gabimet në pasaktësi numri të viktimave, dhe theksin e vura te koncepti “njerëz të armatosur” për të burgosurit e pjesëtarëve të UÇK-së. Edhe pse Sh. Gashi ka pasur në dispozicion të dhëna e botime nga autorë shqiptarë si p.sh. Prof. Dr. Nusret Pllana lidhur me masakrat, ai ka përzgjedhur burime të tjera, sipas lirisë autoriale.

Megjithatë për mua mbetet problemi kyç kuptimi “njerëz të armatosur” që lidhen me masakrat e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë, pasi që propaganda serbe pohonte se ata kishin qenë të armatosur kur në të vërtetë ata ishin civilë. Një koinçidencë kjo? Përdorimi i ”njerëz të armatosur” tingëllon absurd kur ashtu quhen edhe pjesëtarë të UÇK-së që ishin të burgosur e të masakruar në burgun e Dubravës.

Mbase këtë shtrembërim konceptual e nënkuptojnë autorët e letrës së 3 prillit kur flasim për “reflektimin semantik” të autorit. Ashtu është, jam krejtësisht dakord.

Ndonëse përgjegjësia është e autorit, nuk mbeten virgjin as recensentët e librit të Sh. Gashit, sepse kur shkruan mendim vlerësues është përgjegjësi e recensentit ajo që shkruan. Një lëshim i tillë “semantik” nuk duhet t’i shpëtojë një recensenti sepse nuk besoj se ka ndokund në botë një realitet ku ka të burgosur të armatosur. Kur një autor ia beson librin e tij një recensenti, pritjet janë që, nëse ka ndonjë gjë që bie në sy se nuk shkon, si p.sh. semantika “njerëz të armatosur” të burgosur, t’ia vëjë në pah, si kontribut që të korrektohet. Me sa duket kjo nuk ka ndodhur.

Nga ky gabim duhet të gjithë të nxjerrim mësim, sigurisht që më mos të përsëriten; sidomos që me kohë të veprohet për t’u ndalë përndjekja e autorit nga organet e drejtësisë, që gabimi të mos bëhet edhe më i madh; po ashtu, organet e shtetit të jenë më vigjilentë se çfarë studimesh shpërndahen përmes diplomacisë; kurse MPJD ta ndalë shpërndarjen e atij libri me këto gabime të dëmshme; madje, po qe se e ka bërë nga mosdija, vetë autori duhet gjithashtu të kërkojë ndalimin e shitjes së librit, si reflektimi i parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka paraqitur kandidaturën për postin…